Partia Demokratike: Kryeministri Rama e ministri Tahiri në krye të trafikut të drogës

Partia Demokratike akuzoi sot Kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri se po bashkëqeverisin me trafikantët e drogës.

“I kam dërguar një letër zyrtare Edi Ramës, ku i kërkoj monitorimin urgjent të territorit nga ajri, përmes avioneve italianë, dhe publikimin e këtyre pamjeve. Nuk ka përgjigje, sepse droga është tashmë zyrtarisht një biznes qeveritar. Nuk ka asnjë dyshim se ky biznes kriminal drejtohet nga Edi Rama dhe Tahiri”, deklaroi deputeti Flamur Noka, në një konferencë për shtyp.

Ai tha se mbjellja e drogës është pesëfishuar dhe policia e shtetit nuk po merr masa për këtë gjë.

“Çdo kodër e vendit, nga Veriu në Jug është mbjellur me drogë, biznes që kontrollohet nga grupe kriminale në bashkëpunim me drejtuesit e policisë, të cilët kanë shkuar deri atje sa ruajnë dhe kujdesen vetë për parcelat me hashash. Shkëlqejnë në këtë angazhim, krerët e policisë në Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër,” vazhdoi më tej zoti Noka.

Në fund, ai kërkoi ndërhyrjen e partnerëve ndërkombëtarë për të ndalur qeverisjen e vendit nga bandat kriminale.

Lajme te ngjashme