Ministrja Kodheli thyen heshtjen e qeverisë me gënjeshtra

Ministrja Kodheli thyen heshtjen e qeverisë me gënjeshtra

Gjatë një bisede televizive, në lidhje me vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry dhe çështjen e muxhahedinëve iranianë, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi:

“Ju siguroj se në takimin e sotëm nuk është prekur fare kjo temë. Kishte tema shumë më të rëndësishme për t’u cekur dhe kështu ndodhi. Nuk besoj se është në interesin e publikut të dijë se 10 apo 15 njerëz të një përkatësie tjetër të vijnë në Shqipëri. Nuk cënohet siguria për 50 njerëz paqësorë që largohen nga vendi i tyre, pasi nuk mund të jetojnë.”

Ndërsa deri më tani qeveria ka heshtur në lidhje me çështjen e muxhahedinëve, Ministrja Kodheli ka zgjedhur të keqinformojë dhe mashtrojë publikun.

Së pari, Departamenti i Shtetit ka konfirmuar se qëllimi i vizitës së Sekretarit Kerry në Shqipëri ishte pikërisht të falenderonte shtetin shqiptar për strehimin e muxhahedinëve. Është absurde të besohet ajo që thotë Ministrja Kodheli se Sekretari Kerry paska ardhur për të falenderuar, por ka harruar të falenderojë duke mos e “prekur fare këtë temë.”

Së dyti, nuk bëhet fjalë për 10, 15 apo 50 njerëz siç pretendon Ministrja, por për tre mijë persona. Për të ndihmuar Ministren se sa i madh është ky numër, mjafton t’i kujtohet se SHBA-të, me popullsi 340 milionë banorë dhe me ekonomi 1500 herë më të madhe se Shqipëria, kanë pranuar deri tani vetëm 1 500 refugjatë sirianë.

Së treti, nuk bëhet fjalë për njerëz domsodoshmërisht paqësore, siç pretendon ministrja. Muxhahedinët mund të jenë reformuar dhe të jenë bërë njerëz paqësore këto vitet e fundit, por fakti mbetet se ata janë, më së shumti, njerëz të stërvitur ushtarakisht dhe ideologjikisht për të luftuar përmes akteve terroriste. Deri në vitin 2012 vetë SHBA-të i konsideronin ata terroristë. Rrezikshmëria e tyre potenciale është arseyja pse, me përjashtim të Shqipërisë, të gjitha vendet e tjera të botës refuzuan t’i pranojnë. Të pretendosh, si Ministrja, që ata nuk cënojnë sigurinë e vendit, do të thotë që të gjitha qeveritë perendimore që i refuzuan janë ose idiote ose të pandjeshme.

Së katërti, ata nuk janë duke u larguar nga vendi tyre që është Irani, por nga Iraku, i cili nuk dëshiron t’i mbajë pasi i konsideron të rrezikshëm. Vetë Irani nuk i pranon, pasi ata kanë kryer akte të vazhdueshme terroriste për dekada të tëra kundër qeverisë së Iranit, duke shkatuar qindra viktima.

Së fundmi dhe ndoshta më e rëndësishmja, ministrja dhe qeveria e kanë për detyrë të informojnë dhe japin llogari për publikun. Regjimet autokratike veprojnë duke injoruar vullnetin e popullit dhe duke e zëvendësuar atë më vullnetin e autokratit. Në demokraci është në interesin publik çdo vendim i qeverisë, pasi qeveria është në shërbim të popullit dhe vepron në emër të popullit.

Lajme te ngjashme