Arrestimi i Emiljano Shullazit – Çfarë dimë deri tani? – Exit shpjegon

Arrestimi i Emiljano Shullazit – Çfarë dimë deri tani? – Exit shpjegon

Dy ditë më parë, policia arrestoi Emiljano Shullazi, person i dënuar më parë për trafik droge, akuzuar për gjobëvënie ndaj bizneseve, shkatërrim prone dhe krijim të një grupi kriminal.

Më poshtë është rrjedha e ngjarjes:

16 prill

Ish-kryeministri Sali Berisha thirri një konferencë shtypi me të gjitha mediat, të cilave ju deklaroi se  Emiljano Shullazi i ka kërkuar kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni të tërheqet nga gara, duke e kërcënuar me jetën e djalit të tij.

Zoti Berisha kërcënoi Kryeministrin Rama se nëse i ndodh diçka Zotit Koni apo familjes së tij, vetë Rama do të përgjigjet personalisht, në proporcion me atë që do të pësojë akademiku.

Policia mori në pyetje Zotin Koni, i cili konfirmoi se është kërcënuar për t’u tërhequr nga gara, por nuk dihet nëse ai ka identifikuar Emiljano Shullazin si kërcënuesin e tij.

Emiljano Shullazi u thirr në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për t’i kërkuar sqarime mbi pretendimin e zotit Berisha. Ai mohoi ta ketë kërcënuar Zotin Koni.

Rreth orës 23:30, kryeprokurori Adriatik Llalla thirri në zyrën e tij Drejtorin e Policisë së Shtetit Haki Çako dhe i  komunikoi atij një urdhër arresti të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Emiljano Shullazin dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin.

Akuza zyrtare përfshin “krijim grupi të strukturuar kriminal”, “shkatërrim prone me eksploziv” dhe “gjobëvënie”.

17 prill

Pas mesnate, policia vuri nën arrest Emiljano Shullazin, i cili ndodhej ende në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Policia arrestoi, gjithashtu, dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi.

 

Pas arrestimit, u bë e ditur se prokuroria kishte disa muaj që hetonte Emiljano Shullazin, pa dijeninë e policisë. Mbi bazën e këtyre hetimeve, Prokuroria e akuzon atë se ka marrë, me anë të kërcënimeve, pronësinë e ish-hotel Vollgës në qendër të Durrësit, si dhe ka shkatërruar me eksploziv pronën e një qytetari tjetër, i cili nuk ka pranuar t’i kalojë Shullazit pronësinë e një parkingu 1200 metrash katrorë.

Po sot, disa media bënë të ditur se Shërbimi Informativ i Shtetit ka informacione që Shullazi ka gjobitur me anë të kërcënimit edhe katër biznesmenë të tjerë, të cilët nuk kanë bërë denoncim në polici, por kanë paguar gjobën.

Edhe sot, ish-kryeministri Berisha akuzoi ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se ka lidhje me Emiljano Shullazin dhe se po e mbron atë nga drejtësia. Ndërkohë, ministri Tahiri deklaroi se për këtë çëshje do të zbatohet ligji dhe do të vendosë drejtësia.

Lajme te ngjashme