Njeriu në Arenë – Për Protestuesit e Parkut

Nga Neritan Sejamini
Njeriu në Arenë – Për Protestuesit e Parkut

Tek i kam parë këto javë duke u përpjekur, me mund e sakrificë, për diçka që besojnë se është e mirë, edhe pse janë përballur më indiferencën absurde të të gjithëve, përçmimin e talljen e disave, ngacmimin dhe dhunimin e pushtetit; edhe pse janë braktisur nga media dhe shoqëria “civile”; edhe pse mbi ta janë lëshuar leksionet e predikimet e predikuesve të zakonshëm, më së shumti mburravecë të pakurajo; teksa i kam parë të vazhdojnë të qëndrojnë, ashtu të lodhur dhe të dëshpëruar nga e gjithë kjo; kam dëshiruar shumë të bëja a t’u thoja diçka për t’jua hequr dëshpërimin.

Duke mos gjetur dot fjalët e mia, në mendje më erdhën fjalët e Tedi Ruzveltit para studentëve të Sorbonës për njeriun në arenë.

Janë fjalët e një njeriu që ngadhnjeu në jetë—triumfoi mbi shëndetin e dobët që persona të tjerë do t’i kishte rrënuar dhe shumë vështirësi të tjera që i hodhi jeta. U bë presidenti më i ri në moshë dhe një ndër figurat më të mëdha të historisë së Amerikës, i cili la gjurmë në historinë e gjithë botës.

Është koençidencë fatlume që Tedi Ruzvlet është një ndër natyralistët dhe konservatoristët më të mëdhenj në historinë e njerëzimit—personi që krijoi Shërbimin e Parqeve të Shteteve të Bashkuara, që bëri ligjin e parë në botë për parqet kombëtare, që hartoi ligjet e para në Amerikë për mbrojtjen e tokave dhe kafshëve.

 

Njeriu në Arenë

Nuk është kritizeri ai që ka rëndësi; as ai që tregon si rrëzohet njeriu i fortë, apo ai që i tregon atij që bën vepra se si duhet t’i bëjë më mirë.

Nderimi i takon atij që është vërtetë në arenë, fytyra e të cilit është nxirë nga pluhri dhe djersa dhe gjaku; i cili lufton me kurajo; që gabon e që nuk ja del në mënyrë të përsëritur, sepse nuk ka përpjekje pa gabime dhe mosarritje; por që lufton vërtetë për të arritur diçka; i cili e di se çfarë është entuziazmi i madh, përkushtimi i madh; i cili harxhohet për një kauzë të drejtë; që në rastin më të mirë, në fund, provon triumfin e arritjes së madhe dhe në rastin më të keq, nëse dështon, të paktën dështon duke guxuar shumë, kështu që vendi i tij nuk do të jetë kurrë mes atyre shpirtrave të ftohtë apo të ndrojtur që nuk njohin as fitoren as disfatën.

Lajme te ngjashme