Rama dhe Ahmetaj në bunker. Drejt finales së madhe.

Nga Bildo
Rama dhe Ahmetaj në bunker. Drejt finales së madhe.

Kur një qeveri krijon, me politikat e saj të papërshtatshme, një klimë mospajtimi dhe kundërshtie në rradhët e veta politike, normalisht ka dy opsione për të: të hapet politikisht për të sjellë energji të reja, shpërndarë përgjegjësinë politike dhe rritur konsensusin, duke i dhënë kështu popullit shpresën e një ndryshimi pozitiv, sikurse ndodh në sistemet demokratike; ose të disiplinojë dhe zvogëlojë grupin e lartë drejtues, për ta përqëndruar pushtetin tek më të besuarit, duke rritur hendekun mes pakicës drejtuese dhe shumicës, sikurse ndodh në sistemet e mbyllura dhe autokratike politike.

Zgjidhja e parë është rezultat i reflektimit dhe vizionit demokratik të pushtetit që buron nga njerëzit; e dyta është pasojë e kokëfortësisë për të rikonfirmuar vullnetin personal, duke thirrur “nën armë” grupin e ngushtë të vasalëve për të siguruar sundimin mbi shumicën.

Me shkarkimin e Ministrit Cani, zëvendësimin e tij me të besuarin Ahmetaj dhe zëvendësimin e këtij të fundit me Milva Ekonomin—eksponente e sistemit sorosion shqiptar, sikurse edhe vetë Kryeministri—Zoti Rama ka vendosur të luftojë i vetëm, me bandën e më të besuarve, betejën e tij të fundit politike. Jashtë bunkerit të tij të “luftës”, ku nuk depërton më asnjë rreze realiteti, ai ka lënë të gjithë ata që ishin “të dobët” apo që mund të mos i shkonin deri në fund planeve të tij të çmendura të qeverisjes.

Nga sot, në “delegacionin” e Partisë Socialiste në qeverinë e Edi Ramës nuk ka më njerëz të huaj, apo socialistë të vjetër, apo teknicienë. Janë vetëm miqtë e vjetër, bashkëpunëtorët e vjetër, shërbëtorët e sprovuar. Janë vetëm ata që janë të vendosur ose të detyruar të luftojnë për të dhe më të deri “në vdekje”.

Është akti i fundit i një modeli politik të bazuar në autokraci—akt i imponuar nga vështirësitë që ka sjellë qeverisja e ushtruar si vullnet e arrogancë dhe e paralizuar nga paaftësia për të lexuar e kuptuar realitetin.

Lajme te ngjashme