Degradimi i punonjësit publik në shërbëtor mediatik – Koment

Degradimi i punonjësit publik në shërbëtor mediatik – Koment

Një apartament u përfshi në flakë, të martën në mbrëmje, në Tiranë.

Zjarrfikësit, e njoftuar menjëherë, arritën vetëm pas 40 minutash, edhe pse reparti i tyre ndodhej pranë vendngjarjes. Ndërkohë, banorët kishin transportuar për në spital familjarët e dëmtuar. Fatkeqësisht, fëmijë 4-vjeçar i famijes humbi jetën, pasi nuk u nxorr dot nga apartamenti. Nga ballkoni i shtëpisë, ai thirri për ndihmë në mënyrë të dëshpëruar por askush nuk mundi ta ndihmonte dot.

Por ndërsa zjarrfikësit ishin ende duke shuar zjarrin, Drejtori i Shërbimit të Zjarrfikësve të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, zgjodhi të raportonte, për minuta të tëra, direkt ngjarjen për kanalin Report TV.

Pa ndjerë përgjegjësi për ardhjen me vonesë dhe punën e ngathët të zjarrfikësave, në dukje i patrazuar nga tragjedia që po ndodhte, ai fliste nga telefoni për televizionin, sikur të ishte gazetar kronike. Madje njoftoi direkt në tv humbjen e jetës së fëmijës 4-vjeçar.

Në ato momente, drejtori duhet të ishte në krye të detyrës, në shërbim të qytetarëve. Ai ndoshta duhet të ishte duke drejtuar punonjësit e tij që po shuanin flakët, ndoshta do të duhej të ishte duke qetësuar qytetarët e tmerruar, ndoshta do të duhej të ishte duke koordinuar apo ndihmuar policinë, a çfarëdo qoftë detyra e tij në këto raste.

Por ai i shpërfilli këto detyrime dhe u vu i tëri në shërbim të një televizioni, duke raportuar përmes telefonit, që ndoshta në ato momente mund të duhej për të pritur thirrje më të rëndësishme në lidhje me situatën që zhvillohej.

Histori si kjo përsëriten çdo ditë në Shqipëri. Televizionet e panumërta i venë në rrjesht punonjësit e shtetit duke i përdorur ata si reporterë të zakonshëm të tyre. Policë, mjekë, zjarrfikësa, hetues, prokurorë, drejtues të administratës, deputetë, ministra e me rradhë vihen përditë në shërbim të mediave që duan të mbushin transmetimet e tyre për audiencë. Pa asnjë profesionalizëm, pa asnjë standart etike, shërbëtorët e popullit raportojnë si shërbëtorë të mediave, duke harruar apo neglizhuar krejtësisht detyrat dhe detyrimet e tyre ndaj publikut.

Mbrëmjeve, të njejtët mbushin çantat me dosje e informacione zyrtare dhe rendin drejt studiove televizive për t’ju shërbyer tashmë programeve të përnatshme mediokre të debateve. Nëse nuk munden të jenë në studio, vihen në dispozicion me orë të tëra përmes telefonit.

E bëjnë këtë gjë pa asnjë përfillje për dinjitetin, të drejtat dhe ndjenjat e njerëzve të përfshirë. E bëjnë këtë në shpërfillje të plotë të çdo ligji të mundur — që nga ligjet për administrimin e dokumentave zyrtare apo të drejtës së privatësisë e deri tek kodet e etikës.

Të gjitha institucionet ku ata punojnë apo drejtojnë kanë zëdhënës, të cilët duhet të dalin para mediave dhe të informojnë publikun, në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme. Por, servilizmi i drejtuesve të tyre ndaj mediave, ndjenja e protagonizmit e prirja për t’u dukur dhe, shpesh, mediokriteti profesional e njerëzor, triumfojnë mbi interesin publik.

Lajme te ngjashme