O do bëjmë shtet, o do bëjmë bëjmë kënd lojrash!

Nga Carloalberto Rossi
O do bëjmë shtet, o do bëjmë bëjmë kënd lojrash!

Diskutimet më të rëndësishme në Shqipëri dalin shpesh jashtë shinave, në kuptimin që metoda kryesore e manipulimit të opinionit publik është spostimi i fokusit të diskutimit në çështje anësore e mundësisht teknike. Kështu, publiku shkëputet nga thelbi i diskutimit, ndërsa kundërshtari delegjitimohet dhe nxirret jashtë skenës për shkak se atij i mungojnë detajet e shumta teknike.

Këto ditë, të gjithë të ftuarit në emisione televizive për të debatuar për çështjen e këndit të lojrave në park, grinden për llojin e luleve, të betonit, apo të lodrave që do vihen në park. Të gjithë komentatorët publikë të kësaj apo asaj partie, të punësuar nga x botues apo y ndërtues që duan të përfitojnë nga grabitja e Parkut, janë shumë të kujdesshëm për ta devijuar menjëherë diskutimin nëse ai i afrohet sado pak thelbit të tij.

Pika kryesore, të cilës ndërtuesit e mëdhenj dhe skllevërit e tyre politikë nuk duan t’i afrohen në asnjë mënyrë, është se ka një pjesë të qytetarëve—ata që qeveria i ka quajtur vandalë—që mendojnë se kanë të drejta dhe liri, të cilat janë shkelur dhe injoruar nga Kryetari i Bashkisë dhe pushteti. Këto të drejta janë të pandryshueshme dhe nuk pushojnë së ekzistuari, pavarësisht sa i bukur, sa elegant, sa i përshtatshëm mund të jetë një kënd lojrash, i cili ndikon jetën edhe të atyre qytetarëve “që nuk kanë fëmijë ose nuk kanë mend.”

Pika thelbësore qëndron pikërisht këtu. Kryebashkiaku dhe qeveria mendojnë se kanë një mandat popullor, për shkak të fitores në zgjedhje, “për të bërë shtet”; dhe, për shkak të mangësive të tyre intelektuale dhe në formimin e tyre politik, ata mendojnë se shteti ndërtohet me kulla nëpër sheshe apo kënde lojrash në parqe—gjëra të prekshme për t’ia u dhënë votuesve, kundrejt besnikërisë së tyre politike. Kjo është, sipas gjithë zbukurimeve të shkencës politike bashkëkohore, skema e funksionimit të shkëmbimit korruptiv e klientelist, që shumë në Shqipëri e quajnë pragmatizëm politik: ti më jep votën e unë të jap diçka, park lojrash, vend pune, para në dorë, pak rëndësi ka. Por, unë të jap diçka që është publike, pra nuk është e imja, dhe ti më jep diçka private, që të përket ty, votën apo pëlqimin tënd.

Zoti Veliaj beson se ai është thirrur për të krye të Bashksië, pak rëndësi ka se si, për të mbushur atë që do barku i qytetarëve. Zoti Rama, po ashtu, beson se e rëndësishme është që kjo të bëhët përpara zgjedhjeve të ardhshme, pak rëndësi ka se si, me çfarë çmimi apo pasojash për të ardhmen.

Kërkesa e atyre qytetarëve që po kundërshtojnë punimet në Park është krejt e kundërta: ajo është kërkesa për ligjshmëri, përpara se të ketë kënde lojrash. Ata qytetarë duan të jetojnë në një shtet modern, ku ekzistojnë rregulla e proçedura të caktuara që duhen ndjekur për të bërë atë që duan qytetarët. Ata mendojnë se qytetarët kanë një rol të rëndësishëm në kontrollin e pushtetit, dhe se ky rol ushtrohet duke e detyruar pushtetin të respektojë rregullat dhe proçedurat ligjore. Ata mendojnë se këto rregulla janë garancia bazë për të mos lejuar pushtetin të degjenerojë, të veprojë pa skrupuj e të mashtrojë, sikurse ndodh kudo, por në Shqiëpri më shumë se në shumë vende të tjera.

Nga deklarimet që protagonistët e kësaj historie kanë lëshuar në debate të ndryshme televizive, përfshi funksionarët e qeverisë dhe të bashkisë, është, tashmë, e qartë se: Bashkia e Tiranës ka kontraktuar dhe filluar punimet pa mbikëqyrje, pa leje ndërtimi e leje mjedisore, sikurse e kërkon ligji; pa u bazuar në një strategji të miratuar në Këshillin Bashkiak, sikurse e kërkon ligji; pa zbatuar praktikat e konsultimit me publikun, sikurse e kërkon ligji; bazuar vetëm në një dokument të pamjaftueshëm—leje me kusht—të lëshuar jashtë proçedurës të parashikuar; duke disinformuar publikun me një animacion e pjesë të pikturuara të padepozituara askund zyrtarisht; si dhe duke fyer dhe dhunuar ata që kanë kurajon të mos pajtohen me këtë gjendje.

Kjo është çështja: Kryebashkiaku Veliaj, që kaloi nga ministër i mirëqenies në kryebashkiak, dhe Kryeministri Rama, që kaloi nga ministër i kulturës, në kryebashkiak e pastaj në kryeministër, nuk janë duke i dhënë një kënd lojrash qytetarëve të Tiranës. Ata janë duke keqpërdorur pozitën e tyre dhe paratë e shqiptarëve—në shkelje të ligjeve, rregullave, proçedurave,—duke filluar një punë publike, të paguar me paratë e qytetarëve, pa asnjë leje dhe pa një masterplan, në shpërfillje të plotë të publikut, dhe pa asnjë hezitim për thyerjen e ligjit të prokurimit publik, të financave publike, të menaxhimit të pronës publike, të transparencës, të funksionimit të organeve të pushtetit lokal, të urbanistikës e të mbrojtjes së mjedisit.

Një masakër e vërtetë e ligjit dhe e të drejtës publike, shoqëruar me veprime të gabuara e informacione false publike—veprime këto të dënueshme nga kodi penal—në një përpjekje të ngathët për të shuar kryengritjen e njerëzve të mirë.

Shteti, në botën perendimore, përfshi Europën ku Kryeministri thotë se do që të na çojë, është një institucion i organizuar përmes ligjeve e proçedurave, të cilat shërbejnë si garanci për mbrojtjen e interesave të qytetarëve që ja delegojnë shtetit të drejtën legjitime të forcës.

Këtu duhet një shoqëri e vërtetë civile, por asnjë media shqiptare nuk e thotë qartë këtë gjë, por vazhdojnë të propozojnë sulltan e pasha, a thua se këto janë zgjidhja e problemeve tona.

Lajme te ngjashme