Doing Business në burg

Nga Bildo
Doing Business në burg

Prej vitesh qeveritë shqiptare i kushtojnë vëmendje të veçantë listave që paraqesin progresin e integrimit të Shqipërisë në kontekstin botëror. Një prej këtyre listave, që së fundmi ka qënë objekt polemikash për rezultatet tona negative, është Doing Business, hartuar nga Banka Botërore, e cila i rendit vendet në bazë të lehtësirave që ofrojnë për ushtrimin e aktivitetit ekonomik.

Kjo renditje ndërkombëtar ndikon deri diku tërheqjen e investimeve të huaja, ndaj qeveritarët tanë dinakë të të gjitha qeverive, kanë kuptuar si të fitojnë vende në klasifikim duke përqëndruar veprimet e tyre reformuese kryesisht në parametrat që merr në konsideratë klasifikimi.

Në fakt, kemi dëgjuar ahpesh ministra të shpallin se në Shqipëri mund të hapet një aktivitet biznesi brenda ditës (që është një ndër parametrat e përdorur për klasifikimin e Doing Business), por askush prej tyre nuk duket i interesuar të dijë sa ditë duhen për të mbyllur një aktivitet biznesi, pasi kjo nuk është pjesë e klasifikimit dhe, për rrjedhojë, e propagandës.

Në të njëjtën kohë, askush nuk interesohet për shkaqet që mund të çojnë në burg kur merresh me një aktivitet ekonomik, pasi kjo nuk është pjesë e klasifikimit ndoshta ngaqë, me përjashtim të rasteve të shkeljeve të rënda, shumica e shkeljeve në ushtrimin e aktivitetit ekonomik konsiderohen kundravajtje dhe jo vepra penale.

Por paaftësia në rritje e administratës sonë publike për të drejtuar vendin e ka shtyrë e vazhdon ta shtyjë qeverinë për të rritur masat ndëshkimore ndaj biznesit dhe për të kthyer në vepra penale, të dënueshme me burgim, edhe ato shkelje që në çdo vend tjetër konsiderohen thjesht kundravajtje.

Shtoji këtij “standardi” të ri ligjor edhe arrogancën dhe paaftësinë e zyrtarëve dhe ndodh ajo që ndodhi para pak ditësh kur u arrestua – pra u privua nga liria e tij – pronari i Hotelit Mondial, me akuzën e rëndë dhe të pavërtetë se kishte bërë një lidhje të paligjshme ndaj ujësjellësit të Tiranës, të asaj ndërmarrje që vetëm pak ditë më parë la pa ujë gjithë Tiranën.

Kur gjendja u qetësua, u zbulua se për të patur ujë në mënyrë të vazhdueshme – biznesi i hotelit e ka, natyrisht, jetike të ketë ujë 24 orë në ditë – sipërmarrësi kishte bërë prej vitesh një pus të tijin dhe për këtë arsye nuk paguante ndërmarrjen e ujësjellësit për ujin e nxjerrë nga pusi.

Sigurisht, urgjenca e faktit, serioziteti i “krimit” dhe “rrezikshmëria” shoqërore e subjektit justifikuan arrestimin e tij, ndërsa deputeti që qëlloi mbi një njeri me armë zjarri të paregjistruar, me të drejtë, u la vetëm në arrest shtëpiak sepse ai, pa dyshim, është shumë më pak i rrezikshëm se një biznesmen që nxjerr ujë nga toka e tij kur ujësjellësi publik e lë në baltë.

 

Lajme te ngjashme