Pse gabon Romana Vlahutin

Nga Desada Metaj

Ajri, uji ose ndonjë çorbë e gatuar në Shqipëri duhet të kenë veti krejt të veçanta sidomos tek të huajt që jetojnë relativisht gjatë këtu. Diplomatët, ata më të rëndësishmit, madje aq sa dinjitozë dhe mendjembushës sa të shfaqen në fillim, si me magji vetëm muaj më vonë, më shumë se me politikanët tanë, të ngjasojnë me paraardhësit. Që nga gjuha e përdorur, intrigat dhe përfshirjen në politikën lokale deri tek shijet për aktoret apo këngëtaret tona. Madje së fundmi, edhe gjuha e paralajmërimeve për politikanët është krejt arrogante edhe pse ndoshta ata e meritojnë diçka të tillë. Por çdo diplomat sado i rëndësishëm dhe me dashuri të madhe për reformën në drejtësi dhe këtë vend, ka limite që në Shqipëri nuk ekzistojnë pikërisht për shkak të diplomatëve që ulen këmbëkryq dhe janë miqtë më të mirë të kësaj rrace të politikës. Dhe kur limitet shkelen, atëherë dhe deklaratat e kësaj kategorie diplomatësh shndërrohen në mesazhe me gjuhë dhe përfundime të ngjashme me ato të politikës shqiptare.

Pak a shumë me këtë stil ka folur mbrëmë në një studio televizive ambsadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin. E vetëquajtur dhe si ish-analiste në atdheun e saj, zonja Vlahutin ka shpallur mbrëmë dhe “armiqtë” e reformës, që sipas saj janë dhe një pjesë e gazetarëve, të mbështetur nga ato pjesë të politikës që penguan miratimin e reformës në drejtësi.

Edhe me entuziastët, ata që dolën me pankarta në duar përpara parlamentit për të bërë presion për miratimin e reformës e kanë të qartë se ajo nuk do të zgjidhë me magji gjithë hajdutërinë e sistemit shqiptar. Përkundrazi milionat e eurove që BE do të sjellë së shpejti, ndoshta do të jenë burim financimi për OJQ-të e tyre, një tjetër grup hajdutësh që majmen më fondet e BE dhe që shpërndahen sipas preferencave të diplomatëve që janë në Tiranë.

Por le të kthehemi tek “armiqtë” e reformës, ata që zonja Vllahutin i konsideron në intervistën e saj si “persona të cilët e kanë frikë reformën, nuk e duan reformën, do të përdorin shumë lloj mënyrash dhe së pari dhe mbi të gjitha një pjesë të medias për të punuar kundër reformës”.

A e di zonja Vlahutin se në një vend të lirë dhe demokratik mund të ketë gazetarë që nuk e duan një reformë të shkruar shpejt e shpejt dhe me ekspertë me formim të dyshimtë?
A e ka idenë zonja në fjalë, se në Shqipëri ka dhe gazetarë që e njohin rregulloren e Kuvendit dhe e dinë mjaft saktësisht që në miratimin e nxituar të reformës është shkelur neni 77, pika a dhe b që përcakton procedurat e miratimit të ligjeve nga Kuvendi?

Diplomatja tashmë e famshme në Shqipëri, e ngarkuar ndoshta me takime dhe ndeshje futbolli harroi që i gjithë procesi i ndryshimeve të Kushtetutës javët e fundit ishte një proces kulisash, i takimeve të mbyllura, i sms-ve që qarkullonin sa nga një politikan tek një negociator, krejtësisht jo transparent për publikun dhe për median. Nëse zonja Vlahutin arrin të gjejë një procesverbal të mbledhjeve të komisionit parlamentar për reformën apo të takimeve të javëve të fundit, atëherë ajo me gojën plot mund të kërkojë “armiq” në radhët e gazetarëve.

Për ndryshimet ndoshta më të rëndësishme në Kushtetutën e këtij vendi publiku informohej nga gazetarët që prisnin jashtë me orë të tëra për të raportuar në pjesën më të madhe të kohës deklarata dhe fajësime krejtësisht politike. Sepse në sallat e mbledhjeve kur hartoheshin shtojcat e Kushtetutës mund të gjeje politikanë të paaftë juridikisht, ekspertë të paguar, ambasadorë dhe ojq-istë, por asnjëherë gazetarë. Sepse në finale, niveli i negociatave mes politikanëve dhe diplomatëve të huaj e tejkaloi dhe Shqipërinë e viteve ’90, pikërisht për shkak të një procesi të nisur keq dhe me dyshime. Duke vijuar nën presionin e diplomatëve dhe në fund i lënë në dorën e atyre që duan të jenë me çdo kusht në pushtet….duke shkelur afatet, transparencën e munguar dhe takime politiko-diplomatike të përmasave të telenovelave.

Ndaj pas kësaj, nuk ka çudi që veç atyre që ambasadorët kanë takuar personalisht të ketë gazetarë të paqartë për reformën dhe skeptikë për përmbajtjen dhe mënyrën se si u miratua. Sepse për një pjesë jo të vogël të medias me gjithë problemet që ajo vetë, ftesat për pritjet ambasadave dhe kërcënimet për lista të zeza nuk pinë ujë. Sepse në fund të ditës, ata që duhet të hartojnë këto lista, përveç ngazëllimit kur japin intervista triumfuese duke i shpallur luftë korrupsionit dhe “lekëve të pista”, duhet të jenë më të kujdesshëm për lekët me të cilat janë blerë aparatet që i intervistojnë. E më pas të nisin të na shpjegojnë arsyet pse janë selektivë jo vetëm me politikën, por dhe me median. E ndoshta për këtë e ka fajin sërish ajri, uji ose ndonjë çorbë e gatuar në Shqipëri.

Lajme te ngjashme