Kryebashkiaku Veliaj "rrethon" Gjykatën Administrative

Kryebashkiaku Veliaj "rrethon" Gjykatën Administrative

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj organizoi sot punonjës të tij dhe mbështetës të Partisë Socialiste për të protestuar përpara Gjykatës Administrative, e cila kishte në rend dite shqyrtimin e kërkesës për anullumin e lejes së ndërtimit të pallateve nën digën e Liqenit Artificial.

Dje, Zoti Veliaj u kërkoi qytetarëve të Tiranës të mblidheshin për t’i bërë presion gjyqtarëve dhe sot, ai mobilizoi punonjësit e tij dhe mbështetës të PS-së për të inskenuar një “protestë” në stilin e mitingjeve apo spektakleve elektorale.

Policia e shtetit dhe ajo bashkiake, që prej muajsh kanë ndaluar dhe dhunuar protestuesit në Parkun e Liqenit, sot ishin në rolin e ndihmësit dhe lehtësuesit të “protestës” së Zotit Veliaj: policia bllokoi krejtësisht trafikun në rrugën e Durrësit, një nga akset kryesore të Tiranës, për t’i hapur Zotit Veliaj hapësirën e nevojshme për të “protestuar ” në kushte të mira.

Në trotuarin para Gjykatës ishte ngritur një podium për të qëndruar Zoti Veliaj dhe ishte instaluar një qendër zëri me foni të fuqishme koncertesh, të paguara ose me paratë e taksapaguesve ose me favore bashkiake ndaj ofruesve.

Në “protestë” morën pjesë dhjetëra punonjës të Bashkisë Tiranë, të cilët konfirmuan për exit.al se kishin dalë në protestë të organizuar nga drejtuesit e tyre; militantë të PS-së, si dhe deputetë socialistë.

Mes “protestuesve” ra në sy prania e deputetëve Xhemal Qefalia dhe Sadri Abazi, të dy të akuzuar publikisht për ndërtime të paligjshme pallatesh shumëkatëshe.

Kryebashkiaku Veliaj, deputetët Abazi e Qefalia dhe drejtues të tjerë të Bashkisë Tiranë mbajtën njëri pas tjetrit fjalime përpara “protestuesve”. Tema kryesore e tyre ishin akuzat për korrupsion ndaj gjykatësve.

Në mënyrë të veçantë, Zoti Veliaj hodhi akuza dhe kërcënime ndaj gjykatësve dhe Partisë Demokratike. Fjala e tij u ndërpre vazhdimisht nga duartrokitjet e “protestuesve” punonjës të Bashksië.

Ndërkohë disa nga njerëzit e Zotit Veliaj sulmuan verbalisht dhe grisën pankartat e qytetarëve, protestues të vërtetë, të palidhur me Zotin Veliaj dhe Bashkinë Tiranë, pasi disa prej pankartave të tyre kishin parrulla kundër betonizimit të Parkut të Liqenit. Policia shoqëroi në komisiarat tre qytetarë pasi ata hodhën parrulla kundër Zotit veliaj.

Protesta në formë mitingu e Kryebashkiakut Veliaj zgjati për më shumë se dy orë, derisa Gjykata mori vendimin për shtyrjen e seancës gjyqësore në datën 13 maj.

Vendimin e gjykatës, Zoti Veliaj e cilësoi si një fitore të madhe, arritur falë presionit të protestuesve. Kjo “fitore” e tij u shoqërua me duartrokitje nga protestuesit, ndërkohë që bashkëpunëtorët e zotit Veliaj vendosën muzikë për të festuar fitoren.

Lajme te ngjashme