Dhunim i ligjit në emër të drejtësisë — Pse reforma nuk mund të votohet më 21 korrik

Dhunim i ligjit në emër të drejtësisë — Pse reforma nuk mund të votohet më 21 korrik

Ishte fillimisht ambasadori amerikan Donald Lu dhe pastaj edhe burime të tjera, që bënë të ditur se reforma në drejtësi do të votohet në Kuvend në datën 21 korrik.

Nëse kjo ndodh, atëhere reforma në drejtësi do të votohet në kundërshtim të hapur me ligjin—pra do të kemi një shkelje të ligjit, pra padrejtësi, në emër të një drejtësie të ardhme.

Sikurse theksuam para disa ditësh në një artikull tonin, shqyrtimi dhe miratimi i ndryshimeve të Kushtetutës bëhet më procedurë të veçantë dhe të mirëpërcaktuar parlamentare. Procedura është parashikuar në detaje në nenin 77, pika a dhe pika b, të Rregullores së Kuvendit—ligji themelor i cili përcakton procedurat dhe rregullat e organizimit, veprimtarisë dhe miratimit të ligjeve nga Kuvendi i Shqipërisë.

Sipas Rregullores, shqyrtimi dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvend duhet të ndjekë fazat dhe hapat e mëposhtëm:

a) Njohja e Kuvendit me propozimin për ndryshimin e Kushtetutës

  1. Procedurat për ndryshimin e Kushtetutës mund të fillojë vetëm me kërkesë të së paktën një të pestës së anëtarëve të Kuvendit—minimumi 28 deputetëve.
  1. Mbasi ka marrë një kërkesë të tillë, shoqëruar me projektligjin e amendamenteve të propozuara, Kryetari i Kuvendit njofton Kuvendin në seancë plenare për kërkesën dhe u shpërndan të gjithë deputetëve tekstin e projektligjit.
  1. Menjëherë pas këtij njoftimi, projektligji për ndryshimet kushtetuese futet në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit.

b) Shqyrtimi në komisione

  1. Jo më shpejt se dy javë nga data e njoftimit në seancë plenare, projektligji duhet të fillojë të shqyrtohet nga një mbledhje e përbashkët e dy strukturave të Kuvendit, Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike e të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit për Legjislacionin. Mbledhja e përbashkët e dy strukturave drejtohet gjatë gjithë shqyrtimit nga Kryetari i Kuvendit.
  1. Në takimin e parë të mbledhjes së përbashkët caktohen: dy relatorë që do t’i referojnë seancës plenare të Kuvendit; një listë me ekspertë kushtetues të cilët do të thirren për t’u dëgjuar në lidhje me ndryshimet e propozuara; si dhe mënyra si projektligji do t’u bëhet i njohur zgjedhësve, pra publikut.
  1. Të gjitha mbledhjet e përbashkëta të bëhen të hapura për median edhe për publikun.
  1. Mbas përfundimit të shqyrtimit nga mbledhja e përbashkët e Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit për Legjislacionin, hartohet një raport mbi projektligjin, i cili i paraqitet seancës plenare të Kuvendit nga dy relatorët. Raporti duhet të përmbajë jo vetëm mendimin e shumicës, por edhe mendimin e pakicës (kur mbledhja e përbashkët nuk ka arritur një konsensus të të gjithë deputetëve anëtarë).

c) Shqyrtimi dhe miratimi në seancë plenare

  1. Seanca plenare për shqyrtimin e projektligjit duhet të thirret jo më parë se dy javë dhe jo më vonë se tre javë nga paraqitja e raportit nga mbledhja e përbashkët e komisioneve parlamentare të përshkruara më sipër.
  1. Shyqrtimi në seancën plenare ndjek këtë rradhë veprimesh: diskutim dhe votim në parim i gjithë projektligjit; shqyrtim dhe votim nen për nen i projektligjit; votim në tërësi i projektligjit.
  1. Votimi për projektligjin bëhet i hapur, pra çdo deputet deklaron haptasi votën e tij.
  1. Miratimi i projektligjit bëhet me dy të tretat e votave të anëtareve të Kuvendit, pra me të paktën 94 vota pro.
  1. I gjithë shqyrtimi dhe votimi në seancë plenare është i hapur për median dhe publikun dhe duhet të transmetohet drejtpërsëdrejti nga Televizioni Shqiptar.

Është e qartë më sipër, shqyrtimi dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese kërkon detyrimisht të paktën 4 javë kohë —me shumë gjasa, edhe disa javë më shumë.

Në bazë të kësaj procedure të detyrueshme ligjore, reforma në drejtësi, e cila përfshin ndryshime kushtetuese, ka pak gjasa të miratohet brenda sesionit të tanishëm të Kuvendit, i cili përfundon brenda korrikut, pra brenda rreth 4 javësh.

Procesi i ndryshimit të Kushtetutës është përcaktuar qëllimisht të jetë i gjatë, të lejojë distancë kohore mes hapave të ndryshëm, si dhe transparencë të plotë ndaj publikut me qëllim që të lejojë jo vetëm kohë për çdo reflektim të mundshëm, por edhe t’i japë mundësi opinionit publik të krijojë gjithashtu mendimin e tij dhe ta përcjellë atë tek përfaqësuesit e tij në Kuvend.

Ndryshimi i Kushtetutës është akti më i rëndësishëm dhe më me pasoja që mund të marrë një legjislaturë dhe, si i tillë, ai duhet të bëhet duke lejuar kohë të mjaftueshme për shqyrtim, studim e reflektim serioz.

Përcaktimet ligjore të miratimit të amendameneteve kushtetuese janë krejtësisht indiferente ndaj mënyrës si hartohen ndryshimet kushtetuese: ato mund të hartohen në çdo mënyrë dhe nga kush do, mjafton që ato t’i propozohen zyrtarisht Kuvendit nga të paktën 28 deputetetë.

Në këto kushte, pavarësisht se ndryshimet e propozuara janë hartuar me komision të posaçëm parlamentar, kjo gjë nuk ndryshon mënyrën e shqyrtimit dhe miratimit të tyre në Kuvend, pasi ligji qartësisht nuk lejon asnjë përjashtim dhe nuk lë vend për asnjë lloj interpretimi.

“Intepretimi” i PS-së se fakti që ndryshimet janë hartuar nga një komision parlamentar lejon shqyrtimin e amedamenteve direkt në seancë plenare është abuziv dhe ndoshta kapërcim kompetencash pasi Kushtetutën mund ta interpretojë vetëm Gjykata Kushtetuese.

Ajo që mund të thuhet është se interpretimi i PS-së nënkupton se meqë ndryshimet janë rënë dakord nga PS dhe PD jashtë parlamentit, atëhere nuk ka nevojë fare për shqyrtim parlamentar por vetëm votim në Kuvend.

Një gjë është e qartë: ligji përcakton se shqyrtimi parlamentar i amendamenteve kushtetuese nuk përfshin vetëm deputetët, por është proces që përfshin informimin dhe transparencën e publikut. Kaq do të mjaftonte që të mos shmangej asnjë hap i parashikuar në ligj, pasi procedura e propozuar shkel detyrimin për informimin e publikut.

Duhet thënë, gjithashtu, se Rregullorja e Kuvendit ishte një nga tre ligjet, miratimi i të cilëve, u vu si kusht i pangociueshëm nga BE-ja për dhënien e statusit të vendit kandidat në vitin 2013. Sot duket absurde që BE duket e gatshme të lejojë shkeljen e tij dhe të përkrahë indirekt një nga problemet kryesore të Shqipërisë: miratimin me ligjeve në letër dhe injorimin e tyre në praktikë.

Lajme te ngjashme