Për shokët e mi të gjimnazit që sot na qeverisin

Nga Anxhela Çikopano
Për shokët e mi të gjimnazit që sot na qeverisin

Më vjen turp nga qeverisja që më përfaqëson, sinqerisht, sot më shumë se kurrë!

Kur më qeveriste Nano më vinte ndot se fliste, në emër të shqiptarëve, me prepotencën e një mafiozi të zgjuar e me njërën vetull ngritur mënjanë, se natyrisht kishte zgjedhur rrugën më të lehtë për synimet e tij.

Sa herë ka qeverisur Berisha, më vinte krupë e frikë. Në kohën e tij shkruhej me pseudonime se Sala të vret për armë, për konçesione, për karrige, për ç’të jetë.

Tani kemi një tjetër brez, me Edin në krye. Me Edin që ngjalli shpresa dhe i shuajti që në tre muajt e parë të qeverisjes me armët kimike. Ia qava hallin dikur. U përpoqa edhe ta mirëkuptoj për armët kimike se, domosdo, erdhi pas Saliut që i vuri flakën Shqipërisë sa herë që e mori. Mirëpo ja që s’paskësh qenë fare kështu.

“Gezi Park” e quajti një miku im protestën e sotme për pemët dhe dhunën e ushtruar nga policia. Është saktësisht ashtu. Është kundër arrogancës së vazhdueshme që qeverisja e të gjitha niveleve po tregon ndaj nesh.

Të sqarohemi që në fillim—unë e dua shtetin, e dua ligjin, e dua rendin, e dua garën e barabartë. Mbase dukem idiote, por i dua.

Ama nuk dua të paguaj taksa dhe të mos i shoh në arsim, në mjekësi, në parqe, në biblioteka, në hapësira publike. Nuk dua të mos më pyesin kur duan të më varrosin lëndë kimike në tokë e në ujë; kur më presin pemët; kur më falimentojnë; kur më japin me konçesion lumenjtë, duke shkatërruar turizmin, bujqësinë, detin; kur më plaçkisin si kusarë. Dhe nuk do t’i lejoj të ma bëjnë jetën ferr më shumë nga ç’na e kanë bërë.

Po sot më vjen turp se në krye të shtetit dhe të opozitës janë shokët e mi të gjimnazit. Ua fala makutërinë brezit të shkuar, se ishin barktharë nga koha e Enverit. Po të shoh në krye të vendit shokët e mi të shkollës, që sillen me të tillë arrogancë është e frikshme!

Të dashur shokë qeverisës! Ata që po rrënoni janë shokët e brezit tuaj: ne po hapim sot biznese, ne po rrisim sot fëmijë, ne që dikur bashkë me ju mblidhnim 20 lekshat për kafe e çaj se nuk kishim atëherë, ishim pak a shumë të gjithë pabuksa.

Kur ju hytë në sistem, shpresuam që do të ndryshonit gjëra, sepse ne jemi rritur bashkë, ia dinim hallet njëri-tjetrit, bashkë e kaluam edhe ’97-n, kur shkonim në mësim me qese, kur na kapte ankthi se na mbinte policia në klasë për kontrolle, kur na përzinin me shkopa gome nga Parku Rinia, kur nuk bënim mësim prej shtetrrethimit dhe vdisnim të dilnim pak pas orës 8, se nuk lejohej…

What the fuck did just happen?!

Prisnim të hynit në sistem e ta ndryshonit nga brenda, ta bënit më të mirë se ai që jetuam. Po jo, ju ziheni pa pikë turpi për beton, rrihni njerëzit që duan të mos u priten pemët, rrisni çmime, taksa, ç’të mundni që të na merrni frymën, ndërsa mbajmë shpirtin gjallë për bukë, që të mos mendojmë. E vjetër shumë kjo lojë! Madje edhe na përgjoni nëpër rrjete sociale, sepse e dini mirë sa e kemi takatin, na njihni, dikur kemi qenë shokë, nxeheshim bashkë kundër dhunës së pushtetit qeverisës, i ngrinim bashkë gjimnazet në Tiranë në emër të së drejtës e lirisë së njeriut për të jetuar me dinjitet.

Më vjen turp të them që filanin, filanen, fistekun e të tjerë i kam pasur shokë gjimnazi, sinqerisht. Sepse do më thonë: “brez leshi paskeni qenë edhe ju, po jua fusin tuajt!” Dhe mua s’më mbetet gjë tjetër veç të ngre duart e të dorëzohem, se kanë të drejtë.

Por unë nuk dorëzohem, se familja e vendi im janë gjithçka kam dhe do t’i mbroj fort!

Po ju çfarë ideali keni sot, shokët e mi të dashur të gjimnazit, të majtë, të djathtë e të qendrës?!

Lajme te ngjashme