Në mbretërinë e "dembelëve" nuk ka 1 maj

Në mbretërinë e "dembelëve" nuk ka 1 maj

Festa e 1 Majit, festa e punës, kaloi pa u vënë re, ndoshta e anashkaluar nga festa e Pashkës ortodokse, apo ndoshta e harruar nga një shoqëri që ka ndryshuar qasjen e saj ndaj punës ose më saktë ka ndryshuar vetë konceptin dhe vlerën që puna ka pasur gjatë shekullit të shkuar.

Në të gjitha shoqëritë perëndimore fjala “punë” ka një përmbajtje tejet pozitive—e referuar në kushtetuta e ligje, e konsideruar e drejtë dhe detyrë, puna është baza e përparimit dhe zhvillimit të shoqërisë. Krijimi i punës është detyra parësore e një qeverie; të jesh një punëtor i mirë është shkalla e parë e qytetarisë, e respektit që shoqëria ka për ty.

Puna është ose ka qenë motori i vërtetë i të gjitha shoqërive që janë kthyer në shoqëri industriale dhe të zhvilluara, etaloni matës i drejtësisë dhe vlerësimit, instrumenti i parë i emancipimit dhe përmirësimit shoqëror dhe ekonomik; punësimi është mundësia e çdo qytetari për të pasur një jetë dinjitoze dhe për të krijuar një të ardhme.

Si koncept fizik e filozofik, puna është edhe ajo që shndërron një “potencial” në një gjë të bëshme, të vërtetë. Gjithçka që njeriu ka ndërtuar është ndërtuar mbi konceptin e punës, pra të lodhjes, të vullnetit dhe aktivitetit njerëzor, që krijon diçka “të mirë”.

Ky koncept qëndron në themel të evolucionit, të kalimit nga njeriu mbledhës i asaj që natyra ka krijuar të gatshme, në njeriun bujk që punon për të prodhuar atë që i nevojitet për të jetuar.

Romakët e lashtësisë krijuan konceptin e homo faber, njeriu që duke punuar ndërton fatin e tij; më pas i kundërvënë nga antropologjia e homo ludens, njeriu që argëtohet, luan dhe vë bast, pra i dorëzohet fatit.

Kjo lloj dikotomie i ka dhënë përherë jetë shoqërisë perëndimore, frymëzuar nga krishtërimi: puna dhe loja, vullneti racional dhe bastvënia, të ndërtosh të ardhmen apo t’i lëshohesh rastësisë, detyra apo kënaqësia, të punosh apo të spekullosh, të prodhosh apo të tregtosh, të mundohesh apo të shpresosh, të shënjtërosh apo të mëkatosh.

Vënia e punës në qendër të gjithë sistemit politik, social, ekonomik ka qenë vlera themelore, ngjitësi, themeli kulturor, emëruesi i përbashkët i shoqërisë perëndimore të shekujve të fundit. Ndoshta jo monopoli, por padyshim qendra.

Sot në Shqipëri, falë ofertës për punës të ardhur nga jashtë si fasonë dhe qendra telefonike, gjithmonë e më shumë po imponojnë një sistem ku është shkëmbyer shkaku me pasojën, ku punëtori shpërblehet në bazë të asaj që efektivisht prodhon dhe jo më për kohën që i ofron punëdhënësit. Ky sistem ka dy efekte kryesore: shpërndarjen krejtësisht të pabarabartë të pushtetit mes palëve kontraktuese; dhe transferimin e riskut të organizimit së punës (produktivitetit) nga punëdhënësi tek punëtori.

Këto dy gjëra të bëra bashkë provokojnë pakësimin gradual të shpërblimit për njësinë e punës deri në nivele qesharake.

Nga ana tjetër, shoqëria shqiptare propozon modele dhe stile jetese të bazuara mbi luksin dhe konsumin që kërkon sasi parash të cilat nuk mund të arrihen me këtë lloj shpërblimi. Si pasojë, puna, në kuptimin e rrogëtarit, nuk perceptohet më si një zgjidhje e mundshme ndaj projektit të jetës për të rinjtë të lidhur me botën e jashtme.

Sot, të rinjtë shqiptarë me shpërblimin e punës së tyre si rrogëtarë mund të blejnë vetëm cigare dhe ndonjë pije mbasditeve. Ëndrrat dhe aspiratat e tyre kërkojnë burime të tjera ekonomike, që mund të arrihen vetëm duke ndërmarrë shumë rreziqe, në koncept të ngjashme me ato të kumarit, si lloje të ndryshme tregtie ose aktivitete të ndryshme kriminale apo madje edhe vetë kumar: “nëse ecën mirë, shumë mirë; nesë jo, qëndrojmë aty ku jemi dhe nuk kemi humbur asgjë”.

Ndoshta është për këtë arsye pse puna gati është zhdukur nga fjalori politik dhe nga kalendari i festave zyrtare, ndërsa kumari, si basti i emigrimit ose i kërkesës për azil përbëjnë gjithmonë e më shumë alternativën e vetme ndaj krimit dhe aktiviteteve të lidhura me të.

Kemi kaluar nga një fazë në të cilën risku, loja zë vendin e lodhjes, punës.

Një popullatë e tërë, jo saktësisht dembele por tepër pragmatike, e kalon kohën e saj në lokale, duke pritur mundësinë për të fituar mjaftueshëm ose për të ikur, sepse puna e ofruar nga ky sistem nuk i intereson, sepse nuk nevojitet, nuk zgjidh situatën.

Qeveria mund të vazhdojë t’i gjykojë si “dembelë” votuesit e saj, duke arritur vetëm t’i nxehë ata edhe më shumë, por ajo duhet të fillojë të shtrojë problemin, duke nisur nga vetë modeli i shoqërisë që ajo i propozon qytetarëve të saj—shfaqjen e paturpshme të lluksit nga klasa drejtuese e vendit, e cila i  paguan pak dhe keq si punonjësit e saj. Kjo lloj shfaqje e pacipë përfaqëson si shkakun edhe provën e falimentimit të klasës sonë politike e cila nuk dëshiron të merret me votuesit e saj, por vetëm me klientët.

Lajme te ngjashme