PD: Saimir Tahiri, ministri më i inkriminuar në Ballkan

Partia Demokratike akuzoi sot Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri si ministrin më të inkriminuar në Ballkan. Ina Zhupa, zëdhënësja e PD-së, deklaroi se “megjithë skandalet që kanë ndodhur, me gjithë provat e faktet e përfshirjes së tij në trafik e lidhje me krimin, ai nuk ka mbajtur përgjegjësi dhe ka vazhduar t’i shërbejë bandave me postin e tij.”

Zonja Zhupa tha se ministri Tahiri ka shkelur  ligjin, “pasi shiti në të zezë taksinë e drogës, makinën e tij private dhe këtë shitje nuk e ka deklaruar.” Zoti Tahiri gjithashtu nuk ka pranuar të zbatojë një vendim gjykate, tjetër shkelje e rëndë e ligjit. Besimi i qytetarëve tek ministri i Brendshëm, shtoi zëdhënësja, është i minuar pasi ministri i shërben bandave të drogës dhe jo qytetarëve dhe ruajtjes së jetës.

Sipas Partisë Demokratike, të gjithë këto shkelje të ligjit, etikës e besimit duhet të ishin të mjaftueshme për largimin e ministrit Tahiri nga pozicioni dhe përballjen e tij me drejtësinë.

Lajme te ngjashme