Stop kullave! Mjaft më me kulla në këtë qytet! – Deklaratat kryesore të arkitektit italian Paolo Di Nardo

Stop kullave! Mjaft më me kulla në këtë qytet! – Deklaratat kryesore të arkitektit italian Paolo Di Nardo

Qytetarë të Tiranës zhvilluan dje një takim të hapur me arkitektin italian Paolo Di Nardo, rreth zhvillimit urban të Tiranës dhe stadiumit të ri kombëtar, në veçanti.

Arkitekti Di Nardo u bë, befas, i njohur në Shqipëri për reagimin, tashmë të famshëm, të tij për projektin stadiumit të ri: “Do të lidhem me zinxhirë që stadiumi të mos ndërtohet e të mos shkatërrohet monumenti i kulturës se Bozios.”

Disa nga mendimet dhe opinionet kryesore të arkitektit qenë:

  • Përpara çdo zgjedhje arkitektonike dhe urbanistike duhen bërë pyetje me veten dhe të tjerët. Është e domosdoshme të bëjmë pyetje, në Shqipëri dhe Europë. Nuk ekziston një arkitekt që i di të gjitha, nuk ekziston një politikan që i di të gjitha. Ndaj çdo arkitekt duhet të pyesë e të dëgjojë.
  • Gjithmonë i them studentëve të mi se nëse bëni një projekt që ju pëlqen vetëm juve, ka diçka që nuk shkon.
  • Projekti i stadiumit të ri duhet të ishte bërë në tjetër mënyrë: duhet të kishte filluar me një rrugëtim takimesh me qytetarët. Duhen projekte që përfaqësojnë ata që jetojnë në këtë qytet. Në qytet duhen bërë ndërhyrje konstruktive, jo shkatërruese për jetën e qytetarëve.
  • Para se të mendohej për arkitekturën e stadiumit duhej menduar për infrastrukturën e nevojshme për të arritur në stadum.
  • Gabimi i vërtetë për projektin e stadiumit është propozimi i tij në fshehtësi.
  • I gjithë projekti i stadiumit të ri kombëtar është një gabim urbanistik, do të ketë probleme me trafikun, vizionin e qytetit.
  • Nuk mendoj se është faji i arkitektit. Janë drejtuesit politikë që i kanë dhënë atij copën, arkitekti vetëm ka qepur fustanin. Arkitekti interpreton atë që i kërkohet, por është politika që duhet të ketë një vizion për qytetin.
  • Zgjedhja e arkitektëve të huaj për të bërë projekte në Shqipëri ka të mirat e të këqijat e veta. Distanca që ka një arkitekt i huaj është pozitive, pasi nuk ndikohet nga dinamikat politike të vendit, por është negative pasi nuk njeh as problematikat e territorit apo mendimin e atyre që jetojnë aty.
  • Unë jam kundër prishjesh si koncept. Monumentet, qoftë të ndërtuara në komunizëm, janë pjesë e historisë.
  • Monumentet nuk prishen vetëm duke i shembur, por edhe duke ju shtuar atyre objekte të papërshtatshme. Nuk është vetëm shembja e monumenteve gjë e keqe, ndonjëherë të këqija janë shtesat ndaj tyre. Gjithë këto vite kam parë se si në Tiranë janë shtuar ndërtesa dhe më ka ardhur keq, sepse kam kuptuar që ky shtim nuk bazhej në një mendim apo vizion për qytetin.
  • Shpeshherë kam parë të prishen objekte me ndryshimin e qeverive. Duhet ndaluar prishja e objekteve sa herë ndryshohen qeveritë. Mjaft më me këtë mendësi.
  • Kur pashë veprën e Parrenos në hyrje të Kryeministrisë, mendova se ishte thjeshtë për festën e Krishtlindjeve. Arti duhet konsumuar shpejt. Qyteti ka më shumë nevojë për zgjidhje të problemeve.
  • Urbanizmi nuk duhet të bëhet pre e qasjeve egocentrike, për të lënë patjetër shenjë në histori.
  • Kur dëgjova planin francez për qendrën e Tiranës që propozonte 8 kulla të larta u rrënqetha dhe thashë me vete “Dashtë Zoti ky plan nuk zbatohet kurrë!”
  • Në Bulevardin Dëshmorët e Kombit nuk duhet të ketë ndërtesa as 4 katëshe. Asnjë ndërtesë nuk duhet të kalojë lartësinë e rektoratit apo Unviersitetit të Arteve.
  • Ju duhet t’u thoni stop kullave. Mjaft më me kulla në këtë qytet.
  • Për të mbrojtur monumentet e tjera [kryesisht në Bulevard] ju qytetarët duhet të krijoni debate, forume, diskutime, të përdorni rrjetet sociale, mediat. Nuk duhet të humbisni forcën dhe kurajon!

 

Lajme te ngjashme