Në cilën botë jeton Ministrja Nikolla?

Në cilën botë jeton Ministrja Nikolla?

Fillimi i 2016-ës nxorri në pah një panoramë të trishtë të kushteve ku shkollohen fëmijët e vendit. Mjaftuan dy ditë reshje të dendura, që mijëra nxënës e studentë anemabanë vendit të mbeteshin pa mësim.

Në zonën e Kombinatit në Tiranë, rreth 50 nxënës u evakuan nga një shkollë që u përmbyt.

Për dy ditë, nxënësit e shkollave të mesme në Peshkopi mbeten të bllokuar nga shiu në ambjentet e ftohta e në rrezik përmbytjeje të shkollave. Nxënësit e shkollave 9-vjeçare të po këtij qyteti, nuk zhvilluan mësim, për shkak të dëmtimeve jo vetëm të rrugëve, por dhe të shkollave pothuaj të rrënuara.

Në Gramsh, dëmtimi i argjinaturës mbi lumin Gribë dëmtoi urën e Kukurit që lidh gjashtë fshatra me qytetin. Nxënësit më të guximshëm të këtyre fshatrave u përpoqën të kalonin lumin me mjete rrethanore duke rrezikuar jetën. Pjesa më e madhe e tyre e kanë ende të pamundur të shkojnë rregullisht në shkollë, deri sa ura e shembur të rregullohet dhe nxënësit të mos duhet të luftojnë me rrjedhën e furishme të lumit për të arritur në shkollë.

Me dhjetra shkolla të tjera në të gjithë vendin nuk zhvilluan mësim për ditë të tëra, këtë fillim viti, për shkak të mungesës së ngrohjes.

Por sikur të mos kishte ndodhur asgjë nga këto, para disa ditësh Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla zgjodhi të vizitojë nxënësit e shkollës së mesme Sami Frashëri në Tiranë, për t’ju prezantuar një aplikacion celulari, me anë të të cilit prindërit mund të kontrollojnë frekuentimin e shkollës nga fëmijët e tyre.

Me këtë rast, ajo u shpreh se kjo “mrekulli” teknologjike u bë e mundur vetëm në sajë të kujdesit dhe investimeve serioze të qeverisë në arsim.

Çfarë ajo nuk tha, por nënkuptohet, është se për të përdorur aplikacionin prindërit duhet të kenë celular të teknologjisë së fundit, kurse shkollat duhet të kenë kompjutera dhe internet. Shumica e prindërve e shkollave nuk i kanë këto.

Prindërit e nxënësve të shkollës Sami Frashëri do të jenë të parët që do ta përdorin këtë aplikacion. Të parët por edhe të paktit. Prindërit në shumë qytete të tjera e dinë me siguri që i kanë fëmijët në shtëpi, se nuk shkojnë dot në shkollë nga rreziku i përmbytjeve.

Në ç’botë jeton vallë Ministrja Nikolla?

Lajme te ngjashme