SKAVICA – sipas standardit “Qeveri e Mirë a Qeveri e Keqe”

Nga Geri Selenica
SKAVICA – sipas standardit  “Qeveri e Mirë a Qeveri e Keqe”

Ministrin e Industrisë dhe Energjisë Damian Gjiknuri e kam njohur në raporte pune dhe për të ruaj mbresën e një zyrtari mendjehapur dhe serioz. Por, deklaratat e tij në lidhje me veprën hidroenergjitike të Skavicës janë zhgënjuese.

Unë mendoj se në lidhje me projektin e Skavicës, ai thjesht përcjell mendimin e arkitekteve të shkatërrimit të saj Kryeminsitrit Rama dhe Ministrit Ahmetaj. Kjo bindje më përforcohet nga fakti që kam informacione se nëse nuk do të ishte rezistenca e Ministrit Gjiknuri dhe specialistëve të minsitrisë së tij, dyshja Rama-Ahmetaj do ta kishte copëtuar Drinin e Zi në shumë HEC-e të vegjël për t’ja u dhënë me konçension klientëve të shumtë të tyre.

Më datën 21.1.2016, Ministri Gjiknuri deklaroi në Kuvend:

“Për Skavicën … ka një standard ndërkombëtar, që quhet “Digat e Mira e Digat e Këqija”. Këto projekte mund t’i bësh në Kinë apo në vende të tjera, që shteti ka tokën dhe nuk e shpronësonte fare, se e quante të tijën dhe janë vende kryesisht diktatoriale, që nuk pyesin fare për të drejta pronësore dhe nuk ka asnjë institucion financiar, që të financon projektin, kur ke shpronësime të tilla dhe kur ka kundërshtim për shpronësimet.”

Në thelb, deklarata e tij mund të përmblidhet në tre pika:

  • Projekti i Skavicës së Madhe është jashtë standardeve, pasi përmbyt rreth 20 përqind të sipërfaqes së Dibrës;
  • Kostoja e shpronësimit është aq e madhe sa nuk ka institucion që e financon;
  • Vepra të tilla të mëdha mund të bëhen në vende diktatoriale e jo vende “me demokraci të zhvilluar si Shqipëria”, pasi në ato vende shteti shpronëson me forcë dhe pa patur nevojë të kompensojë.

Deklarata e Ministrit Gjiknuri është e pavërtetë si në nivelin ndërkombëtar, ashtu edhe në rastin konkret. Vepra të mëdha infrastrukturore, përfshi hidro-energjitike, me ndikime të mëdha sociale dhe mjedisore ndërtohen kudo në botë, veçanërisht në vende demokratike. Investitorët, qofshin shtetërorë apo privatë, kompensojnë gjithë ndikimet negative sociale dhe mjedisore.

Kjo praktikë është normale edhe në vendin tonë dhe është duke u zbatuar me sukses në rastin e ndërtimit të hidrocentralit të Devollit, ku investitori—kompania publike norvegjeze Statcraft—ka marrë përsipër dhe po paguan gjithë kostot sociale dhe mjedisore, përfshi koston e shpronësimit të popullsisë.

Edhe në rastin konkret të Skavicës së Madhe, qeveria shqiptare ka marrë oferta konkrete dhe të detajuara për investim që përfshijnë koston e shpronësimit të popullsisë.

Ministri Gjiknuri, duhet të bëjë publike katër ofertat për financimin e Skavicës së Madhe, si më poshtë:

  1. Ofertën e datës 30.10.2014 të PowerChina—kompania më e madhe e hidroenergjisë në botë, që zotëron 53 përqind të tregut botëror, e cila është fatmirësisht edhe kompania që ka ndërtuar hidrocentralet e tjera të lumit Drin në vitet 1970-80-të. Propozimi, që parashikon një investim prej rreth 1 miliardë euro, parashikon ndërtimin e veprës hidro-ergjitike të Skavicës dhe shfrytëzimin nga investitori për 15 vjet—për të shlyer investimin—dhe pastaj dorëzimin e saj tek KESH, që do ishte që në fillim pronar i saj.
  1. Ofertën e e vitit 2014 të finacimit të projektit nga kompania e dytë energjitike më e madhe kineze, GeZhouBa.
  1. Ofertën e vitit 2014 të financimit nga grup industrial NORINCO, që ju propozoi financimin e plotë të veprës, me një kredi të butë 35 vjeçare, 7 vjet periudhë papagesë dhe në vazhdim 2 përqind interes në vit interes. Është një ofertë që mund ta ofrojnë vetëm institucionet donator dhe plotësisht e përballueshme nga vetë KESH.
  1. Propozimin e vitit 2012 mbi modelin e financimit të Skavicës së Madhe nga kompania gjermane “Becker Büttner Held”.

Publiku kërkon që në vend të slloganeve të përgjithshme dhe informacioneve të pjesshme, qeveria shqiptare të shpjegojë pse nuk i ka pranuar këto propozime. Gjithashtu, duhet të shpjegojë pse i ka injoruar plotësisht propozuesit dhe nuk u ka kthyer asnjë lloj përgjigje, qoftë edhe për për të dëshmuar seriozitet dhe etikë në qeverisje, që është e domosdoshme për të ruajtur imazhin e mirë të vendit në komunitetin ndërkombëtar të biznesit.

Mbajtja e fshehur nga publiku e këtyre dokumentave dhe informacioneve është jo vetëm mungesë transparence, por edhe tregues që fshehja mund të jetë bërë për të mundësuar favorizime klienteliste.

Në mënyrë ironike, fshehja e informacioneve dhe marrja e vendimeve në mënyrë të fshehtë është tipar i qeverive diktatoriale, që Ministri Gjiknuri mundohet t’i shohë në vende të tjera.

Në fakt, argumentat e rrugëzgjidhjeve “antidiktatoriale” e “demokratike” që ofron Minisitri mund të jenë gjetje të “konsulentëve politike” për të mbuluar aferat, gjithnjë e më anti-kombëtare, të dyshes Rama-Ahmetaj, por ato janë shumë bajate për publikun.

Ekspertët vendas e të huaj e kanë të qartë se projekti energjitik i Katundit të Ri(lindur) Rama-Ahmetaj, shkatërron përfundimisht rezervën më të madhe hidroenergjitike kombëtare, duke dobësuar potencialin energjitik dhe ulur efiçencën e gjithë kaskadës së Drinit. Mbi të gjitha, ajo e vendos KESH-in në një sanduiç mes dy privatëve, duke e bërë të pa menaxhueshme kaskadën e Drinit, kur interesi publik e do që Skavica të jetë vetëm pronë e KESH-it. Pse nuk bëni një dëgjesë publike me ekspertët e fushës?

Projekti energjitik i Katundit të Ri është kundër interesit publik, është një krim inxhinierik dhe ekonomik me përmasat të rënda kombëtare, është një zgjidhje me prapasakenë të pastër klienteliste.

Marrja e një vendimi të tillë, në fshehtësi të plotë, pa konsultime dhe pjesëmarrje në vendim-marrje e palëve të interesuara, përfshi popullsinë e zonave që do të përmbyten, është, pikërisht, veprim tipik i regjimeve autokratike apo diktatoriale. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për standardin “Digë e Mirë a Digë e Keqe”, por me “Qeveri e Mirë a Qeveri e Keqe”.

Është, gjithashtu një rast tipik që dëshmon se klientelizmi, korrupsioni dhe pushteti i pakufizuar kanë pasoja shkatërruese për vende e kombe.

 

Shkrime të lidhura:

SKAVICA: tradhëti kombëtare (ose rënia e shkencës dhe sundimi i pseudoartit)

 

Lajme te ngjashme