Stadiumi i ri Qemal Stafa – stadium për publikun apo skemë kriminale grabitjeje?

Stadiumi i ri Qemal Stafa – stadium për publikun apo skemë kriminale grabitjeje?

Sot, është afati i fundit i pranimit të ofertave për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, që do të ndërtohet në vendin ku sot është Stadiumi Qemal Stafa, i cili do të shembet. Por stadiumi i ri, me shumë gjasa, do të jetë privat dhe jo publik.

Në vitin 2011, Qeveria Berisha ia kaloi stadiumin Qemal Stafa—deri atëhere në pronësi të shtetit—një kompanie private, të krijuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe Ministria e Kulturës.

Me një vendim të shkurtit 2011, Këshilli i Ministrave autorizoi Ministrinë e Kulturës të krijonte një kompani të përbashkët me Federatën Shqiptare të Futbollit, në të cilën Federata duhet të kishte 75 për qind të aksioneve dhe Ministria 25 për qind. Kompania u quajt “Qendra Sportive Kuq e Zi sha” (nuk ka asnjë lidhje dhe nuk duhet ngatërruar me Shoqatën e Tifozave Kuq e Zi).

Vendimi i mësipërm i kaloi Qendrës Sportive Kuq e Zi sha (QSKZ) edhe pronësinë e stadiumit Qemal Stafa. Për të justifikuar kalimin, vendimi e përcaktoi në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme kompaninë QSKZ si shoqëri aksionare me ortak tërësisht shtetëror. Por, në të vërtetë, QSKZ është kompani private, pasi Federata e Futbollit—e cila është aksioneri kryesor i saj me 75 për qind të aksioneve—është shoqëri private, e përcaktuar qartësisht si e tillë në ligjin për sportet.

(Për ilustrim, qeveria ka pasur në shumë raste aksione minorance në kompani private përfshi AMC-në, Albtelecom-in, Eagle Mobile, ARMO-n, etj.)

Në vitin 2013, QSKZ mori në pronësi stadiumin Qemal Stafa, me sipërfaqe toke rreth 35 mijë metra katrorë, të vlerësuar rreth 7,2 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro. Në mënyrë të pashpjegueshme, qeveria nuk kërkoi rritje të aksioneve të saj në QSKZ pas këtij kalimi.

Përmes këtyre veprimeve, disa të paligjshme dhe disa të dyshimta, Federata Shqiptare e Futbollit, një shoqatë private e menaxhuar në mënyrë të pavarur, u bë praktikisht pronare e Stadiumit Qemal Stafa.

Edhe pse qeveria investoi 50 milionë euro në kompaninë QSKZ, ajo mori vetëm 25 për qind të aksioneve; ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit nuk investoi asgjë, por përfitoi 75 për qind të QSKZ-së, si dhe të gjitha të drejtat e administrimit dhe të vendim-marrjes së kompanisë.

Pasi u bë pronare e stadiumit, Federata vendosi prishjen e tij dhe ndërtimin e një stadiumi të ri. Për këtë qëllim, në janar të këtij viti, kompania QSKZ shpalli tenderin për “projektimin, prishjen, financimin dhe ndërtimin e kompleksit të stadiumit të ri kombëtar.” (Duhet theksuar se, duke qenë se QSKZ është kompani private, tenderi nuk zbaton rregullat e prokurimit publik, por bëhet sipas rregullave që vendos vetë Federata.)

Dokumentat e tenderit kërkojnë që fituesi: të projektojë një stadium sipas standarteve të UEFA-s, me kapacitet të paktën 22 mijë vende; të prishë stadiumin ekzistues; dhe të ndërtojë, me financimin e vet, stadiumin e ri.

Sipas kushteve të tenderit, projektimi dhe ndërtimi nuk do të paguhen me para nga QSKZ, por në natyrë duke i dhënë në pronësi një pjesë të ndërtesës së stadiumit.

Pra, ndërtesa e stadiumit duhet që të ketë dy pjesë: pjesën sportive, që përfshin fushën, tribunat, stendat dhe një sërë dhomash të nevojshme, të cilat do jenë në pronësi të QSKZ-së; dhe pjesën për qëllime biznesi që do t’i jepet në pronësi ndërtuesit si shpërblim për ndërtimin total.

Çfarë mund të jetë kjo pjesë biznesi, për qëllime private josportiv? Ajo mund të jetë çdo gjë—qendër tregtare në trupin e stadiumit; godinë e veçantë bashkangjitur stadiumit; praktikish,t çdo gjë që mund të imagjinojë kompania që do fitojë tenderin. Dokumentat e tenderit nuk japin asnjë specifikim dhe nuk vënë asnjë kufizim. Çdo gjë i lihet në dorë ofertuesve që të imagjinojnë zgjidhjen më të përshtatshme që mendojnë.

Në fakt mundësitë për këtë pjesë private të stadiumit janë të mëdha, pasi, për shkak se stadiumi i ri nuk do jetë stadium olimpik pra nuk do të ketë pista atletike, sipërfaqja ekzistuese e pistave do jetë e lirë për tu zënë me ndërtim.

Sikurse, mund të jetë e qartë për shumëkënd, qasja e zgjedhur për ndërtimin e stadiumit të ri ka një sërë parregullsish dhe problemesh.

Së pari, ajo është e paligjshme, pasi vendimi i qeverisë Berisha për transferimin e stadiumit, përcaktonte që prona nuk mund të tjetërsohet për qëllime josportive. Kjo do të thotë që tenderi që po zhvillohet është krejtësisht i paligjshëm për shkak se e tjetërson një pjesë të pronës për qëllime tregtare josportive.

Së dyti, dokumentat e tenderit nuk përcaktojnë asnjë lloj kufizimi se sa do jetë pjesa që do t’i kalojë privatit për qëllime biznesi dhe sa ajo që do shërbejë për pjesën sportive. Kjo nuk i motivon ofertuesit që të ofrojnë zgjidhje sa më të mira për stadiumin, pra për interesin e publikut, por i nxit ata të kërkojnë zgjidhje që maksimizojnë interesin e tyre privat mjaft që të ofrojnë standartin më minimal për stadiumin.

Së treti, duke qënë se ndërtuesi do të bëjë edhe projektin e ndërtesës, të gjitha lejet e nevojshme, përfshi atë të ndërtimit, duhet të merren në të ardhmen dhe dokumentat e tenderit ja lënë këtë përgjegjësi, në mënyrë absurde, ndërtuesit.

Së katërti, zgjidhje që është ofruar do ta bëjë Tiranën të vetmin kryeqytet në botë pa asnjë stadium atletike, madje asnjë pistë atletike.

Së pesti dhe si rezultat i të gjitha pikave të mësipërme, formula e zgjedhur nuk lë asnjë mundësi që në tender të marrin pjesë firma apo investitorë serioze, pasi risku është i jashtëzakonshëm pasi sipërmarrësi duhet të bëjë edhe projektimin dhe ndërtimin, edhe financimin. Për më tepër, investimi mund të merret mbrapsht jo vetëm pas shumë vitesh, por edhe vetëm përmes zhvillimit dhe menaxhimit të një biznesi në Shqipëri (në pjesën private të stadiumit).

Në fakt skema duket se është zgjedhur, qëllimisht, për të dekurajuar çdo firmë apo investitor serioz. Ajo është, në fakt, një skemë e paaplikuar ndonjëherë në botë dhe ngjan më shumë me skemat e pastrimit të parave, se sa me investimet e ndershme dhe serioze.

Sot, do të hapen ofertat e tenderit dhe mbetet për t’u parë se cili do jetë rezultati i kësaj qasjeje.

Mbi të gjitha, mbetet për t’u parë nëse do të konfirmohet një version jozyrtar, që qarkullon prej kohësh në Tiranë, se i gjithë projekti i stadiumit është aferë e një grupi biznesmenësh, të afërt me qeverinë, nën drejtimin e presidentit të Federatës së Futbollit, për të shtënë në dorë një pasuri publike, pa asnjë kontribut dhe asnjë risk.

 

Lajme te ngjashme