Çfarë është një “vijë e kuqe” – Exit shpjegon

Çfarë është një “vijë e kuqe” – Exit shpjegon

Sidoqoftë deri ditën kur PD të votojë reformën në drejtësi [mënyra e propozuar e kryerjes së] vetingut do të jetë vija e kuqe e pakapërcyeshme.

Kështu u shpreh Kryeministri Rama, duke përdorur një metaforë të pazakontë në shqip. “Vija e kuqe” është në fakt frazë e zakontë vetëm në diskutimin politik amerikan, edhe pse është përdorur edhe nga politikanë të ndryshëm botërorë, kryesisht në kontekstin e politikës së jashtme.

Por edhe në SHBA janë të paktë janë ata që ja dinë kuptimin kësaj metafore dhe të shumtë ata që e keqkuptojnë. Vetë Kryeministri Rama duket se e ka përdorur në një kuptim dje kontekst të dyshimtë. Në fakt, Kryeministri Rama dhe stafi i tij kanë prirjen të gjejnë duke kërkuar në Google citate, thënie dhe terma tipikë për politikën amerikane, të cilat i përfshijnë në fjalimet e Kryeministrit, jo rrallë në mënyrë të pasaktë apo të pakuptimtë.

Në zhargonin politik amerikan, “vija e kuqe” është diçka e papranueshme apo e patolerueshme. Që diçka të jetë vijë e kuqe, do të thotë se nëse ajo ndodh, bëhet apo arrihet, atëhere a) do të ketë pasoja ndëshkuese; ose b) nuk mund të ketë më kthim mbrapa në rrjedhën me pasoja të dëmshme të diçkaje.

Përdorimi më i famshëm i metaforës është nga Presidenti amerikan Obama në vitin 2012, kur ai paralajmëroi Presidentin Asad të Sirisë se për administratën e tij përdorimi i armëve kimike nga kundër forcave opozitare ishte një “vijë e kuqe”—duke nënkuptuar se nëse shkelej kjo vijë, pra nëse Presidentin Asad do të përdorte armë kimike kundër popullit të tij, SHBA-të nuk do të rrinin më indiferente.

Në fakt, Presidenti Asad i përdori armët kimike duke vrarë mijëra qytetarë, por Presidenti Obama vendosi të mos ndërhynte në Siri edhe pse ishte shkelur “vija e kuqe”, duke e nxitur, kështu, Senatorin McCain, ish rival i tij në garën presidenciale, të ironizonte se “siç duket vija e kuqe e Presidentit Obama ka qenë shkruar me bojë që del shpejt.”

Origjina e metaforës nuk është shumë e qartë dhe ekzistojnë një sërë shpjegimesh të ndryshme për të.

Një verison jep si origjinë marrëveshjen, e ashtuquajtur Marrëveshja e Vijës së Kuqe, mes partnerëve të Kompanisë Turke të Naftës (Turkish Petrolium Company – TPC). Në marrëveshje partnerët e TPC-së—disa nga kompanitë kryesore amerikane, britanike dhe franceze të naftës—u angazhuan se nuk do të ndërmerrnin asnjë sipërmarrje individuale në fushën e naftës në territorin e ish-Perandorisë Otomane, zonë në të cilën ata do të vepronin vetëm bashkarisht përmes TPC-së. Por duke qenë se kufijtë e ish-perandorisë në atë kohë nuk ekzistonin më, gjatë negociatave ishte i paqartë territor i saktë që duhej të përfshihej në marrëveshje. Prandaj, një prej partnerëve mori një laps të kuq dhe vijëzoi në hartën që kishin përpara territorin e përafërt të ish-perandorisë otomane, brenda së cilit asnjë nga partnerët nuk duhet të kërkonte apo nxirrte naftë individualisht. Harta me vijën e kuqe iu bashkangjit marrëveshjes, prandaj marrëveshja u njoh me emrin Marrëveshja e Vijës së Kuqe. Frymëzuar nga ky rast, ‘vija e kuqe” mund të jetë përdorur si metaforë e një kufiri apo pozicioni që nuk duhet shkelur në marrëdhënie mes palësh.

Një shpjegim tjetër i mundshëm është se shprehja është futur në fjalorin politik, këto 50 vitet e fundit, duke marrë shkas nga vija e kuqe në treguesin e e xhirove të motorit të makinës—vijë e cila shënon kufirin kur xhirot e makinës janë më të mëdha se sa lejon standardi i sigurisë së makinës.

Një tjetër shpjegim thotë se shprehja ka rrjedhur nga fraza “vizë e hequr në rërë”, me origjinë në historinë e Romës së lashtë. Rreth vitit 168 p.e.s., Roma dërgoi një misionar të posaçëm, të quajtur Popillius, për t’i dhënë urdhër Mbretit Antiok IV të Mbretërisë Seleucide (mbretëria përfshinte afërsisht territorin e sotëm të Sirisë dhe Irakut) të hiqte dorë nga plani ti tij për të sulmuar Aleksandrinë. Mbreti Antiok u përpoq të fitonte kohë dhe të mos i jepte përgjigje menjëhere Popilliusit. Por ky i fundit e kuptoi këtë gjë, prandaj bëri një vizë në rërë përqark Mbretit Antiok dhe i tha atij se duhet të merrte një vendim para së ta kapërxente vizën në rërë (që do të thotë brenda kohës që Mbreti mund të qëndronte në këmbë pa u lodhur sa do të donte të lëvizte). Pas këtij veprimi, Antioku iu bind menjëherë kërkesës së Romës.

Pavarësisht origjinës, është e qartë se “vija e kuqe” është një ekstrem, një maksimum i tolerimit të lejuar: nëse vija e kuqe arrihet, e thënë ndryshe shkelet, kjo gjë sjell pasoja. Ajo është e kundërta e një minimumi, një baze, një themeli, një standardi të domosdoshëm, apo një kushti të panegociueshëm.

Prandaj, përdorimi i metaforës nga Kryeministri Rama duket jo shumë i goditur, pasi ai ka dashur të thotë se është i gatshëm të diskutojë për çdo gjë, por nuk do të negociojë në asnjë rast mënyrën e zgjedhjes së institucioneve që do të kryejnë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo do të thotë se formula e parashikuar në draftin e reformës është diçka e dëshirueshme, madje pikë apo çështje e panegociueshme apo pozicion nga i cili Kryeministri nuk heq dorë, por jo një “vijë e kuqe” e cila po u arrit sjell pasoja të dëmshme.

Gjithsesi, nëse qëllimi i Kryeministrit në përdorimin e metaforës ka qënë për t’u dukur apo tingëlluar si amerikanofil apo i shumëditur dhe intelektual para qytetarëve, përdorimi i saj mund të ketë qenë i goditur, pavarësisht se ajo mund të mos jetë metafora më e gjetur për të përshkruar situatën.

Fakti që Kryetari i Kuvendit Meta dhe shumë media e morën dhe e përsëritën metaforën e Kryeministrit është tregues se Zoti Rama ka ndikim të madh edhe kur thotë gjëra jo shumë të goditura.

Lajme te ngjashme