Ndryshimet që sjell reforma në drejtësi – Exit Shpjegon

Nga Ilmi Rehova
Ndryshimet që sjell reforma në drejtësi – Exit Shpjegon

Dy qëllimet kryesore të reformës në drejtësi janë rritja e pavarësisë të sistemit, veçanërisht nga ndikimi politik, dhe çlirimi i tij nga korrupsioni e paaftësia.

Reforma e propozuar është shumë e thellë dhe prek, pa asnjë përjashtim, çdo element të sistemit aktual të drejtësisë. Për të krijuar një ide të përmasave të saj, më poshtë janë disa të dhëna rreth shtrirjes së reformës:

  • Ndryshimet prekin, pa asnjë përjashtim, çdo kategori dhe çdo nivel të institucioneve të sistemit të drejtësisë—sistemin e prokurorisë; sistemin e gjyqësorit; dhe institucionet e tjera që sigurojnë mbarëvajtjen e sistemit, përfshi Presidentin dhe Kuvendin.
  • Nga 26 nene të Kushtetutës që i përkasin sistemit të drejtësisë, reforma ndryshon 21 prej tyre—mbeten pa ndryshuar vetëm pesë nene që kanë të bëjnë me elementë dytësorë.
  • Neneve të Kushtetutës në lidhje me sistemin e drejtësisë u shtohen të paktën 23 pika të reja.
  • Shkrihen tre institucione të përcaktuara në Kushtetutë dhe krijohen të paktën 13 institucione të reja.

Zbatimi i reformës, perveç ndryshimeve kushtetues, do të kërkojë ndryshimin apo hartimin edhe rreth 50 ligjeve të tjera dhe dhjetra akteve nënligjore.

Përveç ndryshimit rrënjësor të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë, reforma parashikon një sërë masash kalimtare, të cilat kanë për synim pastrimin e sistemit aktual nga individë të korruptuar dhe të paaftë. Këto masa janë përfshirë në një aneks të veçantë të draftit të reformës, nën titullin Vlerësimi Kalimtar i Kualifikimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Në këtë artikull të parë, të një serie prej tre artikujsh shpjegues mbi reformën, ne po sqarojmë në mënyrë të përmbledhur ndryshimet kryesore institucionale që propozon reforma. Masat për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe luftimin e korrupsionit do t’i shpjegojmë në një artikull të dytë, ndërsa disa komente tona rreth reformës do t’i përfshijmë në një artikull të veçantë.

1. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED)

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është institucion i ri, i cili krijohet për herë të parë, do të ushtrojë rolin kryesor në emërimet në sistemin e drejtësisë,

Përgjegjësitë kryesore të KED do të jenë:

  • Vlerësimi i përmbushjes së kushteve e kritereve ligjore, profesionale dhe morale nga kandidatët për emërimet në gjithë sistemin e drejtësisë.
  • Për të gjitha emërimet që bëhen nga Kuvendi, KED bën renditjen e kandidaturave të cilat do të votohen për të zgjedhur me tre të pestat e anëtarëve (84 deputetë) kandidaturën që do të emërohet. Kur Kuvendi nuk e arrin shumicën, atëhere kandidatura e renditur e para prej KED konsiderohet e emëruar.

Kjo formulë zbatohet, ndër të tjera, për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pesë anëtarëve jogjyqtarë të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, dhe pesë anëtarëve joprokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Përbërja dhe përzgjedhja e anëtarëve të KED do të behet si më poshtë:

  • KED do të përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët shërbejnë për një mandat një vjeçar, nga 1 janari më 31 dhjetor të vitit përkatës.
  • Anëtarët përzgjidhen, çdo vit, me short, sipas këtij përfaqësimi: 2 anëtarë nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, 1 anëtar nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, 1 anëtar nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, 2 anëtarë nga gjyqtarët dhe 2 nga prokurorët e gjykatave të apelit, dhe 1 anëtar nga gjyqtarët e gjykatave administrative.
  • Anëtarët mund të shërbejnë për më shumë se një mandat, nëse ju bie shorti më shumë se një herë.

 

2. Gjykata Kushtetuese (GJK)

Anëtarët e GJK-së, aktualisht, zgjidhen me propozim të Presidentit dhe miratim me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi (71 deputetë).

Anëtarët e GJK-së do të zgjidhen si më poshtë:

  • 3 anëtarë do të emërohen nga Gjykata e Lartë; 3 anëtarë do të emërohen nga Presidenti; dhe 3 anëtarë nga Kuvendi.
  • Anëtarët që emërohen nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi duhet të përzgjidhen vetëm nga lista e kandidatëve të hartuar dhe renditur për këtë qëllim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
  • Gjyqtarët e emëruar nga Kuvendi do të zgjidhen me tre të pestat e Kuvendit. Nëse në votimin e parë në Kuvend nuk arrin të sigurohet kjo shumicë, atëhere konsiderohet i emëruar kandidati i renditur më lart nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Shkarkimi i anëtarëve të GJK-së, aktualisht, bëhet nga Kuvendi me dy të tretat e anëtarëve të tij (94 deputetë).

Shkarkimi i anëtarëve të GJK-së do të bëhet me vendim të vetë Gjykatës Kushtetuese.

 

3. Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD)

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të shkrihet. Në vend të tij do të krijohen dy institucione—Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (shih më poshtë)—të cilët do të kenë përbërje dhe përgjegjësi të ndryshuara nga ato të KLD-së.

Për referencë, funksionet më të rëndësishme të KLD-së aktuale janë:

  • KLD propozon emërimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkallës së parë dhe apelit në vend, të cilët pastaj emërohen me dekret të Presidentit.
  • KLD përbëhet nga 15 anëtarë që e ushtrojnë mandatin për pesë vjet. Anëtarë të KLD-së janë: Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë të votave, dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve që zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare (shoqata e gjithë gjyqtarëve të vendit).

 

4. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ)

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit është institucion i ri, i cili krijohet për herë të parë—së bashku me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ai do të zëvendësojë KLD-në aktuale.

KLGJ do të jetë përgjegjës për sigurimin e pavarësisë, mbarëvajtjes dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.

Përgjegjësitë kryesore të KLGJ-së do të jenë:

  • KLGJ emëron gjyqtarët e të gjitha niveleve, me përjashtim të atyre të Gjykatës Kushtetuese (shpjeguar më sipër);

Në rastin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, emërimi duhet të dekretohet nga Presidenti, i cili mund ta refuzojë vetëm një herë, për arsye ligjore. KLGJ ka të drejtë ta emërojë kandidatin, edhe pas refuzimit të Presidentit, me votimin e shumicës së anëtarëve të tij.

  • KLGJ vendos për masat disiplinore, përfshi shkarkimin, e gjyqtarëve të të gjitha niveleve, përjashto anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Përbërja dhe përzgjedhja e KLGJ-së do të jetë si më poshtë:

KLGJ përbëhet nga 11 anëtarë: 6 anëtarë janë gjyqtarë dhe zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare; 5 anëtarë janë nga jashtë sistemit (dmth nuk janë gjyqtarë) dhe zgjidhen sipas këtij përfaqësimi:

1 anëtar nga rradhët e avokatëve; 1 anëtar nga rradhët e noterëve; 1 anëtar nga rradhët e pedagogëve të drejtësisë; 1 anëtar nga rradhët e pedagogëve jogjyqtarë të Shkollës së Magjistraturës; dhe 1 anëtar nga shoqëria civile.

Pesë anëtarët nga jashtë sistemit zgjidhen nga Kuvendi dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi sipas kësaj procedure:

  • Për një vend anëtari, propozuesi përkatës i dërgon tre kandidatura Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). KED i verifikon veçant tre kandidaturat e secilit propozues, në bazë të kritereve ligjore, profesionale dhe morale dhe i rendit ato nga më i miri tek më i dobti.
  • Tre propozimet për secilin vend bosh i dërgohen Kuvendit, i cili zgjedh me votim të veçanë brenda treshes anëtarin përkatës të KLGJ-së me shumicë tre të pestat e deputetëve (84 vota).
  • Nëse Kuvendi nuk arrin shumicën prej tre të pestat, e gjithë procedura përsëritet mbi bazën e tre propozimeve të reja nga propozuesi përkatës.
  • Në rast se edhe votimin i dytë nuk nxjerr fitues, atëhere konsiderohet i emëruar kandidati i renditur i pari në dy renditjet e KED-it.

 

5. Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP)

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucion i ri, i cili krijohet për herë të parë. Së bashku me Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, ai do të zëvendësojë KLD-në.

KLP do të jetë përgjegjës për sigurimin e pavarësisë, mbarëvajtjes dhe llogaridhënies në sistemin e prokurorisë.

Të gjitha përgjegjësitë, përbërja dhe përzgjedhja e anëtarëve të KLP-së janë identike me ato të KLGJ-së, përshtatur për sistemin e prokurorisë.

 

6. Gjykata e Lartë

Reforma ndryshon vetëm mënyrën e zgjedhjes dhe shkarkimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Zgjedhja e anëtarëve të GJL-së, aktualisht, bëhet me propozim të Presidentit dhe miratim nga Kuvendi, me shumicë të thjeshtë votash.

Zgjedhja e anëtarëve të GJL-së do të do të bëhet me propozimin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe me miratim formal nga Presidenti. Presidenti ka të drejtë të mos pranojë propozimin e KLGJ-së vetëm një herë dhe vetëm për arsye të përmbushjes së kritereve ligjore, por edhe në këtë rast KLGJ, me votën e shumicës së anëtarëve të tij, e detyron Presidentin ta dekretojë propozimin e tij.

Shkarkimi i anëtarëve të GJL-së bëhet nga Kuvendi, me votimin e dy të tretave të anëtarëve të tij (94 deputetë).

Shkarkimi i anëtarëve të GJL-së do të bëhet me vendim të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.

 

7. Prokurori i Përgjithshëm (PP)

Prokurori i Përgjithshëm (PP) aktualisht shërben për një mandat 5 vjeçar me të drejtë riemërimi.

Prokurori i Përgjithshëm do të shërbejë për një mandat 7 vjeçar pa të drejtë riemërimi.

Zgjedhja e PP-së, aktualisht, bëhet me propozim të Presidentit dhe miratim nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë votash (71 deputetë).

Zgjedhja e PP-së do të bëhet si më poshtë:

  • Këshilli i Lartë i Prokurorisë bën thirrje publike për paraqitjen e interesit për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Nga kandidaturat e vetëparaqitura, KLP përzgjedh tre më të mirat, të cilët i rendit nga më i miri tek më i dobti.
  • Tre kandidaturat i dërgohen Kuvendit, i cili duhet të zgjedhë mes tyre Prokurorin e përgjithshëm me votimin e tre të pestave të anëtarëve të tij.
  • Nëse asnjë nga kandidaturat nuk arrin dot të marrë tre të pestat e votave të anëtarëve të Kuvendit, kandidatura e renditur e para nga KLP konsiderohet e emëruar.

Prokurori i Përgjithshëm, aktualisht, shkarkohet nga Presidenti me propozimin e shumicës së Kuvendit (71 deputetëve).

Prokurori i Përgjithshëm do të shkarkohet nga Tribunali Disiplinor i Drejtësisë.

 

8. Gjykatat e posacme të korrupsionit dhe krimit të organizuar

Reforma urdhëron krijimin e dy gjykatave të posaçme—gjykatën e posaçme të shkallës së parë dhe të apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të akuzave penale kundër funksionarëve të lartë.

Funksionarët e lartë që do të jenë objekti i saj janë: Presidentin dhe ish presidentët; Kryetarin dhe ish Kryetarët e Kuvendit; Kryeministrin dhe ish Kryeministrat; deputetët e Kuvendit; ministrat; ministrat që kanë shërbyer gjatë dy mandateve të fundit; Prokurorin e Përgjithshëm; Inspektorin e Lartë të Drejtësisë; kryetarët e bashkive; zëvendësministrat; anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë; anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë; dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore qëndrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda do të pushojnë së ekzistuari pasi funksionet e tyre do të merren nga gjykatat e mësipërme.

 

9. Prokuroria e Posaçme

Reforma urdhëron krijimin e dy institucioneve të reja të hetimit dhe prokurorisë: Prokurorinë e Posaçme për ndjekjen penale, dhe njësinë e posaçme për hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të akuzave penale kundër funksionarëve të lartë.

Të dy institucionet janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm dhe krijohen me ligj. Prokuroria e Posaçme ushtron funksionet pranë gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Njësia e posaçme hetimore raporton vetëm tek Prokuroria e Posaçme.

Prokurorët e prokurorisë së posaçme shërbejnë për një mandat 9 vjeçar. Ata emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet për një mandat 3 vjeçar, pa të drejtë riemërimi, me votën e shumicës së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë

 

10. Inspektori i Lartë i Drejtësisë

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një institucion i ri, i cili krijohet për herë të parë.

Përgjegjësia kryesore e ILD-së është verifikimi i ankesave kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe të Prokurorit të Përgjithshëm; hetimi i shkeljeve të tyre; dhe fillimi i procedurave disiplinore ndaj tyre.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë do të jetë përgjegjës, gjithashtu, për inspektimin institucional të gjykatave dhe zyrave të prokurorisë.

Përzgjedhja e ILD-së do të bëhet si më poshtë:

  • Inspektori i Lartë i Drejtësisë emërohet për një periudhë 9 vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje. Ai gëzon statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë.
  • Për zgjedhjen e ILD-së, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përgatit një listë me kandidatura, të cilat ai i rendit nga më e mira tek më e dobta, dhe ja dërgon për votim Kuvendit.
  • ILD zgjidhet nga kjo listë me votimin e tre të pestave të anëtarëve të Kuvendit.
  • Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej tre të pestave për asnjë prej kandidatëve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i emëruar.

 

11. Tribunali Disiplinor i Drejtësisë (TDD)

Tribunali Disiplinor i Drejtësisë është institucion i ri, i cili krijohet për herë të parë. TDD shërben për gjykimin e ankesave në lidhje me masat disiplinore ndaj anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Ankimet kundër vendimeve të Tribunalit shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.

Tribunali përbëhet nga nëntë anëtarë: Kryetari i Gjykatës së Lartë; 1 gjyqtar i Gjykatës së Lartë, i zgjedhur me short; 1 gjyqtar nga gjykatat administrative, i zgjedhur me short; 2 gjyqtarë nga gjykatat e apelit, të zgjedhur me short; 2 prokurorë nga gjykatat e apelit, të zgjedhur me short; 1 gjyqtar nga gjykatat e shkallës së parë, i zgjedhur me short; 1 prokuror nga gjykatat e shkallës së parë, i zgjedhur me short.

 

Artikuj të lidhur:

Neni 88 i rekomandimeve të Venecias — Exit shpjegon

Për çfarë nuk u morën vesh PS dhe PD dhe pse amerikanët bënë fajtore PD-në? – Exit shpjegon

Lajme te ngjashme