Basha ngatërron bunker

Nga Bildo
Basha ngatërron bunker

Ndërto bunkerin, vizito bunkerin, shkatërro bunkerin. Bunkeri është kthyer në model, projekt, arsye e jetës dhe e luftës.

Në fakt, edhe sot, si dikur, është një qëllim i rremë, një shpërqendrim, një gënjeshtër, një objektiv i rremë, për të diskutuar për diçka të padëmshme dhe për të shmangur diskutimin për diçka të vërtetë, shumë më të rrezikshme për elitat kleptokratike që plaçkisin vendin.

Këtë herë Lulzim Basha gaboi bunkerin, luftën, misionin, kontekstin, sfidën, çështjen, me pak fjalë nuk gjeti armikun e vërtetë, shkakun e vërtetë për një betejë të madhe dhe legjitime për të cilën të angazhonte popullin, për shpëtimin e popullit. Dhe kjo ndodh sepse ai popullin nuk e ka, popullin dëshiron vetëm ta përdori.

Të sajosh, për herë të dytë, sulmin ndaj një bunkeri fallco i krijuar për një muze fallco që do të lëvdonte komunizmin, nuk është përpjekje për të rrëzuar qeverinë (sikurse duan t’i bëjnë që të besojnë demokratët e thjeshtë), por vetëm një përpjekje për të rigrupuar radhët e militantëve politikë, për t’i mbajtur ata të mobilizuar dhe të nënshtruar, duke shtyrë kështu kohën deri sa të vijë radha për të ardhur në pushtet. Kur socialistët të largohen me xhepat e fryrë nga plaçka e grabitur dhe të konsumuar nga grindjet e brendëshme, atëherë do i vijë Atij radha për të dhënë konçesione, për të bërë kontrata, për të favorizuar miqtë. Ndërsa socialistët sërish në opozitë do të ripërsërisin ritualin e zakonshëm për të sajuar skenime të reja ballkanike, duke shpresuar përsëri në ndonjë idiot besnik që të qëllojë mbi turmën e eksituar qëllimisht.

Kjo është skena që përsëritet e sulmit ndaj bunkerit, e protestës së 21 janarit, e dhunës së shtatorit 1998, e marsit 1997.

Nëse Basha do të donte me të vërtetë të bënte opozitë do të zgjidhte një tjetër bunker, një tjetër simbol, që do të prekte zemrat e qytetarëve të pakënaqur, dhe jo vetëm të atyre të djathtë ende të ndjeshëm ndaj anti-komunizmit, por dhe atyre të qendrës dhe të majtë, aspak të interesuar nga një praparojë politikë e bazuar në frikën e së kaluarës.

Dhe bunkeri i përshtatshëm (metaforik) do të ishte ndonjë qendër dialize ose ndonjë rafineri nafte, apo skaneri i doganës ose hyrja tek parku i liqenit, apo ndonjë qendër tregtare për të cilën Basha, rastësisht, realizoi me nxitim të madh punimet për ndërtimin e një rruge lidhëse.

Por ata ishin sponsorët e tij, ashtu si sot janë sponsorët e kundërshtarëve të tij të rreme, dhe që nesër do të kthehen të jenë përsëri sponsorët e tij. Ndaj për këtë arsye organizon një opozitë të rremë, në bunkerin e gabuar.

 

 

Lajme te ngjashme