Vendimi i qeverisë për t’i lënë komision DPT-së – Disa shpjegime

Vendimi i qeverisë për t’i lënë komision DPT-së – Disa shpjegime

Qeveria ka vendosur t’i lërë në përdorim Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) deri në dy përqind të të ardhurave tatimore të mbledhura prej saj.

Vendimi i qeverisë e le të hapur që fondi të jepet edhe nëse plani i mbledhjes së të ardhurave realizohet në mënyrë të pjesshme, nëse realizohet plani i disa muajve edhe pa e realizuar planin vjetor të të ardhurave.

Sipas vendimit të qeverisë, DPT mund t’i përdorë këto fonde për investime të nevojshme, për të mbështetur punën e strukturave të hetimit tatimor, si dhe për shpërblime stimuluese të punonjësve të administratës tatimore qendrore.

Me fjalë më të thjeshta, fondet do të përdoren nga DPT për investime në infrastrukturën e saj fizike apo në sistemet e menaxhimit; për shpërblime për dhënie informacioni apo për të paguar kundër subjekteve që bëjnë evazion fiskal, përfshi “spiunët” tatimorë; si dhe për të shpërblyer punonjësit e vetë drejtorisë, madje edhe kur ata nuk e realizojnë plotësisht planin vjetor.

Të paktën 2,4 miliardë lekë (rreth 17 milionë euro) në vit do të lihen në dispozicion të DPT-së për t’i shpenzuar për nevojat e saj – llogaritur në bazë të realizimit të pritshëm të të ardhurave nga administrata tatimore për vitin 2015 (parashikuar në rreth 120 miliardë lekë).

Numri i punonjësve të DPT që mund të përfitojnë shpërblime nga fondi i mësipërm është rreth 140 persona.

Është e vështirë të kuptohet arsyeja për t’i lënë në përdorim të DPT-së kaq shumë para buxhetore, veçanërisht kur një pjesë e tyre do të përdoret për shpërblime punonjësish pa qënë e nevojshme që ata të kenë përmbushur as standartin minimal të realizimit të planit vjetor të të ardhurave.

Krahasimet e mëposhtme japin një ide më të qartë mbi volumin e parave të  taksapaguesve që do lihen për përdorim nga DPT. Fondi prej vjetor prej 2,4 miliardë lekë është:

  • Më i lartë sesa fondi buxhetor i vitit të ardhshëm për shëndetësinë – 2,3 miliardë lekë janë parashikuar për shëndetësinë në Buxhetin 2016 (B2016).
  • Rreth 5 herë më i madh se sa fondi i nevojshëm për të blerë pajisje dialize për çdo spital të Shqipërisë (konçensionin e dializës, Kryeministri e justifikoi me mugesën e fondeve për të blerë pajisjet).
  • Më i lartë se sa fondi buxhetor i vitit të ardhshëm për punët e Brendëshme – 2,2 miliardë lekë janë parashikuar për punët e brendëshme në B2016.
  • Më i lartë se sa fondi buxhetor i vitit të ardhshëm për energjinë – rreth 2,3 miliardë lekë janë parashikuar për energjinë në B2016.
  • Pothuajse katër herë më i lartë se sa fondi buxhetor i vitit të ardhshëm për kulturën – rreth 640 milionë lekë janë parashikuar për kulturën në B2016.
  • Pothuajse gjashtë herë më i lartë se sa fondi buxhetor i vitit të ardhshëm për arsimin e lartë – rreth 420 milionë lekë janë parashikuar për kulturën në B2016.
  • Pothuajse gjashtë herë më i lartë se sa fondi buxhetor i vitit të ardhshëm për sportin – rreth 400 milionë lekë janë parashikuar për sportin në B2016, pjesa më e madhe për ndërtimin e, të ashtuquajturit, parku olimpik në Tiranë.

Lajme te ngjashme