Loja e rrezikshme e Shqipërisë me muxhahedinët iranianë

Loja e rrezikshme e Shqipërisë me muxhahedinët iranianë

Shqipëria është vendi kryesor në botë ku po strehohen anëtarët e organizatës Muxhahedinët Popullorë të Iranit (MEK)—e cila konsiderohej, deri pak vitesh, organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore.

Sipas burimeve iraniane, më datën 6 shkurt 2016 në Shqipëri mbërritën, nga kampi i tyre në Irak, 22 muxhahedinë, duke e çuar numrin total të muxhahedinëve të strehuar deri tani në vendin tonë në rreth 750. Ky numër përbën rreth 70 për qind të gjithë muxhahedinëve të MEK-ut të strehuar në vende të treta me ndërmjetësimin e SHBA-ve.

Vendosja e tyre në Shqipëri filloi në vitin 2013, pas pranimit nga ish Kryeministri Sali Berisha të kërkesës së qeverisë amerikane për të pritur rreth 210 muxhahedinë, të cilët qeveria amerikane duhet të shpërngulte nga baza e saj ushtarake në Irak, pas tërheqjes nga ky vend.

Në vitin 2014, Kryeministri Edi Rama pranoi strehimin e qindra muxhahedinëve të tjerë, të cilët kanë mbërritur në vazhdimësi që atëherë në grupe të ndryshme.

Vendimet e qeverive Berisha dhe Rama për pranimin e muxhahedinëve nuk janë bërë asnjëherë publike, prandaj informacioni rreth tyre është minimal—nuk dihet numri total i muxhahedinëve që qeveria jonë ka pranuar të strehojë, nuk dihen kushtet e pranimit dhe statusi që ata do të gëzojnë, nuk dihet vendndodhja dhe kushtet në të cilat ata jetojnë.

Media të ndryshme botërore kanë deklaruar, vitet e fundit, se Shqipëria ka rënë dakord të pranojë një numër të madh muxhahedinësh, që burime të ndryshmë e vlerësojnë nga 1 mijë deri në mbi 2 mijë, nga rreth 3100 muxhahedinë që duhet të shpërngulen në total.

Burime të ndryshme iraniane, kredibiliteti i të cilëve është i vështirë të verifikohet, kanë pretenduar, herë pas here, se Shqipëria do të jetë baza kryesore e muxhahedinëve, të cilëve u është premtuar këtu një terren i përshtatshëm për të ndërtuar një kamp banimi , ku të mund të zhvillojnë jetën e tyre sociale dhe ekonomike.

Çfarë janë muhaxhedinët iranianë

Organizata e Muxhahedinëve Popullore të Iranit është një lëvizje që vepron në emigrim, kryesisht në Irak, për rrëzimin e regjimit aktual në Iran. Ajo u krijua në fillim të viteve 1960-të si lëvizje proteste kundër regjimit të Shahut të Iranit.

MEK ishte ndër nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili rrëzoi regjimin e Shahut. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, që hasi kundërshtinë e ashpër të MEK-ut që ishte kundër autokracisë islamike. Si pasojë, regjimi Iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin.

Shumica e tyre u mirëpritën në Irak nga Sadam Huseini, i cili i ofroi organizatës një territor të pazhvilluar pranë kufirit me Iranin. MEK-u e shndërroi territorin në një qendër me infrastukturë moderne dhe ekonomi të zhvilluar që u njoh si Qyteti Ashraf.

Në Ashraf, MEK iu përkushtua përgatitjes ushtarake të anëtarëve të saj duke u shndërruar në grupin më të madh dhe më të fuqishëm militant kundër regjimit iranian, i cili zhvilloi, për më shumë se dy dekada, një veprimtari intensive terroriste për rrëzimin e qeverisë iraniane. MEK, njëkohësisht, bashkëpunoi ngushtësisht me regjimin e Sadam Huseinit, si gjatë luftës Irak-Iran edhe pas saj.

Për shkak të aktivitetit të saj, MEK ka qenë njohur zyrtarisht si organizatë terroriste nga shumë qeveri perëndimore, përfshi atë të SHBA-ve.

Gjatë operacionit ushtarak për rrëzimin e Sadam Huseinit, forcat e koalicionit bombarduan edhe Qytetin Ashraf të cilin e konsideronin bazë terroriste.

Mbas pushtimit të Irakut, forcat amerikane dhe muxhahedinët negociuan një pakt paqeje, në bazë të të cilit muxhahedinët dorëzuan armët dhe premtuan t’i ktheheshin jetesës paqësore civile. Si rezultat, rreth 3 mijë muxhahedinëve të Ashrafit iu dha statusi i civilëve të mbrojtur nën Konventën e Gjenevës dhe ushtria amerikane mori përsipër sigurinë e Qytetit të Ashrafit.

Në vitin 2009, ushtria amerikane ia kaloi kontrollin e Ashrafit qeverisë irakiane, e cila premtoi trajtimin njerëzor të tyre. Pavarësisht premtimit, forcat irakiane ndërhynë brutalisht në Ashraf me qëllim vendosjen e kontrollit të tyre policor në zonë, veprime që hasën rezistencë nga muxhahedinët. Konfliktet çuan në dhunë të armatosur që shkaktoi dhjetra viktima mes muxhahedinëve. Qeveria irakiane filloi persekutimin sistematik të tyre dhe dhunë sistematike për t’i detyruar muxhahedinët të largoheshin nga Iraku.

Këto veprime ngallën reagimin e organizatave ndërkombëtare humanitare, nën presionin e të cilave qeveria amerikane i mori në mbrojtje muxhahedinët duke i strehuar në Kampin Liberty të ushtrisë amerikanë në Baghdad.

Bashkë me tërheqjen e amerikanëve nga Iraku lindi nevoja e gjetjes së një zgjidhje të problemit të muxhahedinëve. Për këtë arsye, në vitin 2012, qeveria amerikane e hoqi organizatën nga lista e organizatave terroriste, dhe filloi të kërkonte mundësi për sistemimin e tyre në vende të ndryshme të botës.

Paralajmërime për rrezikun e moxhahedinëve

Në vitin 2012, ish Kryeministri Sali Berisha pranoi kërkesën e SHBA-ve për të strehuar në Shqipëri rreth 210 muxhahedinë. Të njejtin qëndrim mbajti më pas edhe Kryeministri Rama, pas ardhjes në pushtet.

Në korrik të 2013, mbërritën në Aeroportin e Rinasit muxhahedinët e parë. Që atëhere, mendohet se në Shqipëri kanë ardhur të paktën 750 muxhahedinë, ose rreth 70 përqind e gjithë muxhahedinëve të shpërngulur nga Iraku deri më tani — nga 3100 muxhahedinë gjithsej, deri tani janë shpërngulur rreth 1100.

Në Shqipëri, ata janë vendosur në një kamp, vendndodhja e saktë e të cilit nuk dihet. Sipas një ish anëtari të këtij grupi, kampi është i vendosur në Tiranë, diku afër autostradës Tiranë-Durrës, dhe quhet “Kampi 49”. Kampi ruhet nga policia shqiptare, dhe në të nuk lejohet hyrja e askujt përveç personave të autorizuar nga udhëheqësit e kampit.

Në prill të vitit 2014, Ministria e Brendshme bëri të ditur se do të nisë proçedurat për dhënien e azilit shqiptar muxhahedinëve të ardhur në Shqipëri, duke proçeduar sipas datës se ardhjes së tyre ne vendin tonë.

Vendimet e qeverisë shqiptare për pranimin e muxhahedinëve duket se kanë qenë të guximshme.

Përfshirja e muxhahedinëve për vite të tëra në aktivitete terroriste, mbështetja që ata i kanë dhënë diktaturës së Sadamit, rrezikshmëria për shkak të aftësitë ushtarake të fituara prej shumë nga ta, idetë radikale, organizimi i tyre autokratik bazuar në kultin e personalitetit, dhe, në pergjithësi, perceptimi si një grup i rrezikshëm, i paparashikueshëm dhe i pakontrollueshëm kanë qenë arsyet që shumë shtete kanë refuzuar të pranojnë muxhahedinë iranianë. Shumë vende perëndimore e konsiderojnë ende MEK-un organizatë terroriste.

Për këto arsye, vendimi i Shqipërisë ngjalli habi dhe tërhoqi paralajmërime mbi pasojat e rrezikshme që ai mund të sjellë.

Interlink, një organizatë e ish-anëtarëve të larguar nga MEK, ka paralajmëruar disa herë publikisht qeverinë shqiptare se moxhahedinët do ta kenë të thjeshë të rekrutojnë dhe të ngrejnë baza të tjera në një vend si Shqipëria ku krimi i organizuar dhe varfëria janë në nivele te larta.

Në shtator të 2013 një grup ish-anëtarësh muxhahedinësh i dërgoi Ministrit Tahiri një lëtër ku i kërkohej ndihmë duke e paralajmëruar atë për çka po ndodh në kampin e muxhahedinëve në Shqipëri. Në letër pretendohej se MEK, përveç anëtarëve të thjeshtë, ka dërguar në Shqipëri edhe udhëheqës të rëndësishëm të grupit me qëllim kontollin e anëtarëve dhe mos lejimin e largimit nga grupi të askujt që mund të dëshirojë të fillojë një jetë të pavarur.

Në shtator të 2014, një grup ish anëtarësh të MEK të organizuar në Shoqatën Setaregan në Zvicër, i dërguan një letër deputetit Pandeli Majko, në të cilën shpjegonin se grupi funksionon si një sekt i organizuar rreth kultit të individit të liderëve të tij. Ata pretendonin se liderët e grupit, bashkëshortët Massoud dhe Maryam Rajavi, janë diktatorë brutalë që u kanë hequr anëtërave liritë më bazike, përfshi kontaktin dhe marrëdhënien me familjet e tyre.

Shoqata të ndryshme për të drejtat e njeriut kanë raportuar për shkeljen e të drejtave bazike të njeriut në kampin e Tiranës dhe se udhëheqësit e grupit dhunojnë fizikisht dhe psikoligjikisht anëtarët të cilët dëshironin të largoheshin prej tij. Qeverisë shqiptare u është bërë thirrje dhe kërkuar ndihmë disa herë për këto ngjarje.

Në shkurt 2015 Mohammad Razaghi, një ish anëtar i grupit MEK i ka dërguar një letër ambasadorit shqiptar në Paris Dritan Tola. Ai është shprehur se disa nga torturuesit më të njohur të ushtrisë private të Saddam Huseinit, përfshi Hassan Ezatin (i njohur si Nariman), Mokhtar Janat Sadeghi (i njohur si Mokhtar) dhe Hooshang Doodkani janë strehuar në Shqipëri. Këta persona po përdorin ekspertizën e tyre për të nënshtruar residentët e tjerë të kampit dhe të rekrutojnë edhe pjestarë të rinj në kultin e tyre.

Në prill 2015, një media Iraniane pretendonte se disa nga udhëheqësit më të rëndësishëm, operativë të mirë trajnuar dhe të pamëshirshëm të inteligjencës së Sadam Huseinit, janë strehuar në Shqipëri duke përdorur dokumenta fallco. Objektivi i tyre është të nënshtrojnë ose zhdukin anëtarët e grupit të cilët nuk u binden urdhërave të udhëheqësve. Prania dhe përpjekjet e tyre, sipas disa mediave iraniane, dëshmojnë se MEK po përgatitet të sjellë në Shqipëri dy udhëheqësit kryesorë, bashkëshortët Rajavi.

Në Qershor të 2015, disa media irakiane raportuan se MEK po blinte ose kishte blerë prona në Shqipëri për të krjuar një kamp të ngjashëm me atë që kishin dikur në Irak. Sipas tyre, një kamp i tillë mund të shndërrohet në bazë për stërvitjen e organizatave të ndryshme terroriste.

Lajme te ngjashme