Goditje 100 pistolëshe ose falimentim i sistemit tonë ekonomik

Goditje 100 pistolëshe ose falimentim i sistemit tonë ekonomik

Kështu quhej, në romanet aventureske me shpata të Parisit të viteve 500-të, goditja sekrete dhe e vështirë përmes së cilës kalorësi më i aftë e shponte tej për tej kundërshtarin e rradhës. Dhe pistoletat nuk ishte armë, por një lloj monedhe ari. Pra, është ajo që në konkurset e sotme televizive, ka zëvëndësuar duelet e dikurshme, e quhet pyetja një milion.

Goditja 100 pistolëshe, ajo që me një të rënë të shpatës do të rregullojë të gjitha çështjet e vështira të qeverisë Rama, është një aksion qeveritar super sekret dhe i ndërlikuar, që po projektohet për të sistemuar dy dosjet më delikate, që kanë lënë pa gjumë kastën drejtuese shqiptare: çështjen e një miliard euro kredi të këqija që po i marrin frymën sistemit bankar, dhe falimentimin e mundshëm të disa biznesmenëve miq të afërt të qeverisë, të cilët janë debitorët e këqinj kryesorë të bankave.

Ka të paktën dhjetë muaj që Revista Monitor publikon lajmin, e strukur por në mënyrë të vazhdueshme, të cilin deri më tani nuk e ka mohuar askush, që Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave janë në përgatitje të një projekti për shpëtimin e sistemit ekonomik shqiptar.

Referuar të dhënave të Revistës Monitor, situata paraqitet e tillë:

  • Bankat e vendit janë në vështirësi për dhënie kredish, për shkak të nivelit të lartë të kredive të këqija, që llogaritën në rreth 12 për qind të të gjitha kredive aktive. Vlera e kredive të këqija vlerësohet në gati 890 milionë euro, e barabartë me kapitalin total të të gjtiha bankave të vendit. Është njësoj sikur të gjitha bankat shqiptare të kishin kapital zero.
  • Të paktën 80 kompani nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë hautë bankare. Borxhet e tyre përbëjnë rreth 80 përqind e totalit të kredive të këqija.
  • 35 prej kompanive të mësipërme kanë rreth 65 për qind të totalit të kredive të këqija, ose afërsisht 580 milionë euro. Kjo do të thotë që secila prej tyre ka mesatarisht rreth 16,5 milionë euro borxh ndaj sistemit bankar. Me siguri ato kanë borxhe të tjera ndaj furnitorëve apo financuesve jo bankarë.
  • Sipas vlerësimeve të ekspertëve, gjysma e këtyre 35 kompanive nuk mund të shpëtohet më, ndërsa gjysma mund të shpëtohet nëse sigurojnë kredi të reja me kushte të favorshme.
  • Banka Qendrore dhe Ministria e Financës janë duke punuar, në fshehtësi, për hartimin e ligjeve dhe rregullave të një plani shpëtimi për rreth 16-18 kompani.
  • Brenda prillit të 2016, Banka e Shqipërisë pritet të miratojë një plan për të ulur kreditë e këqija.
  • Në muajt e ardhshëm pritet të miratohet një paketë ligjore apo një seri ndryshimesh ligjore, përfshi, ndër të tjera, në kodin civil dhe ligjet që kanë të bëjnë me falimentimin, përmbarimin, regjistrimin e pasurive, etj. Qëllimi i ndryshimeve ligjore është krijimi i një kuadri rregullator që do ulë mundësinë e situatave të tilla në të ardhmen, duke i dhënë ndër të tjera bankave më shumë pushtet për të ekzekutuar garancitë.

Ky lajm nxjerr në pah përpjekjet e qeverisë për të shpëtuar nga falimentimi, nëpërmjet parave të bankave dhe donatorëve, kreditorët më të mëdhenj të bankave shqiptare, që me siguri përkojnë me sipërmarrësit e mëdhenj të mediave.

Sidoqoftë, gjykuar nga vlera e borxheve që kanë marrë, mund të thuhet se të gjitha kompanitë që po planifikohet të shpëtohen janë kompani të mëdha, që falë likuiditetit të garantuar nga një akses i lehtë, kanë mundur të bëjnë konkurrencë të padrejtë në dëm të kompanive që paguanin jo vetëm kreditë, por edhe taksat.

Ka shumë gjasa, që një pjesë e tyre të jenë kompani që kanë përfituar në mënyrë tinzare nga fondet publike dhe konçesionet.

Fatkeqësisht, për këtë situatë nuk ka ansjë lloj transparence dhe disa kompani të mëdha, që pretendojnë se janë kryesuese në treg, janë në të vërtetë kompani të falimentuara, që nuk kanë aftësi të paguajnë furnitorët e tyre; por as furnitorët dhe as konkurrentët nuk kanë asnjë mundësi të njohin gjendjen e vërtetë financiare të këtyre kompanive.

Pikërisht, furnitorët e tyre janë ata që do të pagujnë pasojat e rënda sapo të fillojë proçedura e falimentimit. Lënia e këtyre kompanive, që janë duke dhënë shpirt, të vazhdojnë të veprojnë në treg është papërgjegjshmëri e madhe ndaj gjithë sistemit ekonomik të vendit.

Dhe nëse qeveria, sikurse duket, do të kërkojë përdorimin e fondeve publike për të shpëtuar qoftë edhe një prej këtyre kompanive, vjedhja dhe padrejtësia do të jetë tërësisht shtetërore.

I vetmi rast kur kjo gjë mund të konsiderohet është nëse ligji i ri mbi falimentimin do të parashikojë dhe do të aplikohen në realitet dënimet e duhura penale ndaj atyre që janë pasuruar përmes skemave dhe veprimeve mashtruese, ndërkohë që kompania e tyre ishte drejt falimentimit. Ajo ç’ka në botën normale quhet “mashtrimi i falimentimit”.

Më në fund ka një tjetër tjetër aspekt të kësaj situate që duhet kuptuar mirë: është absolutisht e pamundur që pronarët dhe administratorët e kompanive të përfshira në këtë “sistem të falimentuar”, në manaxhimin e kësaj situate, të mos kenë kryer disa vepra të rënda penale. Disa nga këto vepra penale mund të dallohen lehtë në bilancet e kompanive. Qeveria, edhe nëse do të shpëtojë këto kompani, duhet të gjejë mënyrën për të prangosur përgjegjësit dhe për t’u konfiskuar pasuritë pronarëve të vjetër, siç ndodh në çdo vend perëndimor.

Manipulimi, nga ana e qeverisë, në favor të shkaktarëve të situatës, përveçse krim ndaj interesave publike do të jetë goditje e rëndë për besimin në sistemin ekonomik.

Nëse qeveria do të dijë të menaxhojë si duhet këtë situatë të komplikuar dhe aspak të lehtë, ajo do të ketë realizuar “goditjen e njëqind pistoletave”: do të mposhtëtë armikun e do të shkonte qetësisht drejt zgjedhjeve.

Por në duelet me shpatë kush gabon goditjen, goditet.

Lajme te ngjashme