PD tjetër akuzë ndaj Kryeministrit Rama: Arkitekti i stadiumit i dënuar për korrupsion në Itali

Partia Demokratike akuzoi sot Kryeministrin Rama se ka përzgjedhur për projektin e stadiumit të ri kombëtar arkitektin Marco Casamonti, i dënuar në Itali për korrupsion. Arkitekti Casamonti është akuzuar për korrupsion për ndërtimin e një objekti në qytetin e Firences.

“Ky arkitekt ka në Shqipëri për ortak Alban Eftimin e Atelier 4, klientin e Ramës që fitonte 70% të projekteve të Bashkisë,” u shpreh zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa.

Ajo tha se arkitekti italian njihet për lidhjet e tij të shumëfishta me qeverinë, veçanërisht me Kryeministrin Rama, i cili e ka lejuar të ndërtojë kulla betoni në Tiranë.

Prej ditësh, Partia Demokratike po e denoncon projektin e stadiumit Arena Kombëtare  si klientelist dhe korruptiv dhe akuzon Kryeministrin Rama se po i jep truallin më me vlerë të Tiranës miqve të tij, për të ndërtuar qendra biznesi.

Lajme te ngjashme