Dita Shkurt – Përmbledhje e ngjarjeve të ditës

 

Haga liron udhëheqësin serb Sheshel nga akuzat për krime kundër njerëzimit

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krimet në ish Jugosllavi në Hagës shpalli, sot, të pafajshëm Vojislav Sheshelin, ish themelues dhe drejtues i Partisë Radikale Serbe dhe ish Zëvendës Kryeminsitër i Serbisë. Sheshel akuzohej për krime kundër njerëzimit gjatë luftërave për shpërbërjen e Federatës Jugosllave, si nxitës apo urdhërues i shpërnguljes me forcë, torturimit dhe vrasjes e mijra personave në Kroaci dhe Bosnjë Hercegovinë. Prokurorët kishin kërkuar dënimin e tij me 28 vjet burg.

 

Kryeministri Rama i kërkon opozitës forum të përbashkët për reformën në drejtësi

Kryeministri Edi Rama i dërgoi sot një letër kryetarit të PD-së Lulzim Basha, ku i kërkon të krijojnë një forum diskutimi për reformën në drejtësi mes shumicës e pakicës, pa prezencën e ndërkombëtarëve.

“Jemi plotësisht të hapur për çdo propozim nga ana juaj lidhur me formatin dhe mënyrën e funksionimit të këtij forumi. Por paraprakisht dëshirojmë të dimë nëse dhe ju dëshironi këtë përpjekje të re për komunikim mes nesh,” shkruan Kryeministri Rama.

 

Deputeti Suli i gatshëm të pranojë gjykimin e Gjykatës Kushtetuese

Deputeti socialist Rakip Suli u shpreh sot i gatshëm t’i bëjë kërkesë Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të tij, sikurse ka kërkuar Partia Demokratike. Partia Demokratike e akuzon Zoti Suli se ka përfituar fonde publike me kompaninë e tij gjatë kohës që ka qënë deputeti, çka përbën shkelje të Kushtetutës. Kërkesa e PD-së nuk u mori miratimin e Kuvendit. Për këtë arsye opozita ka bllokuar prej dy javësh seancat plenare.

 

Shumica parlamentare miraton e vetme një sërë ligjesh në Kuvend

Shumica parlamentare ka miratuar, sot, e vetme projektligjet e parashikuara në rendin e ditës, të seancës së sotme plenare.

Partia Demokratike nuk mori pjesë në punimet e sotme të Kuvendit dhe u përpoq t’i bllokojë ato duke zaptuar foltoren. Ky qëndrim erdhi pasi shumica hodhi poshtë kërkesën e saj për t’i kërkuar vlefshmërinë e mandateve të deputetëve socialistë Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, që auzohen nga pakica se kanë përfituar fonde publike me bizneset e tyre gjatë kohës që kanë qenë deputetë.

Lajme te ngjashme