Si u privatizua de facto Stadiumi Qemal Stafa – Exit Shpjegon

Një pjesë e terrenit aktual dhe vetë stadiumi i ri kombëtar, praktikisht, janë privatizuar, duke shmangur të gjitha procedurat dhe rregullat që ekzistojnë për privatizimet apo edhe konçesionet.

Kjo gjë është arritur përmes një sërë vendimesh e veprimesh në vite, të marra fillimisht nga Qeveria Berisha dhe pastaj, nga Qeveria Rama. Më poshtë është një shpjegim kronologjik i këtyre vendimeve.

1. Stadiumi Qemal Stafa fillimisht u bë pre e politikës publike të dhënies me qira të pronave shtetërore—politike, e nisur në mesin e viteve 1990-të, e cila vazhdon deri më sot. Të gjitha mjediset e stadiumit u dhanë me qira e vazhdojnë të përdoren nga operatorë privatë për gjithfarë lloj biznesesh, përfshi dyqane qoftesh, restorante, bare, qendra llotosh, palestra, lavazhe makinash, mekanikë makinash, etj. Aktualisht, stadiumi nuk ka asnjë mjedis për qëllime sportive, pasi të gjitha janë dhënë me qira në palë të treta.

Absurdi i kësaj politike arriti deri atje sa holli kryesor hyrës i stadiumit, ai nga i cili hyhet në fushën e futbollit, është shndërruar në bar prej më shumë se 16 vjetësh, duke u bërë kështu një ndër çuditë unike të botës: për të hyrë në një fushë futbolli duhet të kalosh përmes një bari.

Kjo politikë e tjetërsimit të mjediseve të stadiumit u shoqërua në vite me lënien pas dore të të gjithë infrastrukturës sportive të stadiumit, përfshi fushën dhe shkallët.

Si rezultat, sot Stadiumi Qemal Stafa është një objekt krejtësisht i rrënuar, i papërshtatshëm për çdo lloj aktiviteti sportiv edhe pse aty luhen ndeshjet e kampionatit të futbollit.

2. Gjendja e mjeruar e stadiumit e bëri të nevojshme rindërtimin e tij ose ndërtimin i një stadiumi të ri. Kjo gjë u bë domosdoshme pasi UEFA e vendosi stadiumin në listën e zezë të stadiumeve ku nuk mund të zhvilloheshin ndeshje ndërkombëtare.

Për këtë arsye, në vitin 2011, qeveria dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) vendosën të kontribuonin së bashku për një stadium të ri. Megjithatë, pa dhënë ndonjë arsyetim apo shpjegim, ato vendosën ta realizonin investimin përmes një kompanie të përbashkët tregtare që do të krijonin për këtë qëllim.

Fillimisht, formula e rënë dakord ishte që qeveria të kontribuonte duke i kaluar kompanisë së përbashkët pronësinë e Stadiumit Qemal Stafa dhe terrenit të tij (afërsisht 35 mijë metra katrorë), i vlerësuar rreth 50 milionë euro; ndërsa FSHF do të kontribuonte në kompani me shumën rreth 20-25 milionë euro, sa vlerësohej afërsisht kostoja e ndërtimit të stadiumit të ri. Në përputhje me këto kontribute, u ra dakord që aksionet në kompaninë e përbashkët të ishin afërsisht 65-75 për qind për qeverinë dhe 25-35 për qind për FSHF-në.

Megjithatë, në praktikë ndodhi diçka tjetër. Në shkurt 2011, Qeveria vendosi, me vendimin 79 të Këshillit të Ministrave, krijimin e kompanisë së përbashkët, të quajtur “Qendra Sportive Kuqezi sha” (nuk ka asnjë lidhje dhe nuk duhet ngatërruar me Shoqatën Kuq e Zi) dhe kalimin e stadiumit në pronësi të kësaj kompanie. Por, në mënyrë të pashpjegueshme dhe të dyshimtë, qeveria nuk kërkoi asnjë kontribut në para nga FSHF në këtë kompani. Për më tepër, qeveria vendosi që aksionet e Qendrës Sportive Kuqezi sha (QSKZ) të ishin 75 për qind për FSHF-në dhe 25 për qind për qeverinë, përfaqësuar nga Ministria e Kulturës. Asnjë justifikim nuk u dha pse qeveria mbeti në minorancë në QSKZ edhe pse kontribuoi në të stadiumin e vlerësuar rreth 50 milionë euro, ndërsa FSHF-ja nuk dha asnjë kontribut.

E vetmja gjë normale në vendimin e kalimit të stadiumit në favor të QSKZ-së ishte përcaktimi se terreni i stadiumit nuk mund të tjetërsohej për aktivitete josportive.

3. Krijimi i një shoqërie tregtare për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar i hapi, praktikisht, rrugën shmangies në këtë proces të të gjitha ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e sektorit publik.

Duhet pasur parasysh se FSHF është e përcaktuar ligjërisht (në ligjin për sportet) si organizatë private dhe jo publike. Kjo do të thotë se një kompani në pronësi 75 për qind të saj, konsiderohet kompani private dhe jo publike (për më tepër nuk ka as të paktën super vizimin që FSHF mund të ketë nga klubet përbërëse dhe organizatat e tjera publike.) Kjo do të thotë se QSKZ nuk i nënshtrohet rregullave për institucionet publike, përfshi kompanitë publike. E thënë ndryshe: kompania QSKZ nuk është e detyruar të zbatojë ligjet e prokurimit publik, si dhe nuk është e detyruar të bëjë transparencë apo ofrojë informacion për publikun, siç kërkojnë ligjet për transparencën dhe informimin e publikut për institucionet publike, përfshi kompanitë publike.

Me fjalë të tjera kjo do të thotë se QSKZ mund të vendosë ta bëjë investimin si të duan drejtuesit e saj, pa i dhënë llogari askujt, as publikut dhe as qeverisë.

4. Pas krijimit të kompanisë QSKZ, FSHF vendosi të mos investonte asnjë vlerë monetare për ndërtimin e stadiumit të ri. Qeveria nuk i bëri presion FSHF-së, por ra dakord me të që të tentonin dhënien me koncesion të ndërtimit dhe administrimit të stadiumit të ri. Kjo formulë dështoi edhe pse u bë një tender dhe u zgjodh një kompani fituese, për shkak se stadiumi nuk mund të mbulojë koston e investimit dhe të administrimit vetëm me anë të biletave dhe aktiviteteve ndihmëse që mund të zhvillojë.

5. Kostoja e ndërtimit të një stadiumi të ri me kapacitet rreth 23 mijë vende llogaritet rreth 23 milionë euro, për një stadium i cili plotëson minimalisht kushtet e UEFA-s. Investimi në këtë shumë ishte plotësisht i mundshëm nga qeveria dhe FSHF, pa pasur nevojën për të gjetur formula koncesionare apo që përfshijnë organizata privatë në investim.

Megjithatë, qeveria Rama vendosi të investojë 5 milionë euro në stadiumin e Elbasanit dhe rreth 18 milionë euro në atë të Shkodrës (në këtë të fundit në bashkëpunim me FSHF-në dhe UEFA-n) dhe asnjë euro për stadiumin e ri kombëtar.

Nga ana tjetër, edhe pse FSHF siguroi nga UEFA rreth 10 milionë euro kompensim financiar për kualifikimin në Francë 2016, përsëri edhe ajo vendosi të mos investojë asnjë euro për stadiumin e ri.

Edhe pse Kryeministri Rama deklaroi se nuk ka fonde për ndërtimin e stadiumit të ri, në fakt ata thjesht kanë zgjedhur t’i çojnë fondet tjetër kund.

Pa dhënë asnjë shpjegim, qeveria dhe FSHF vendosën të përdorin një formulë ta paprovuar ndonjëherë në botë dhe në dukje të dyshimtë: të gjenin një kompani private për të financuar dhe realizuar ndërtimin e stadiumit dhe në vend të pagesës në para, ta paguanin atë në natyrë, duke i dhënë në pronësi një pjesë të stadiumit të ri, si dhe një pjesë të terrenit për të ndërtuar çfarëdo godine për qëllimet e saj private.

Pengesë për këtë lloj modeli të padëgjuar ishte vendimi i kalimit të stadiumit tek kompania QSKZ, i cili ndalonte tjetërsimin e terrenit për qëllime josportive. Për këtë arsye, qeveria Rama në 29 dhjetor 2015 amendoi me anë të Vendimit 1092 të Këshillit të Ministrave vendimin e mëparshëm, duke hequr klauzolën e ndalimit të tjetërsimit të terrenit dhe, madje, duke saktësuar se një pjesë e terrenit mund të tjetërsohet tek private për qëllime josportive.

Ky vendim i qeverisë Rama ashte praktikisht vendim për privatizimin e një pjesë të stadiumit—privatizim krejtësisht i paligjshëm, jashtë çdo lloj konkurrence, standardi dhe procedure ligjore që është në fuqi në Shqipëri për privatizimet apo qoftë edhe për koncesionet.

6. Pak muaj pas vendimit të mësipërm, kompania QSKZ hapi tenderin për të përzgjedhur një kompani private që do të “projektonte, prishte, financonte dhe ndërtonte” stadiumin e ri. Dokumentet e tenderit ishin krejtësisht joprofesionale, me kontradikta dhe paqartësi ligjore dhe teknike. Në mënyrë të çuditshme, dokumentuat përcaktonin se përgjegjësia për aplikimin dhe nxjerrjen e lejes së ndërtimit dhe të gjitha lejeve të tjera për ndërtimin ishte e kompanisë ofertuese.

Formula e zgjedhur për pagesën e kostos së ndërtimit, dokumentet joprofesionale dhe lënia e përgjegjësive për nxjerrjen e lejeve kompanisë ndërtuese, praktikisht bënë që asnjë kompani e huaj të mos kishte interes.

Prandaj nuk ishte e çuditshme që në tender u paraqit një kompani e vetme, kompania fierake Alb-star. Pa asnjë njoftim të mëtejshëm, papritmas para pak ditësh u njoftua se do bëhej prezantimi i projektit të ri dhe në ceremoninë e prezantimit u nënshkrua edhe kontrata.

Në mënyrë të çuditshme, edhe pse stadiumi është ligjërisht në pronësi të QSKZ-së e cila organizoi edhe tenderin, kontrata me kompaninë Alb-star u firmos nga Presidenti i FSHF-së dhe jo administratori i QSKZ-së.

Me sa duket, QSKZ ishte vetëm një sajesë për të shmangur ligjin e prokurimit publik, transparencën dhe çdo lloj monitorimi të procesit të tenderimit.

 

Artikuj të lidhur:

10 pyetje në lidhje me stadiumin e ri kombëtar

Stadiumi i ri kombëtar — një histori e dyshimtë e përvetësimit të pronës publike