Neni 88 i rekomandimeve të Venecias — Exit shpjegon 

Neni 88 i rekomandimeve të Venecias — Exit shpjegon 

Nenit 88 i rekomandimeve të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi është bërë diskutim i zakonshëm, për shkak të faktit se pakica parlamentare këmbëngul në zgjidhjen e mosdakordësisë me shumicën duke zbatuar rekomandimin e këtij neni (siç kemi komentuar më parë).

Exit shpjegon më poshtë çfarë sugjerohet në këtë rekomandim.

Teksti i Nenit 88 dhe pasojat e tij

Neni 88 i rekomandimeve të Komisionit të Venecias, apo siç njihet ndryshe neni i “vendeve të rezervuara”, ndër të tjera, sugjeron:

“Nëse partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve,  që do të vinë nga jashtë sistemit të drejtësisë, të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), ata mund të zgjedhin një sistem proporcional zgjedhjeje, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive ose çdo lloj modeli tjetër të përshtatshëm, i cili do t’i siguronte opozitës një ndikim të caktuar në procesin e zgjedhjes së tyre.”

Çfarë do të thotë më konkretisht ky propozim?

Së pari, ai thotë që opozita duhet të ketë përfaqësim në zgjedhjen e këtyre kandidaturave, pra anëtarët nuk duhet të zgjidhen me mekanizma që nuk sigurojnë përfaqësimin e opozitës në kandidaturat që zgjidhen.

Së dyti, ai propozon një formulë të caktuar (shpjeguar më poshtë), por le të hapur formula të tjera, të cilat duhet të plotësojnë kushtin që të garantojnë ndikimin real të opozitës në procesin e zgjedhjess.

Varianti i Vendeve të Rezervuara

Formula që përmendet tekstualisht në rekomandin, i ashtuquajturi mekanizëm i “vendeve të rezervuara”, garanton që vendet e anëtarëve, nga jashtë sistemit, në katër institucionet e reja duhet t’u rezervohen, në mënyrë proporcionale, propozimeve të shumicës dhe pakicës parlamentare—pra, një numër i caktuar i anëtarëve duhet të zgjidhen me votim nga kandidaturat e propozuara nga shumica dhe një numër tjetër i caktuar anëtarësh duhet të zgjidhet nga kandidaturat e propozuara nga pakica. Raporti i vendeve të rezervuara për shumicën dhe pakicën duhet të përcaktohet proporcionalisht me përqindjen e vendeve që shumica dhe pakica kanë në Kuvend.

Për ta ilustruar këtë mekanizmin, le të marrim rastin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ).

KLGJ do të përbëhet nga 11 anëtarë, 6 nga të cilët do të jenë gjyqtarë dhe do zgjidhen me votim nga të gjithë gjyqtarët e vendit, kurse pesë të tjerë janë juristë të cilët nuk janë pjesë e sistemit të drejtësisë, pra janë juristë nga jashtë sistemit.

Nëse zbatohet rekomandimi i Nenit 88 të Komisionit të Venecias, zgjedhja e këtyre pesë anëtarëve të KLGJ-së që vinë nga jashtë sistemit duhet të bëhet me procedurën e mëposhtme:

  • Shumica (PS plus aleatët e saj) dhe pakica parlamentare (PD plus aleatët e saj) përgatit secila një listë të veçantë me kandidaturat që ato propozojnë për anëtarë të KLGJ-së.
  • Lista e propozimeve të shumicës i nështrohet, veçmas, votimit për të zgjedhur prej saj tre anëtarë të KLGJ-së, me shumicën e tre të pestave të Kuvendit. Kurse me votim të veçantë të listës së propozuar nga pakica zgjidhen, me tre të pestat e Kuvendit, dy anëtarët e tjerë të KLGJ-së.
  • Kjo metodë garanton që nuk do të ketë bllokim të procesit të zgjedhjes pasi, rezervimi i vendeve për propozimet përkatëse mes shumicës dhe pakicës shmang përplasjet dhe mundëson bashkëpunimin.

Një variant i kësaj procedure është që shumica dhe pakica të propozojnë secila nga dy anëtarë, kurse anëtari i pestë të propozohet nga shoqëria civile dhe të miratohet me tre të pestat e votave në Kuvend.

Varianti aktual i shumicës

Në variantin aktual që mbështetet nga Kryeministri Rama, procedura e zgjedhjes është si më poshtë:

  • Anëtarët e KLGJ-së duhet të zgjidhen nga pesë grupime të ndryshme juristësh jashtë sistemit gjyqësor-prokurori: një anëtar nga rradhët e avokatëve, një anëtar nga rradhët e noterevë, një anëtar nga rradhët e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar nga rradhët e pedagogëve jogjyqtarë të Shkollës së Magjistraturës dhe një anëtar nga shoqëria civile.
  • Secili prej grupimeve të mësipërme paraqit disa propozime kandidaturash për anëtarin e tij përfaques, nga të cilët Kuvendi duhet të zgjedhë me votim tre të pestat një anëtar të KLGJ-së. Kjo do të thotë që do të ketë pesë votime të veçanta për të zgjedhur, në mënyrë të pavarur nga çdo votim, një anëtar të veçantë.
  • Në rast se nuk arrihetshumica tre të pestat—çka është shumë e mundshme duke patur parasysh natyrën konfliktuale të marrrëdhënieve shumicë-pakice—procedura përsëritet përsëri me pesë grupe të reja propozimesh nga secili prej grupeve propozuese.
  • Nëse edhe në votmin e dytë nuk arrihet përsëri shumica e nevojshme, atëhere zgjedhja e anëtarëve të KLGJ-së mes emrave të propozuar nga secili grupim propozues nuk do të bëhet më nga Kuvendi, por nga Këshilli i Lartë i Emërimeve, një tjetër mekanizëm i krijuar nga reforma (të cilin e kemi shpjeguar më parë këtu.)

Kjo do të thotë se në këtë variant, zgjedhja e anëtarëve të pesë institucioneve të përmendura më sipër do të bëhet, praktikisht jashtë Kuvendit, çfarë është një rast i rrallë në mos unik në botën demokratike perëndimore.

Lëshimi i Kryeministrit Rama për votimin me dy të tretat

Për variantin aktual të shumicës (më sipër), Kryeministri Rama bëri, para pak ditësh, lëshimin që në vend të votimit me tre të pestat (84 deputetë), ai është gati të pranojë votimin me dy të tretat (94 vota).

Por ky lëshim nuk ka ndonjë pasojë apo vlerë praktike, pasi, sikurse u shpjegua më sipër, në këtë variant Kuvendit rrallë do t’i mbetet zgjedhja e anëtarëve—me shumë gjasa, Kuvendi do të bllokohet, qoftë edhe si presion për çështje të tjera, dhe zgjedhja e anëtarëve do t’i kalojë Këshillit të Emërimeve, i cili nuk ka asnjë lidhje me Kuvendin, as në mënyrën e zgjedhjes së tij dhe as në mënyrën e funksionimit apo të kontrollit ndaj tij, duke shmangur kështu çdo ndikim të opozitës në proces.

Lajme te ngjashme