Meta si xhonglier me biznesin

Nga Bildo
Meta si xhonglier me biznesin

Ka rreth dy muaj që Ilir Meta ka ndërmarë një fushatë përmirësimi imazhi për t’u larguar nga pozicionet radikale të marra nga qeveria Rama dhe për ta portretizuar veten si njeri i moderuar e pajtues, si ekonomisti solid kundër artistit konfuz.

Një nga arsyet e këtij manovrimi mediatik lidhet me sanksionet e ashpra ndaj biznesit që u ligjëruan nga Kuvendi më mbështetjen e Metës, para pak ditësh.

Meta, përmes deklaratave të përsëritura të Vasilit dhe Manjanit dhe dorëheqjes së Naços, kishte lënë të kuptonte se ai nuk do të votonte kurrë një ligj absurd dhe ndëshkues ndaj biznesit, dhe për këtë qëllim kishte tërhequr pranë vetes edhe çamët e Shpëtim Idrizit. Në pozicion të njëjtë me Metën u rreshtuan gradualisht edhe disa deputetë të maxhorancës si Blushi, Ndocaj e të tjerë.

Duke qënë se ndryshimi i Kodit Penal kërkonte një shumicë të cilësuar prej 84 votash, me pozicionimin e tij Meta bënte të qartë për të gjithë se ndryshime të tilla nuk do të ndodhnin. Llogaria e numrave i jepte forcën që të përballej me propozimin e Ramës i cili i kërcënonte të gjithë me burg. Ky qëndrim, i mbështetur nga të gjitha bizneset e madje i gjithë vendi, do ta vendoste Metën në qendër të vëmendjes politike të një grupi interesi shumë të rëndësishëm në aspektin elektoral.

Por, në heshtje totale, pas një nate parlamentare mjaft të tensionuar dhe në konfuzion midis buxhetit dhe masave të tjera, qeveria çoi në votim projektligjin e ndryshimeve të Kodit Penal i cili u miratua saktësisht me 84 vota, përfshirë votat e LSI-së dhe PDIU-së.

Ndërkohë Meta vetë, mjeshtër për të ndryshuar temën e diskutimit kur gjërat nuk shkojnë mirë, bënte të ditur botërisht lajmin e misionit të tij si ndërmjetësues në Kosovë. Duke vënë në pah rolin e tij të rëndësishëm ndërkombëtar si paqebërës dhe zgjidhës i konflikteve, Meta shmangu çdo koment mbi votën e LSI-së pro ndryshimit të Kodit Penal. Në të njëjtën kohë, Idrizi u zhduk nga qarkullimi. Sipërmarrësit mbetën përsëri të vetmuar dhe me më shumë shqetësime.

Lajmi për arrestimin e deputetes të Vetëvendosjes Albulena Haxhiu varrosi përfundimisht çdo shans për sukses të ndërmjetësimit të vetëorganizuar nga Meta në Kosovë, ndërsa zhurma e manifestimit të PD-së ndihmoi për të hequr vëmendjen e votuesve, si nga ndryshimet e Kodit Penal ashtu edhe nga Kosova. Ndërkohë problemi i dhunës ndaj biznesit i ligjëruar nga Kuvendi u harrua.

Cilado të ketë qenë marrëveshja dhe cfarëdo të ketë qenë kompensimi (politik ose ekonomik) i përfituar nga Meta për ndryshimin e qëndrimit të tij, biznesi shqiptar, me përjashtim të oligarkëve klientë të çdo qeverie, mbeti pa një mbështetje të besueshme politike.

Vendi, për të mbijetuar dhe për t’u zhvilluar, ka nevojë për forca politike të shëndosha, të afta të vendosin një politikë dhe të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e saj, dhe jo për mjeshtra të iluzionizmit që shfaqen si mbështetës të një kauze për të ndryshuar me vonë anën kur loja bëhet e vështirë.

Lajme te ngjashme