Pishtari në duart e protestuesve të parkut

Nga Ana Leko
Pishtari në duart e protestuesve të parkut

Në vendin tënd, në vendin tim, aty ku tragjeditë zëvëndësojnë njëra-tjetrën, ka ende shpresë. Ajo ndrin prej disa javësh. Ca larva, ca krimba, ca miza, ca hiena, ca derra, ca bufa dhe shumë lakuriqë, që i kemi akoma dhuratë nga Mesjeta, nuk e duan atë. Por shpresa prapë përndrit!

Ajo u ndez nga idhtarët e lirisë. Nga ata, që lexojnë. Nga ata, që shkruajnë. Ata, që diskutojnë. Ata, që luajnë muzikë. Ata që, merren me sport. Ata që mendojnë të lirë. Nga ata që s’kanë frikë të flasin. Nga ata që dëgjojnë. Nga ata që e duan jetën, që e duan veten dhe dini t’i dalin për zot vetes. Nga ata, që ende duan të rrisin fëmijët këtu, por si njerëz të lirë dhe të lumtur.

Ata po u thërrasin fort, sot, skllevërve, që të mos gënjehen me kafshatën e mjerimit, që u hedhin padronët e përhershëm. Ata po u thërrasin të gjithëve të shikojnë, të mendojnë dhe të flasin. Ata po u bëjnë thirrje të gjithëve të mos frikësohen, por të revoltohen.

Ata po ju bëjnë thirrje të gjithëve të gjejnë brenda vetes shpëtimin. Të rigjejnë brenda vetes atë që këtij vendi i ka ikur bashkë me librat, me artin, me sportin, me punën dhe çdo gjë tjetër të bukur që bota njeh: dinjitetin.

Ata ua kanë hapur zemrën e tyre gjithë skllavo-sehirxhinjve, të gjithë atyre që ankohen pa pushim, gjithë atyre që ushtrojnë të vetmin sport tonin kombëtar: llogjet në kafene.

Ata kanë rrëmbyer një pishtar dhe po bëjnë dritën para tavolinave të tyre rutinore. Shiko dhe ti o skllav! Shiko dhe mos u anko në verë, kur dielli i përvëluar bie pingul mbi kokën tënde. Shiko dhe mos u anko se lodhesh e merr vetëm kacidhe. Mos u anko që kafshata e padronit s’vlen gjë, ndërsa e kapërdin atë duke menduar se s’ke ç’të bësh.

Padronët qeshin e tallen me ty, të quajnë dembel kur t’i punon e u fal gjithçka ke, dhe pastaj ta japin mbrapsht si shërbim me pagesë. Ashtu si qenërit besnikë të padronit, ti rrihesh me kamxhik, shahesh e përdhunohesh, por ti rri, sepse nuk ke se ç’bën. Veç përsërit kudo, “ç’të bëjmë!”

S’ke më forcë ta shohësh dritën se ajo të vret akoma sytë e pamësuar.

Mijëra vjet më parë, në Athinën e lashtë lindi demokracia. Edhe aty kishte skllavëri, si sot në republikën tonë, por demokracia lindi, shpresa ndriti. Në Athinën e lashtë të gjithë meshkujt, pavarësisht gjendjes ekonomike, vendosnin vetë për jetët e tyre, për problemet që i shqetësonin, të lidhur me qytetin dhe familjet e tyre.

Duke u qeverisur kështu Athina përparoi e u fuqizua, u shndërrua në nyjen lidhëse, ku kryqëzoheshin të gjitha rrugët e botës së atëhershme. Nga ky sukses, forma e saj e qeverisjes u eksportua gjetiu, në hapësirë dhe në kohë. Athina me demokracinë e saj të drejtpërdrejtë u bë frymëzim për gjithë botën e qytetëruar, sepse qeverisja që përfill të qeverisurin është forma më e dinjitetshme e organizimit shoqëror, pasi ajo e lë njeriun të vendosë për fatet e tij dhe të jetojë kryelartë. Me respekt për të shkuarën dhe të tashmen.

Ne nuk jemi, sot, larg Athinës. Marathonomakët e liqenit po u afrojnë pishtarin e shpresës gjithë njerëzve të lirë të këtij vendi. Ata po na tregojnë se edhe në qoftë se mund të tolerojnë 10 pemë, edhe në qoftë se mund të tolerojnë ca metra katrorë beton, ata nuk duan të tolerojnë që t’u nëpërkëmbet dinjiteti njerëzor. Ata e përbuzin gënjeshtrën dhe manipulimin, sidomos kur skllevërit gënjehen në emër të atyre që nuk e njohin djallëzinë: fëmijëve.

Qytetarët e Parkut po përpiqen të na mësojnë se, si me lodra si pa lodra, po qenë prindërit skllevër dhe fëmijët e tyre do rriten skllevër. Nëse politikanët nuk duan gjërat që qytetarët duan, atëherë ata nuk mund t’i kuptojnë qyetarët. Duke mos i kuptuar, do i tallin dhe prozvalin. Do vendosin për ta, do veprojnë kundër tyre, do i shtypin.

Në Tiranë ka ardhur koha që qytetarët të pyeten e dëgjohen. Në një qytet ku zihet radhë për çerdhet, kopshtet, shkollat, ku ka mungesë përsoneli të kualifikuar për të punuar me fëmijët, ku balta të mbyt sa futesh në rrugën pas rrugës kryesore, ku s’ekzistojnë trotuarët, ku shurdhohesh nga ndotja akustike dhe pluhuri pa fund, ku spitalet qelben nga myku e infeksionet, ku sundojnë shitësat e flamujve, ka lindur lufta për dinjitet.

Protestuesit po bëjnë diçka të bukur. Mos nguroni ta shihni dritën që ju përshfaqin. Mos ngurroni t’i përkrahni me çdo mënyrë dhe pse nuk mundeni t’u bashkoheni dot fizikisht. Bëhuni me ta në përpjekjen për demokraci. Luftoni për të ardhmen, tregoni se doni veten dhe vendin ku jetoni çdo ditë, para se të shkruani unë jam turk, unë jam grek, unë jam francez.

Merreni pishtarin e protestuesve dhe ndizni një qiri të vogël, një kandil për të ardhmen. Bëjuni zot i fatit tuaj. Në fund të tunelit, drita do shkëlqejë e paqtë mbi ne.

 

Artikuj të lidhur:

Njeriu në Arenë – Për Protestuesit e Parkut

Lajme te ngjashme