Të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, shpjeguar — Exit Shpjegon

Të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, shpjeguar — Exit Shpjegon justice statue

Tashmë që pjesa e amendamenteve kushtetuese të reformës në drejtësi u miratua, po bëjmë një përshkrim të institucioneve kryesore të sistemit të ri të drejtësisë.

1. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED)

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën verifikimin, vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për lnspektor të Lartë të Drejtësisë (dy institucionet përshkruhen më poshtë).

KED përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët shërbejnë për një mandat një vjeçar, nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit përkatës.

Përzgjedhja e anëtarëve bëhet si më poshtë:

  • KED ka këtë përbërje: 2 anëtarë nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, 1 anëtar nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, 1 anëtar nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, 2 anëtarë nga gjyqtarët dhe 2 nga prokurorët e apelit, dhe 1 anëtar nga gjyqtarët e gjykatave administrative.
  • Zgjedhja e anëtarëve të KED për çdo vit bëhet nga Presidenti me short mes gjithë gjyqtarëve të trupave të mësipërme.
  • Anëtarët mund të shërbejnë për më shumë se një mandat, nëse ju bie shorti më shumë se një herë.

2. Gjykata Kushtetuese (GJK)

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, që shërbejnë për një mandat 9 vjeçar, pa të drejtë riemërimi.

Anëtarët e GJK-së zgjidhen si më poshtë:

  • Fillimisht, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) vlerëson kandidaturat e paraqitura dhe bën renditjen e tyre.
  • Emërimi i anëtarëve të GJK bëhet sipas kësaj shpërndarje vendim-marrëse: 3 anëtarë emërohen nga Gjykata e Lartë; 3 anëtarë emërohen nga Presidenti; dhe 3 anëtarë nga Kuvendi.
  • Institucioni përzgjedhës përzgjedh nga lista e tre kandidatëve të renditur të parët nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED).
  • Kuvendi e zgjedh anëtarin e GJK-së me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga KED, kandidati i renditur i pari ne listën e KED konsiderohet i emëruar.
  • Shkarkimi i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet nga vetë Gjykata në një proces ku nuk merr pjesë gjyqtari subjekt i procesit.

3. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ)

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) është institucioni përgjegjës për sigurimin e pavarësisë, mbarëvajtjes dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor. Përgjegjësitë kryesore të KLGJ-së janë:

  • Emëron, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve, me përjashtim të atyre të Gjykatës Kushtetuese (shpjeguar më sipër); në rastin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, propozimi i KLGJ-së për emërim duhet të miratohet nga Presidenti (shiko më poshtë).
  • Vlerëson dhe vendos për masat disiplinore, përfshi shkarkimin e gjyqtarëve të të gjitha niveleve, përjashto anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

KLGJ përbëhet nga 11 anëtarë: 6 anëtarë janë gjyqtarë dhe zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare; 5 anëtarë janë nga jashtë sistemit (dmth nuk janë gjyqtarë) dhe zgjidhen nga Kuvendi.

Pesë anëtarët jashtë sistemit zgjidhen sipas këtij përfaqësimi: 2 anëtarë zgjidhen nga trupa e avokatëve; 2 anëtarë nga trupa e pedagogëve të drejtësisë; 1 anëtar zgjidhet nga rradhët e shoqërisë civile. Ata zgjidhen sipas kësaj procedure:

  • Vendi bosh shpallet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i cili fton në një proces të hapur kandidaturat nga publiku. Ai verifikon përputhshmërinë me kriteret e shpallura të kandidimit të çdo kandidature dhe bën një listë me të gjitha kandidaturat, të cilën ja përcjell Kuvendit.
  • Për shqyrtimin e kandidaturave krijohet një nënkomision i Komisionit të Ligjeve të Kuvendit, i cili përbëhet nga pesë anëtarë, 3 nga shumica dhe 2 nga pakica parlamentare.
  • Nënkomisioni zgjedh me votën e të paktën 4 anëtarëve të tij, listën e kandidatëve për anëtarë anëtarë të KLGJ-së. Nëse nuk arrihet shumica prej katër votash, kandidatët përzgjidhen me short.
  • Lista i paraqitet Kuvendit. Brenda 10 ditësh Kuvendi duhet të miratojë me dy të tretat e anëtarëve të tij listën në bllok.
  • Nëse Kuvendi nuk arrin ta miratojë listën, procedura përsëritet për një listë të re. Nëse edhe lista e tretë nuk siguron dy të tretat e Kuvendit, atëhere ajo konsiderohet e miratuar.

4. Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP)

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni homolog i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.

Të gjitha përgjegjësitë, përbërja dhe përzgjedhja e anëtarëve të KLP-së janë identike me ato të KLGJ-së, përshtatur për sistemin e prokurorisë.

5. Gjykata e Lartë (GJL)

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë shërbejnë për një mandat 9 vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Ata zgjidhen nga rradhët e gjyqtarëve që kanë të paktën 13 vjet përvojë në gjyqësor.

Anëtari i GJL emërohet nga Presidenti me propozim të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.

Presidenti ka të drejtë të mos pranojë një propozim të KLGJ-së, por vetëm një herë dhe vetëm për arsye të mospërmbushjes së kritereve ligjore. KLGJ, me votën e shumicës së anëtarëve të tij, mund ta ripropozojë të njejtin individ dhe Presidenti është i detyruar ta emërojë atë.

Shkarkimi i anëtarëve të GJL-së bëhet me vendim të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.

6. Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD)

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është institucioni që verifikon ankesat, heton shkeljet dhe fillon procedimin disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë kryen gjithashtu inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.

ILD-ja shërben për një periudhë 9-vjecare pa të drejtë rizgjedhjeje dhe gëzon statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

ILD-ja zgjidhet me procedurë të hapur publike. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) bën verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e të gjitha kandidaturave që aplikojnë dhe ja kalon Kuvendit.

Kuvendi zgjedh me tre të pestat e të gjithë anëtarëve nga lista e pesë kandidaturave të para në renditjen e KED. Nëse brenda 30 ditësh Kuvendi nuk arrin të zgjedhë asnjë nga kandidaturat, kandidatura e renditur e para në listën e KED-it konsiderohet e zgjedhur.

ILD-ja shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese.

7. Prokurori i Përgjithshëm (PP)

Prokurori i Përgjithshëm shërben për një mandat 7 vjeçar, pa të drejtë riemërimi.

Për zgjedhjen e tij, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) bën një thirrje publike dhe pastaj vlerëson dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar, të cilat ja përcjell Kuvendit.

Kuvendi e zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm me tre të pestat e anëtareve të Kuvendit, nga tre kandidaturat e propozuara nga KLP-ja.

Nese Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve nga KLP, kandidati i renditur i pari nga listën e KLP-së konsiderohet i emëruar.

Prokurori i Përgjithshëm  shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

8. Gjykatat e posaçme të korrupsionit dhe krimit të organizuar

Gjykata e posaçme e shkallës së parë dhe gjykata e posaçme zëvendësojnë dy gjykatat aktuale të krimeve të rënda dhe do të gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe akuzat penale ndaj funksionarëve të lartë.

Funksionarët e lartë që do të jenë objekti i gjykatave janë:

Presidenti dhe ish presidentët; Kryetari dhe ish Kryetarët e Kuvendit; Kryeministri dhe ish Kryeministrat; deputetët e Kuvendit; ministrat; ministrat që kanë shërbyer gjatë dy mandateve të fundit; Prokurori i Përgjithshëm; Inspektori i Lartë i Drejtësisë; kryetarët e bashkive; zëvendësministrat; anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë; anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë; dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore qëndrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj.

9. Prokuroria e Posaçme

Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe perfaqëson akuzën para gjykatave të posaçme të referuara më sipër dhe para Gjykatës së Lartë.

Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë, të cilët shërbejnë për një mandat 9 vjeçar, pa të drejtë riemërimi.

Prokurorët e prokurorisë së posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me një procedurë të hapur dhe publike e cila përcakohet me ligj.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet për një mandat 3 vjeçar, pa të drejtë riemërimi, me votën e shumicës së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Nën Prokurorinë e Posaçme krijohet njësia e posaçme për hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të akuzave penale kundër funksionarëve të lartë.

Të dy institucionet janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm dhe krijohen me ligj.

10. Institucionet e verifikimit (vetingut)

Menjëherë pas hyrjes në fuqi të paketës së reformës do të bëhet riverifikimi i figurës së gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjëve të tjerë të lartë të sistemit të drejtësisë për të përjashtuar nga sistemi të korruptuarit, të paaftët dhe ata që mund të kenë lidhje me krimin.

Ky verifikim do të bëhet nga tre institucione të përkohshme— Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisionerët Publikë dhe Kolegji i Apelimit në Gjykatën Kushtetuese, të ndihmuar dhe vëzhguar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit—të cilët shpjegohen këtu së bashku me mënyrën e kryerjes së vetingut.

Lajme te ngjashme