Banka e Shqipërisë nuk e shpëton dot më qeverinë

Banka e Shqipërisë nuk e shpëton dot më qeverinë TIRANE, 30.03.2010 - Godina e Banka e Shqipërisë ATSH.Foto: Agim Dobi

Dy ditë më parë, Banka e Shqipërisë (BSH) uli përsëri normën bazë të interesit nga 1,5 në 1.25 për qind, duke shënuar një rekord të ri historik, në vazhdën e prirjes së viteve të fundit.

Nga viti 2011, BSH e ka ulur 15 herë normën bazë të interesit, por ulja e fundit ishte një lëvizje surprizë në krahasim me mënyrën si Banka ka vepruar në të shkuarën: BSH ka pritur, gjithmonë, disa muaj përpara se të bënte uljen e rradhës. Këtë herë ajo ka ulur normën vetëm një muaj nga ulja e fundit.

Treguesit më të fundit të ekonomisë japin një arsye të fortë për këtë lëvizje të papritur të Bankës. Norma e inflacionit, treguesi kryesor për të cilin BSH ka detyrimin ligjor të mbikqyrë, ka prekur nivele mjaft të ulëta në muajt e parë të vitit, por shënoi nivel veçanërisht shqetësues gjatë shkurtit dhe marsit—respektivisht 0,2 për qind dhe 0,3 për qind—shumë larg nivelit prej 3 për qind, i shpallur si objektiv i politikës së Bankës së Shqipërisë.

Niveli i ulët i inflacionit konsiderohet nga ekonomistët si treguesi kryesor i kërkesës së ulët në ekonomi. Kësisoj, në kushtet e inflacionit të ulët këshillohen politika stimuluese monetare (ulje e normës së interesit) dhe fiskale (rritje të shpenzimeve qeveritare).

Nëpërmjet uljes së rradhës, Banka e Shqipërisë po kërkon të stimulojë ekonominë gjatë një situate të vështirë duke synuar nxitjen e marrjes së kredive nga biznesi dhe individët duke ulur interesin bazë që, si rrjedhojë, duhet të ulë interesin e huave që ofrojnë bankat e nivelit të dytë.

Por përkunder kësaj politike nxitëse të BSH-së, huamarrja po shënon prej kohësh vetëm rënie, duke arritur edhe dhe ajo një minimum historik.

Lëvizja e fundit e BSH-së rrëzon parashikimet e fillimvitit të qeverisë, e cila deklaronte pritshmëri pozitive për ekonominë gjatë 2016-s. Rritja ekonomike e parashikuar nga qeveria në fillimin e vitit ishte 3,4 për qind. Pritshmëria u zbut me kalimin e kohës dhe, në një deklaratë të fundit, Guvernatori i BSH-së Gent Sejko u shpreh se rritja ekonomike parashikohet jo më shumë se 3 për qind.

Por, uljet e njëpasnjëshme të normës së interesit nga BSH tregojnë se edhe kjo rritje, me shumë gjasa, është më e lartë, se sa mund të pritet realisht gjatë këtij viti.

Për më tepër, në raportet e saj Banka po lë të kuptojë se mundësitë e saj për të nxitur ekonominë janë gjithmonë e më të kufizuara.

Më thjesht, Banka po lë të nënkuptohet se ajo ka bërë çfarë mundi dhe, tani, janë instititucionet te tjera përgjegjëset kryesore për situatën e vështirë ekononomike që po kalon vendi.

Tani, Qeveria nuk ka kë të fajësojë veç vetes për gjendjen e rëndë ekonomike të vendit.

Lajme te ngjashme