Bukë e cirk (ose salçiçe dhe John Newman)

Që herët, Romakët e lashtë e kishin kuptuar që për të mbajtur urtë popullin mjaftonte t’i jepje atij bukë sa për të mbajtur frymën gjallë dhe argëtim për të mos menduar për të kërkuar më shumë. Motoja Panem et Circenses (Bukë e Cirk) u shndërrua në një nga instrumentat më efektivë të mbajtjes së pushtetit në Romën e lashtë, ndaj diktatorët romakë investonin shumë në shfaqje argëtuese, në arena e sheshe publike.

Politika shqiptare e ka përqafuar krejtësisht këtë qasje të lashtë: pas shumë diskutimesh për varfërinë ekonomike, u organizua Nata e Bardhë për të gëzuar shpirtrat e varfër dhe për t’i bërë ata të harrojnë.

Kryebashkiaku Veliaj vazhdoi atë që nisi idhulli i tij Rama, i cili ishte kryetar bashkie kur francezët “shpikën” të ashtuquajturën “natë të bardhë”. Nata e parë e bardhë u organizua në Paris më 2002, kur muzeumet dhe galeritë e artit të qytetit qëndruan hapur gjatë gjithë natës. Organizatorët deshën t’i tregonin botës se Parisi, i njohur anembanë për jetën e tij të natës, është edhe qendra botërore e artit.

Shpejt, modeli u përhap nëpër kryeqytete e qytete të mëdha europiane, të cilët filluan të organizojnë netë të bardha, por gjithmonë e më pak kushtuar artit e përherë e më shumë të orientuara drejt argëtimit e koncerteve muzikore. Ngadalë, kultura ia la vendin argëtimit.

Ndaj edhe në Tiranë, nuk e vrau kush mëndjen se pse kryetari i atëhershëm i bashkisë (ndoshta i vetmi kryebashkiak në botë artist i arteve pamore) në netët e bardha që filloi të organizonte nuk ofroi asnjëherë art por… birrë e salçiçe.

Sot, situata është më pak dilematike. Tani, edhe pse kryebashkiaku i atëhershëm artist është bërë kryeministër artist, në Tiranë pothuajse nuk ka më art me përjashtim të strehës plastike me neon ngjitur mbi derën e Kryeministrisë. Ndaj salçiçet janë e vetmja zgjedhje artistike. Salçiçe dhe John Newman.