Triumfi propagandistik i Kryeministrit Rama: Tre mijë ish-terroristë për një ftesë në Shtëpinë e Bardhë

Triumfi propagandistik i Kryeministrit Rama: Tre mijë ish-terroristë për një ftesë në Shtëpinë e Bardhë

Mbas pranimit nga Shqipëria të kërkesës së SHBA-ve për strehimin e mbi 3 mijë ish-terroristëve muxhahedinë iranianë—të refuzuar nga çdo vend tjetër, përfshi vetë SHBA-të—ne paralajmëruam se si shpërblim për këtë favor kishte gjasa që Kryeministri Rama të ftohej në Shtëpinë e Bardhë, aq më tepër që Shqipëria nuk kishte kërkuar asnjë ndihmë e asnjë financim në shpërblim të këtij akti.

Ja si u shprehëm ne, në një koment më 14 shkurt 2016, ditën e vizitës 3 orëshe në Tiranë të Sekretarit të Shtetit John Kerry:

“Tre vite më parë, gjatë negociatave për pranimin e armëve kimike, u bë e ditur se, në shkëmbim të pranimit të armëve, Kryeministri Rama kishte kërkuar një telefonatë me Presidentin Obama dhe një ftesë për në Shtëpinë e Bardhë.

Për t’ja garantuar këtë gjë, Presidenti Obama i shkroi letër Kryeministrit Rama ku, ndër të tjera, i shprehte dëshirën për ta ftuar për vizitë zyrtare në SHBA. Letra nuk u bë publike nga Kryeministri ynë, por pasi ajo u përfol në media, ai u detyrua të pranonte ekzistencën e saj.

Nuk do ishte habi që, më në fund, kjo ftesë të vijë. Këtë herë, Kryeministri Rama e ka “merituar” më shumë; ndërsa, për armët kimike Shqipëria do të merrte përsipër një rrezik, por edhe financime të mëdha, në rastin e muxhahedinëve ka marrë vetëm rrezikun.”

Ajo që ne mendonim se mund të ndodhte, tashmë është konfirmuar. Në një intervistë me gazetaren Ilva Tare të mërkurën në mbrëmje, Kryeministri Rama përmendi, si gjoja shkarazi, se do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë për të folur me Presidentin Obama.

Për të thënë se në kaq pak kohë sa ka në qeveri nuk ështe e mundur të bëhej gjithçka që do kishte dashur të bëhej, Kryeministri është shprehur: “Po ta kishim bërë këtë brenda 900 e ca ditësh që jemi në qeveri nuk do të isha këtu me ju dhe nuk do të shkoja në Shtëpinë e Bardhë të flisja me Presidentin dhe të dëgjoja çfarë do të thotë për Shqipërinë por do të isha atje duke dhënë leksione magjie për gjithë botën.”

Vizita, e cila në afatshkurtër do të jetë një triumf propagandistik i Kryeministrit, është duke u prezantuar në publik, në mënyrë graduale, me qëllim që njerëzit të mos e lidhin me pranimin e muxhahedinëve, por ta mendojnë si një takim që vjen si vlerësim i qeverisë amerikane për arritjet e qeverisë Rama. Fillimisht ajo u bë e ditur në publik rreth dy javë më parë nga media të afërta me Kryeministrin, pastaj nga deputetë të afërt me të, dhe mbrëmë, si shkarazi, nga Kryeministri.

Mbetet të shihet në ditët e ardhshme se çfarë ka planifikuar makina e propagandës qeveritare për vizitën, e cila, me siguri, do të shfrytëzojë çdo sekondë dhe pixel të saj për lartësimin e figurës së Kryeministrit dhe qeverisë, edhe pse vizita ka një dhe vetëm një arsye: favorin e jashtëzakonshëm që Kryeministri Rama u bëri SHBA-ve në emër të popullit shqiptar.

Më poshtë është artikulli ynë i 14 shkurtit dhe një tjetër artikull shpjegues mbi muxhahedinët iranianë, që ndihmojnë për të kuptuar rrezikun që paraqet pranimi i tyre për një vend si i yni, me korrupsion të lartë dhe institucione të dobta të rendit dhe shërbimeve inteligjente.

 

Artikuj të lidhur:

Për ca komplimenta – Koment

Loja e rrezikshme e Shqipërisë me muxhahedinët iranianë

 

 

Lajme te ngjashme