10 pyetje në lidhje me stadiumin e ri kombëtar

10 pyetje në lidhje me stadiumin e ri kombëtar

Kryeministri Rama bëri, dje, një koment të gjatë në faqen e tij në Facebook për t’ju përgjigjur kritikave ndaj projektit për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, por që nuk sqaronte asnjë nga pikëpyetjet e ngritura rreth projektit.

Komenti ishte, thjesht, një shfryrje arrogante e bezdisë së Kryeministrit ndaj njerëzve që guxojnë ta kritikojnë apo të vënë në dyshim zgjedhjet dhe përpjekjet e tij për të rilindur Shqipërinë, sportin, futbollin, ekonominë, kulturën, urbanizmin dhe çdo gjë tjetër në vend.

Por shfryrja e Kryeministrit nuk fsheh dot faktin që as ai dhe as FSHF-ja nuk kanë bërë publike asnjë informacion minimal për projektin, edhe pse ata kanë nënshkruar, tashmë, kontratën me kompaninë fierake. Asnjë e dhënë teknike, financiare, ekonomike, ligjore, etj, nuk dihet. Të vetmit që i dinë këto të dhëna janë kompania fierake, Kryeministri dhe Presidenti i FSHF-së.

E vetmja gjë që ata gjykuan të nevojshme t’u ofrojnë qytetarëve janë ca skica artistike të stadiumit dhe një video banale propagandistike e cila ngjan me propagandën që prodhojnë, zakonisht, diktaturat apo organizatat okulte për të mashtruar e tërhequr njerëzit në mbështetje të tyre.

Më poshtë është një listë me vetëm disa nga informacionet e domosdoshme që qeveria dhe FSHF-ja duhet të bëjnë publike:

  1. Sa është kostoja totale e stadiumit? A është e vërtetë shifra 50 milionë euro që përmendi kalimthi Kryeministri Rama? Cili institucion e ka vlerësuar dhe miratuar koston e paraqitur nga kompania private?
  1. A përfshin projekti i ndërtimit nga kompania private edhe pajisjet dhe infrastrukturën operuese të stadiumit, si ekranet, tabelat elektronike, sistemin e zërit, sistemin e dritave, sistemin e kamerave, etj.
  1. Sa u vlerësua vlera e tokës publike që po vihet në dispozicion të projektit?
  1. Si do jetë ndarja e pronësisë së stadiumit midis kompanisë private Alb-star dhe FSHF-së? Sa metra katrore sipërfaqe të mjediseve të stadiumit do marrë në pronësi FSHF-ja dhe sa kompania private? Mbi çfarë kriteri është bërë ndarja dhe nga kush?
  1. Sa kate dhe sa e lartë do të jetë godina kullë në pronësi të kompanisë private, me apartamente dhe zyra, e cila do ndërtohet në trupin e stadiumit? Sa metra katrore do të jetë sipërfaqja totale e hapësirave të saj?
  1. Sa i lartë do të jetë stadiumi? Sa do jetë numri i vendeve në stadium? Si do jenë të shpërndara këto vende?
  1. Cila është kompania Alb-star? Kush janë pronarët e saj? Çfarë përvojë të mëparshme ka kompania në këto lloj ndërtimesh apo ndërtime të ngjashme?
  1. Me çfarë fonde do ta financojë kompania Alb-star stadiumin, me fonde të saj apo kredi bankare? Nëse do ta ndërtojë me fonde të saj, a ka qënë shuma e investimit e deklaruar më parë në tatime? Nëse do të marrë kredi, a do të përdorë tokën e stadiumit si kolateral?
  1. Si e ka zgjidhur qeveria ligjërisht problemin e prishjes së një monumenti të mbrojtur kulturor, në një zonë, gjithashtu, të mbrojtur kulturore?
  1. A është bërë studimi i ndikimit në mjedis për ndërtimin e stadiumit? Kur do të bëhen dëgjesat publike për projektin ndërtimor?

 

Artikuj të lidhur:

Stadiumi i ri kombëtar — një histori e dyshimtë e përvetësimit të pronës publike

Çfarë dimë për projektin e stadiumit të ri Arena Kombëtare – Exit Shpjegon

Stadiumi i ri Qemal Stafa – stadium për publikun apo skemë kriminale grabitjeje?

Grabitja e stadiumit Qemal Stafa: krimi në mes të Tiranës për të cilin nuk flet askush

Lajme te ngjashme