Dyshimet mbi Hidrocentralin e Skavicës – Exit Shpjegon

Dyshimet mbi Hidrocentralin e Skavicës – Exit Shpjegon

Konteksti

  • Partia Demokratike akuzoi para pak ditësh qeverinë Rama se ka favorizuar në mënyrë klienteliste dy kompani turke të cilave iu ka dhënë konçesionin për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
  • Qeveria u përgjigj se, në më datën 23 dhjetor 2015, Këshilli i Ministrave ka miratuar hapjen e garës për dhënien më konçension të ndërtimit duke i dhënë dy kompanive turke një bonus prej 8 përqind në këtë garë për shkak se ato kishin paraqitur një propozim të pa kërkuar për ndërtimin. Gara do të zhvillohet në të ardhmen dhe fituesi do të dalë nga ky proçes.
  • Qeveria ka mbajtur të fshehtë dhe nuk ka publikuar as vendimin përkatës dhe asnjë të dhënë tjeter për propozimi i kompanive turke.

Faktet

  • Hidrocentrali i propozuar i Skavicës – në rrethin e Kukësit, mbi Drinin e Zi, midis qytetit të Kukësit dhe Peshkopisë – është hidrocentrali i fundit i planifikuar në rrjedhën e lumit Drin, dhe i pari për në rradhë në drejtimin e rrjedhjes. Ai është pjesë e së ashtuquajturës kaskadë e lumit Drin—digat e ndërtuara njëra pas tjetrës—ku bëjnë pjesë digat e Komanit, Fierzës, Vaut të Dejës dhe Ashtës. Hidrocentrali është ideuar që në vitet 1950-të dhe për të janë hartuar një sërë projekt idesh, analiza treguesish e studime bëshmërie, por nuk është bërë asnjëherë një projekt teknik zbatimi.
  • Ndërtimi i hidrocentralit ka dy qëllime të rëndësishme. Së pari, prodhimin e energjisë elektrike. Në variantin minimal, hidrocentrali i Skavicës do jetë një ndër 5 hidrocentralet më të mëdhenj në vend dhe në variantin maksimal hidrocentrali i tretë më i madh në vend. Së dyti dhe ndoshta më e rëndësishmja, liqeni i Skavicës, që do të krijohet, do të shërbejë si rregullator për të gjitha liqenet në kaskadën e Drinit duke stabilizuar kështu prurjet e ujit në këto liqene e për rrjedhojë edhe prodhimin e vazhdueshëm të energjisë në to. Ky rregullim do të shmangë, gjithashtu, përmbytjet e vazhdueshme në zonën e nën Shkodrës qeë vine4 nga mbimbushja e shkarkimi i liqeneve të Vaut të Dejës dhe Fierzës.
  • Ekzistojnë tre projekt-ide të ndryshme për zgjidhjen teknike dhe kapacitetin e hidrocentralit. Në variantin maksimal parashikohet që liqeni, që do të krijohet nga ndërtimi i një dige të lartë mbi 210 metra, do të shtrihet edhe në territorin e Maqedonisë dhe për këtë duhet marrëveshje shtetërore me të. Në këtë variant hidrocentrali mund të prodhojë deri në 450 MW ose rreth 20-30 për qind të prodhimit të tanishëm të vendit. Në variantin minimal parashikohet një digë rreth 60 metra e lartë dhe një liqen më i vogël, i gjithi brenda territorit të vendit, dhe dy hidrocentrale me kapacitet total jo më shumë se 200 MW. Ky variant i fundit ka kufizime në aftësinë rregullatore të liqenit për kaskadën e Drinit.
  • Investimi, në varësi të variantit që do zgjidhet, mund të shkojë nga afërsisht 500 milionë euro, në variantin minimal, në mbi 1,1 miliardë euro, në variantin maksimal.
  • Në vitin 2008, Qeveria Berisha organizoi një tender ndërkombëtar për ndërtimin me konçension të hidrocentralit. Në tendër u paraqitën 6 oferta dhe fitues u shpall një konsorcium italian, TGK, i cili më pas u tërhoq. Pas këtoij deështimi qeveria vendosi ndërtimin e hidrocentralit nga vetë KESH. Megjithatë, deri tani nuk ishte  bërë ndonjë hap konkret në këtë drejtim.

 Dyshimet mbi proçes të parregullt kontraktimi

  • Është e pa qartë se çfarë propozimi kanë paraqitur dy kompanitë turke dhe se cilin nga variantet e zhvillimit kanë zgjedhur, pasi qeveria nuk ka bërë asgjë publike.
  • Në një vështrim të parë, në këtë fazë ku jemi asnjë lloj propozimi nuk mund të trajtohet më si propozim i pakërkuar, pasi qeveria ka kërkuar ndërtimin e tij përmes një tenderi ndërkombëtar për të cilin ka patur terma të qarta reference dhe udhëzime teknike të hartuara nga qeveria.
  • Dhënia e një bonusi prej 8 për qind është shumë e dyshimtë dhe nuk dihet se mbi ç’bazë është dhën ky bonus. I vetmi justifikim për një bonus të tillë është kur ai mund të të jepet vetëm në rastin kur propozuesi ka hartuar projektin e plotë teknik, që pak gjasa ka të jetë e vërtetë në këtë rast.

Koment i fundit

Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të kishte një rëndësi për ekonominë dhe shoqërinë shumë më të madhe se sa Rruga e Kombit, Hidrocentrali i Devollit apo TAP. Ky investim do të ishte investimi i parë serioz në ekonomi dhe në infrastrukturë i realizuar nga qeveria Rama.

Atëherë pse duhet të bëhet në fshehtësi?

 

Lajme te ngjashme