PD – e ardhmja që nuk ndez shpresë

Nga Rigers Lako
PD – e ardhmja që nuk ndez shpresë

Pavarësisht dëshirës së opozitës, Shqipëria nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe as qeveri teknike. Përjashto ndonjë gjëmë, zgjedhjet e tjera do të jenë ato normalet që do të mbahen pas një viti e gjysëm, në maj ose qershor 2017.

Në këto zgjedhje, Partia Demokratike do të mund të fitojë vetëm nëse do arrijë të tërheqë dhjetëra mijra qytetarë, në mos qindra mijra, të cilët nuk votuan për të apo votuan kundër saj në zgjedhjet e vitit 2015. Që të ndodhë kjo, duhet që më e pakta PD të shihet si e keqja më e vogël në krahasim me PS ose, akoma më mirë, të shihet në vetvete si një forcë e aftë të mirëqeverisë ose të dyja bashkë.

Në të dyja rastet, do të duhet që PS të perceptohet nga qytetarët më keq se në vitin 2013 dhe PD më mirë se më 2013.

PS ka bërë mjaft për përkeqësimin e imazhit dhe mbështetjes publike duke u zhytur gjithnjë e më shumë në korrupsion e klientelizëm, pa përmendur përfshirjen në politikë të figurave me të shkuar të dyshimtë apo kriminale. Me gjasa, në dy vitet e fundit, PS ka humbur tashmë dhjetëra mijëra vota nga ato që e sollën në pushtet.

Por me siguri votat e humbura nga PS, nuk janë kthyer në vota të PD-së, pasi që nga 2013 PD nuk ka bërë pothuasje asgjë, as në thelb e as në imazh, për të përmirësuar besueshmërinë para atyre që e larguan nga pushteti në vitin 2013. Oferta e saj politike po ofrohet nga e njejta kastë njerëzish si më 2013, me ndonjë përjashtim kur vendin publik të disa ish-ministrave e kanë zënë zëvendësat apo vartësat e tyre. Ato pak figura realisht të reja që ajo ka ofruar në udhëheqësi nuk kanë treguar as staturë, as kurajo dhe as pavarësi mendimi.

Qasja e të bërit politikë nuk duket të ketë ndryshuar, gjithashtu. Protesta e djeshme konfirmoi të njejtën qasje, të njejtin mentalitet të vjetër. Në protestë nuk kishte asgjë të re – thjesht të njejtat fjalime të uluritura e të mbushura me klishetë e zakonshme, të bjerra nga çdo frymëzim.

Përballë krimit, shkatërrimit, varfërisë dhe mjerimit të shqiptarëve si asnjëherë më parë, PD vajti dhe u struk atje ku struket përherë kur nuk është e aftë të prodhojë të ardhme: tek antikomunizmi shterpë duke shfrytëzuar ndjeshmëritë e njerëzve viktima të komunizmit. PD bëri kauzë një bunker, në fakt një bunker të ngjashëm me atë që përsëri në emër të artit vendosi vetë në bulevard para ca vitesh.

Por pika më e dobët e protestës ishte radikalizimi i saj, duke e ndotur dhe gërryer vetë legjitimitetin e protestës me akte të dhunshme, të panevojshme, pjesërisht gati donkishoteske.

Shumë njerëz me mendje të hapur për ta parë PD-në si rrugëdalje nga katrahura e qeverisjes socialiste, dje u zhgënjyen, u dëshpëruan. Disa ndoshta kanë menduar sërish se tashmë e vetmja rrugëzgjidhja për të ardhmen është braktisja e vendit. Sepse, dje ata panë të ardhmen dhe ajo nuk ju pëlqeu.

Lajme te ngjashme