Stadiumi dhe një histori me fiorentinë në tokën e shqiptarëve

Nga Arkitekt Artan Raça
Stadiumi dhe një histori me fiorentinë në tokën e shqiptarëve

Titulli i mësipërm mund të ishte edhe, krijimi dhe humbja e një sheshi, asgjesimi i tij nga pallati-stadium apo kullat-pallat, një “déjà vu” qindravjeçare ku “sheshet” luftojnë për mbijetesë me “pallatet”.

Niccolò Machiavelli, i pari fiorentin në këtë histori, në vitin 1525 në “Istorie fiorentine”, analizonteme shumë trishtim dhe kritikë dekadencën e qytetit të tij, i cili kishte qenë kryeqyteti i kulturës së Perëndimit duke udhëhequr për dekada daljen e e tij nga Mesjeta.

Interesant është përcaktimi se si pushteti politik kish filluar të bëhej arrogant dhe autokratik dhe këtë ai e quan “palagio” — në italishten moderne është “palazzo” (pallat), nga latinishtja “palatium” që personifikonte pallatin imperial romak të ndërtuar mbi kodrën Palatino—një koncept simbolik për të treguar pushtetin politik të mbyllur dhe autoreferencial. Por më interesante është se Machiavelli “pallatit” i vë përballë “sheshin”, vendin ku njerëzit e thjeshtë mblidhen dhe ushtrojnë pushtetin e tyre, por që është edhe një vend i jetës së përbashkët, vendi ku eksperimentohej e bukura dhe populli edukohej me të.

Me këto ide dhe trashëgimi fiorentine erdhi në Tiranë, më 1939, personazhi i dytë fiorentin i kësaj historie, arkitekti Gherardo Bosio, arkitekti i Tiranës moderne, i cili me një respekt dhe përkushtim të pashoq deri në fund të jetës, krijoi një nga komplekset arkitekturorë më të rëndësishëm të karrierës së tij, por edhe të Tiranës dhe rajonit—kompleksin që sot përbëhet nga Universiteti i Tiranës me sheshin “Nënë Tereza” të lidhur bashkë me sheshin “Italia” nëpërmjet kolonadës së Rektoratit, që përmbyllen me fasadën e hyrjes së Stadiumit “Qemal Stafa”, e gjitha një arkitekturë e admirueshme për Tiranën, një pasuri e papërsëritshme me një esencë të fortë monumentale e metafizike, një ansambël unik në atmosferën e pikturave të de Chirico-s.

Që identiteti i një sheshi nuk formohet nga pllakat me të cilat shtrohet apo nga madhësia e sipërfaqes së tij, por nga ndërtesat që e kufizojnë atë, këtë e dinte mirë besoj Bosio, por edhe bashkëatdhetari i tij, fiorentini tjetër në këtë histori, i cili ekzaktësisht 75 vjet nga vdekja e Gherardo Bosios, vjen të paraqesë stadiumin e ri kombeëtar—arkitekti Marco Casamonti, themelues i ARCHEA Associati, i cilësuar vite më parë në Itali si l’enfant prodige i arkitekturës italiane dhe sot i njohur ndërkombëtarisht, përfshi edhe në Tiranë për projektin e kullës 4 Evergreen.

Rasti e deshi që ai të projektojë mbi stadiumin e vjetër, pjesë e kompleksit të travertintë të Bosio-s, që për Tiranën mendoj është një kontekst arkitekturor dhe një terren pothuaj aq i vështirë për projektim sa edhe në Firence, Romë apo pse jo Venecia, për shkak të forcës stilistike, cilësisë ndërtimore të pashembullt dhe arkitekturës plot domethënie.

Të gjithë patëm mundësinë të shohim këtë projekt në një video ku mbizotëronte ngjyra e kuqe—një organizëm gjigant me një kullë befasuese po kaq të tillë. Një volum dhe një sfond i madh, që zhduk çdo shenjë të stadiumit të vjetër, duke kompromentuar rëndë me sfondin e tij kompleksin e Bosios, transparencën drejt pejsazhit të Dajtit dhe sheshin “Italia”, tashmë të goditur më parë nga një hotel i denjë për vendet arabe në lulëzim, nga një kub qelqi pa identitet tre-katër katësh i vendosur në mes të tij, dhe së fundmi nga një parkim, që mbulon sheshin me shumë saktësi deri në centimetrin e fundit.

Videoja ishte një gjetje për të na treguar se Tirana po bënte kështu të njejtën gjë që po bënin edhe qytete të tjera europiane me stadiumet e tyre, si Barcelona, Madridi apo Londra, dhe për të na bindur për ngjashmëritë dhe koherencën e kësaj nisme tonën me perëndimin. Por për çdo profesionist, stadiumi i ri i Tiranës është dukshëm në një kontekst tjetër me nuanca të ndryshme urbane në lidhje me qytetin nga rastet e tjera europaine.

Le të ndalemi fillimisht dhe të bëjmë një pyetje: A duhet ky stadium i ri në këtë vend? Çfarë rreziqesh i shtohen Tiranës nga futja e një strukture të tillë në qendër të saj, që në tipologjinë e ndërtimeve në qytete është nga më të mëdhatë, ndoshta më i madhi dhe çdo herë më shumë problematik se sa frutsjellës, veçanërisht për qendrat e qyteteve.

Një nga njohësit më të mirë të jetës së qyteteve dhe qytetërimeve Claude Lévi-Strauss, pyetjes se cili është rreziku më i madh që i kanoset sot qyteteve, i përgjigjet qartë dhe pa dyshime: mbipopullimi. E thënë shkurt, mendoj se ky stadium me infrastrukturën e tij mbipopullon në mënyrë të panevojshme qendrën e Tiranës, e cila tashmë në një nxitim “me goditje të përqendruar”, i ka përqendruar të gjitha iniciativat artistiko-arkitekturore në aksin e Bulevardit dhe rreth tij, me idenë e rimëkëmbjes së qytetit.

Kjo sjellje mendoj se rrezikon të bëjë të kundërtën, degradimin e tij, ndërkohë që rimëkëmbja e vërtetë e qyteteve fillon nga periferitë. Qyteti i së ardhmes gjendet rreth qytetit të së tashmes, pra, në periferi. Gjallëria e kërkuar dhe argumentuar nga ky projekt në këtë vend është pa kuptim, për sa kohë periferitë janë të vdekura dhe të gjallërosh më tej këtë kompleks, do të thotë edhe një çnatyralizim i pakuptimtë i atmosferës autentike të tij.

Përse dhe në emër të kujt duhet ta bëjë ky kompleks këtë sakrificë? Përqendrimi i projekteve në qendër, në vendin më të dukshëm, nuk është tjetër veçse një përpjekje për t’u dukur, për të goditur syrin me çdo kusht, një gabim etik dhe estetik në të njëjtën kohë dhe aspak me pasoja të qëndrueshme për qytetin.

Ky projekt mendoj se asgjëson përfundimisht sheshin “Italia” dhe bashkë me të edhe kompleksin dhe kjo nuk është vetëm një fitore e radhës e “pallatit” mbi “sheshin”, por edhe e logjikës ekonomike mbi atë arkitekturore, një humbje e kontrollit të qytetarëve mbi qytetin e tyre, e cila të çon pashmangshmërisht në përkeqësimin e kushteve të tyre të jetesës.

Humbja e sheshit dhe e kompleksit vjen si pasojë e ndryshimit të menjëhershëm të përmasës me të cilën kjo strukturë “shumëfunksionale” do t’i shërbejë si sfond, i vëllimit të papërballueshëm të saj dhe arkitekturës aspak miqësore ndaj travertinit zhurmëpak, por plot dritë të Bosio-s.

Gjigantizmi i projektit absorbon këtë kompleks, shkatërron shpirtin dhe aromën e tij, me anë të një arkitekture që nuk ka të njëjtën rezonancë me të dhe të një fasade, që duhet ta them është një autoreferencë e projektit të realizuar nga e njëjta studio (ARCHEA) më 2008 në Tiranë, të quajtur “4 Evergreen”, (e cila vetë është një përsëritje antikontekstuale në Tiranë e një projekti tjetër të saj, “ Torre delle Arti”, në zonën Montedison në Milano, 2006, shih foton) ku qilimat jeshil me një “tout court” të pajustifikuar, përsëriten në një tjetër kullë me stadium, por kësaj radhe me ngjyrë të kuqe, në një variant “Forever Red”, ku përdorimi i së kuqes së flamurit dhe kombëtares është një naivitet arkitekturor që e ul atë në nivelin populist të tifozerisë, që nga ana tjetër e bën edhe më korrodues dhe refraktar efektin mbi kompleksin, përfundimisht një “coup de grâce”.

13086836_235661193461377_3327670139227791080_o

Kjo aventurë arkitekturore vazhdon më tej me shtrimin e “tapetit të kuq” që nga kolonada e deri tek hyrja e stadiumit të ri, duke e kthyer të parën një portë hyrëse për të dytën, pra duke spostuar vizualisht fasadën e kuqe dhe gjigante të stadiumit të ri edhe me 100 metra të tjera përpara dhe bashkë me të, dhe efektin “hollivudian” të tij deri në sheshin “Nënë Tereza”. Pra faktikisht tifozët do të fillojnë hyrjen për në stadium tek Kolonada, do të ecin mbi tapetin e kuq duke u ndjerë të rëndësishëm, do të marrin sandwich-in me birrë në të djathtë tek “Kolonat”, e duke u përshëndetur nga Big Brotherat prej kullës-pallat në të majtë, do të hyjnë në stadium të shohin ekipin e zemrës.

Për Tiranën, Kompleksi i Universitetit ka të njëjtën vlerë dhe domethënie si Santa Maria del Fiore për Firencen. Pyetja që më del vetiu është, se si ka mundësi që një arkitekt fiorentin e nënvlerëson këtë dhe asgjeson me një lehtësi befasuese një shesh dhe një kompleks nga më identitarët në Shqipëri, por dhe një nga simbolet kryesore të qytetit dhe kujtesës së tij.

Përgjigja e parë mendoj se gjendet jashtë kritikës për projektin, faktit se ai nuk iu nënshtrua një konkursi të gjerë, të hapur, të ndershëm dhe me common sense, i cili përbën hapin e parë të pjesëmarrjes së qytetit dhe të zbatimit të së drejtë së njerëzve të tij për tu kujdesur për të, çuditërisht një praktikë ende e pa zbatuar deri më sot. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të marrë propozimin e duhur, duke rritur edhe më tepër përgjegjësinë e projektuesve dhe larguar show-n e panevojshëm.

Përgjigjen tjetër mund ta gjejmë tek binomi projektues-porositës, që janë Krijuesit e veprës arkitekturore. Po tentoj të jap versionin tim, por me fjalët e një arkitekti tjetër, nga më të mëdhenjtë e shekullit 20-të, i vetmi jo fiorentin në këtë histori fiorentine, gjermano-amerikani Ludwig Mies van der Rohe, asnjë Vepër nuk mund të jetë më e mirë se sa Porositësi i saj.

Unë nuk mendoj se ky është projekti që na duhet, por nuk mund ta them unë se kush mund të jetë ai që duhet. Ajo që mund të them është se ky ndërtim në atë vend nuk duhet. Stadiumi duhet të ndërtohet në një tjetër vend: së pari, për respekt të ansamblit që na kanë lënë dhe do e lëmë trashëgim; së dyti, për të mos rënduar e mbipopulluar më tepër një zonë së cilës po ia marrim shpirtin duke e ndërtuar qoftë edhe me “cilësi”, por nga ana tjetër dhe për të gjallëruar e rimëkëmbur zona të tjera të cilat mezi presin.

Me përulësinë që na i kërkon ky zanat unë thjesht mendoj të ndalemi, të marrim frymë thellë dhe të mendohemi më gjatë ashtu siç e meriton ky vend por dhe ky qytet i sakatuar dhe i tejlodhur nga historitë me arkitektë e projekte arkitekturore.

Tetëdhjetë vjet më parë kur Bosio planifikonte stadiumin në këtë zonë, ajo ishte një periferi; sot ajo edhe falë projektit të tij është zona më e lakmuar e Tiranës, që rritja e qytetit e ka bërë Qendër me një mbipopullim shqetësues. Për të mos bërë edhe më tepër polemikë me ata që me entuziazmin dhe padurimin e justifikuar të njerëzve që duan ta shohin këtë qytet më të mirë e quajnë këtë një projekt madhështor, modern, fantastik, apo me frazën çarmatosëse “thjesht mua më pëlqen”, pra edhe duke u munduar ta shoh me sytë e tyre, mua përsëri më duket se nuk shkon, sepse edhe nëse është kështu, “nuk ka më keq se t’i përgjigjesh mirë një çështjeje të gabuar”, për më tepër kur kjo është një çështje arkitekturore.

Lajme te ngjashme