Lufta e Kryeministrit Rama për të diskredituar akuzat ndaj tij – Koment

Nga Besa Rehova
Lufta e Kryeministrit Rama për të diskredituar akuzat ndaj tij – Koment

Ndërsa imazhi dhe reputacioni i qeverisë është në rënie të lirë, për shkak të skandaleve dhe afërave të vazhdueshme klienteliste, Kryeministri Rama dhe njerëzit afër tij po përpiqen të gjejnë mënyra si të minimizojnë apo kontrollojnë dëmet që korrupsioni po i sjell në imazhit të tij publik, brenda e jashtë vendit.

Pas dështimit të përpjekjeve për sqarime informueso-edukuese me anë të faqes transparenca.al dhe mbas dështimit të përpjekjes për të kriminalizuar me ligj kritikat duke i kategorizuar ato si shpifje, Kryeministri Rama ka filluar javët e fundit një fushatë “edukimi” të popullit për të luftuar “shfaqjet e këqia” që i cënojnë atij imazhin, veçanërisht marrjen me “thashetheme”.

Në deklarimet në publik, Zoti Rama dhe bashkëpunëtorë të tij kanë filluar të propogandojnë, në mënyrë të koordinuar, tezën e dëmeve dhe rreziqet që i sjellin shoqërisë dhe të ardhmes sonë dukuri negative të thashethemeve, shpifjeve, mosvlerësimit të punës, nxirjes së çdo gjëje, mosrespektimit të tjetrit, etj.

Si pjesë e kësaj propagande, Kryeministri po e portretizon veten dhe qeverinë si viktima të prapambetjes së shoqërisë sonë – viktima të mungesës së virtyteve dhe moralit të shoqërisë, mungesës së mirësisë njerëzore apo të asaj që, bashkëshortja e Kryeministrit, Linda Rama, e quajti një “lloj force të dobësisë njerëzore që të merr peng dhe të shkëput nga konteksti dhe realiteti ku jeton.”

Teza e hedhur direkt apo e nënkuptuar, në çdo rast, është e qartë: ndërsa Kryeministri dhe qeveria po e rilindin vendin duke bërë sakrifica e punë të mëdha, njerëzit në përgjithësi, por veçanërisht grupe të caktuara mes tyre, po bëhen pengesë për shkak të mungesës së vullnetit për të kuptuar dhe të mosmirënjohjes e vogëlsisë së tyre që i shtyjnë ata drejt thashethemeve, shtrembërimeve e shpifjeve.

Më poshtë janë disa shembuj të fushatës propagandistike kundër “thashethemeve” dhe “mosmirënjohejs” së popullit ndaj punës.

***

Më 12 tetor 2015, në pritjen e kombëtares mbas kualifikimit për në Euro 2016, Kryeministri Rama u shpreh:

“Miku im Salihi, tha atë natë, kur u takuam përpara nisjes Suaj në Armeni, “Mezi pres me fitu, se kam qejf me të pa kur t’ju thush qepeni gojën!”. Eh mor mik, gojët e shqepuna të atyne që nuk dinë ç’a është puna, nuk dinë ç’a janë mundimet për me arrit rezultate, nuk dinë ç’a duhet për me përballu kur stuhitë të prekin, teksa mundohesh të ngjitesh lart, nuk qepen kurrë.”

Më 16 dhjetor 2015, në një takim me mësues të dalluar nga i gjithë vendi, Kryeministri deklaroi:

“Dua të ndaj me ju shqetësimin për kulturën e kriminalizimit të njerëzve, të ideve, të vendimeve, të punëve, që në këtë vend identifikohen të gjitha së bashku me tjetrin dhe kur tjetri nuk na pëlqen, e sulmojmë me gjithsej, për të asgjësuar me çdo kusht idetë e tij, vendimet e tij, punën e tij… Por vërej me shqetësim të madh se sot, ky fenomen i ka prekur që të gjithë ata që kanë një zë dhe po godet përditë, përmes çdo zëri, veshët, mendjet, zemrat e gjithkujt që jeton në këtë vend, madje edhe të të huajve që gjenden në këtë vend.”

Më 19 dhjetor 2015, Kryeministri Rama e rimori temën gjatë fjalës në pritjen e përvitshme me trupin diplomatik:

“Kam shkëputur një thënie që më ka pëlqyer shumë, e një mendimtari të mençur, e cila e përshkruan më së miri atë që i shkakton shoqërisë, ajo që unë e quaj politika e kriminalizimit këtu në Shqipëri, por ajo që në tërësi mund të quhet si pamundësia e shoqërisë për t’u përballuar me thashethemet. “Një thashethem është një kancer shoqëror, është shumë e vështirë ta përmbash dhe mos lejosh që të ndryshkë trurin e njerëzve.” Sidoqoftë, rreziku real është që shumë njerëz i gjejnë thashethemet si diçka të gëzueshme. E kjo është pjesa që krijon edhe infeksionin dhe në këto raste, kur thashethemi është i gatshëm të bëhet i vërtetë, është absolutisht shumë e vështirë të kuptosh se ku fillon informacioni dhe ku mbaron thashethemi.”

Më 19 Dhjetor 2015, gjatë një darke me një grup gazetaresh, bashkëshortja e Kryeministrit, Linda Rama preku të njejtën temë, në dukje spontanisht si reflektim personal, duke thënë:

“Kam filluar të besoj se i gjithë humori i ditës së njerëzve në kafenenë e vogël tek rruga e punës time, ku pi prej 15 vitesh me të njëjtët miq kafenë time të mëngjesit, do të përcaktohet nga fakti se si janë gdhirë ata që sot janë të kudondodhur nëpër studio, blogje, gazeta. Madje ka filluar të ketë tanimë edhe profesorë me tituj të cilët shkruajnë në publik me fjalor ekstremisht banal dhe të padenjë. Universitarë, studentë e pedagogë, që dhunën verbale dhe shpërdorimin etik në komunikim me publikun i përdorin si armë thuajse ekskluzive, për t’u imponuar. Dekanë, rektorë e kolegë të tyre që i marrin në mbrojtje duke i imituar. Duke qenë plotësisht të shkujdesur ndaj faktit që misioni i parë dhe më sublime i cdo mësonjësi është të garantojë shoqërinë për vlerat dhe modelin që transmeton.”

Më 25 dhjetor 2015, Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj duke folur për aktivitet e fundvitit, u shpreh:

“Bashkia e Tiranës gjatë gjithë këtyre ditëve do të organizojë dreka, vaktet e festave, por unë besoj se secili prej nesh, më mirë se sa të jetë cinik, skeptik apo kritikues i gjërave që nuk shkojnë, mund të bëjë minimumin e vet.”

Më 26 dhjetor 2015, Kryeministri Rama i rikthye temës së thashethemeve në një video-selfie, urim për lexuesit e portalit newsbomb.al, kur në mënyrë ironike uroi:

“…sa më shumë lajme të mira, nuk mund t’ju them sa më pak thashetheme sepse pastaj s’do ishte Anila.”

Më datën 12 janar 2016, në emisionin Studio e Hapur, Kryeministri Rama doli përsëri kundër shpifjes:

“…ne jetojmë në një vend që ka një tufë parazitësh, se parazitë janë, që duan ta marrin për hunde këtë popull me gënjeshtra, me shpifje, me abuzime.”

Më datën 26 janar 2016, në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, i quajti përbaltje akuzat e medias për kurrupsion në konçensione:

“…dua të vë theksin në një aspekt, – besoj unë i rëndësishëm, – që për fat të keq dhe për arsye që nuk është vendi për t’i shtjelluar, po paragjykohet dhe po keqgjykohet në shumë raste nga komentatorët e medias, që ka të bëjë me partneritetin publik-privat, ose siç thuhet në gjuhën e rëndomtë të ditës për lehtësi manipulimi dhe përbaltjeje, me konçesionet.”

Lajme te ngjashme