Ndjesa arrogante e Kryeministrit Rama

Ndjesa arrogante e Kryeministrit Rama

Kryeministri Rama ka bërë një shpjegim të gjatë publik për të justifikuar dekorimin nga Ministria e Mbrojtjes të të paktën një personi, i cili ka hetuar At Zef Pllumin dhe intelektualin Sami Repishti gjatë regjimit komunist.

Justifikimi i tij në pak fjalë është: Ministria e Mbrojtjes ka dekoruar gjithë kategorinë e veteranëve të luftës pa bërë vlerësim një nga një; statusin e veteranit të luftës e ka dhënë qeveria e Partisë Demokratike e vitit 1994; ndaj fajin për dekorimin e ka qeveria e atëherëshme, meqë ajo i ka dhënë statusin dikujt që gjatë regjimit komunist ka shërbyer si hetues.

Në këto kushte, Kryeministri ka kërkuar ndjesë, apo siç e quan ai “ndjesë të imponuar”, edhe pse nuk ndjehet aspak fajtor qoftë edhe për veprim pa dashje. Ja si është shprehur zoti Rama:

“E kërkoj ndjesën… jo pse kam gabuar apo kemi gabuar me dashje. Jo, kjo nuk ka ndodhur! Madje e vërteta është se në kuptimin formal të përgjegjësisë, ne nuk kemi gabuar as pa dashje.”

Përveç mënyrës arrogante dhe kokëfortësisë për të mos pranuar asnjë gabim, qëndrimi i zotit Rama ka mangësi faktike dhe ngjall dyshime për standartin e përgjegjshmërisë morale të qeverisjes.

Së pari, Kryeministri Rama nuk arrin të dallojë që vendimi për të dhënë statusin e veteranit të luftës dhe vendimi për të nderuar me medalje honorifike janë dy vendime të ndryshme. Dhënia e statusit të veteranit bëhet si konfirmim i një fakti: që dikush ka luftuar në luftë. Ky është thjesht akt konfirmimi e madje shpërblimi. Pa dyshim, që ky status mund dhe duhet t’u ishte mohuar atyre që më vonë kanë kryer vepra kundër njerëzimit. Por gjithsesi, kriteret e dhënies së një statusi veterani janë kritere objektive, që bazohen mbi fakt. Kurse nderimi me medalje është veprim subjektiv, honorifik, që tregon mirënjohje. Madje, vetë medalja në rastin në fjalë titullohet Medalje e Mirënjohjes. Prandaj këto dy veprime nuk mund të krahasohen, as në motivimin e tyre e as në kriteret e tyre.

Së dyti, është absurde që të lidhësh të dy vendimet nga ana proçedurale. Askush nuk e detyroi Ministren e Mbrojtjes apo Kryeministrin që të merrnin një vendim të tillë në bllok, dhe jo të ndiqnin proçedura të tjera për të vlerësuar se kush duhej dekoruar. Askush nuk ju tha që mos i verifikoni listat, ishte zgjedhje e tyre. Madje zgjedhje e çuditshme. Aq më tepër për një qeveri që pretendon se qeveritë e mëparshme e kanë shkatërruar vendin.

Së treti, pavarësisht justifikimit të Kryeministrit për miratimin në bllok të listës, e vërteta është që medaljet u janë dhënë personalisht të gjithë përfituesve. Për to ka pasur një vendim që ka përfshirë të gjithë emrat e përfituesve, ka pasur një motivim të shtypur në formë çertifikate për çdo emër, dhe ka pasur edhe një firmosje të kësaj çertifikate motivuese për çdo emër. Prandaj, pretendimi që nuk diheshin emrat konkretë të listës është i pavërtetë. Madje një vit më parë, zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes pati konfirmuar këtë gjë për Gazetën Shqiptare duke deklaruar se “gjithçka është vendosur nga një komision i cili ka bërë shqyrtimin e detajuar të personave që duhet të merrnin medalje.”

Së katërti, para një viti, në media u bë publik fakti që një nga të dekoruarit ishte Vito Kapo. Ky fakt dhe ndjeshmëria që u krijua për këtë rast në media duhet ta kishte nxitur Ministrinë të bënte verefikimin e listës që atëhere. Prandaj, supriza e tanishme e Kryeministrit dhe Minisitres së Mbrojtjes është ose hipokrite ose e pajustifikuar, pasi është produkt i indiferencës dhe pandjeshmërisë se tyre.

Së fundmi, kufizimi i ndjesës vetëm për rastin e hetuesit të At Zef Pllumit është shumë cinik dhe i padrejtë. Në atë listë mund të ketë të tjerë të cilët gjatë komunizmit mund të kenë kryer krime ndaj njerëzve që nuk janë aq të famshëm sa At Zef Pllumi. Nëse kjo është e vërtetë, dekorimi i tyre është po aq i padrejtë dhe i turpshëm se edhe dekorimi i hetuesit të At Zef Pllumit dhe viktimat e tyre meritojnë gjithashtu ndjesë një-për-një sikurse u dhanë vetë dekoratat një-për-një.

 

 

 

Lajme te ngjashme