Një tjetër person i përfshirë në skemën e financimit të paligjshëm të Ramës

Një tjetër person i përfshirë në skemën e financimit të paligjshëm të Ramës

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi të hënën se një tjetër shtetas amerikan ka pranuar akuzat e prokurorisë për përfshirjen në skandalin e 80 mijë dollarëve të financimit të paligjshëm të fushatës së Presidentit Obama.

William Argeros, 57 vjeç nga Tamoa e Floridas, pranoi se në shtator 2012 kishte ndihmuar dhe instruktuar shtetasin amerikan Bilal Shehu të trasferonte 80 mijë dollarë të marra nga një burim i huaj, dhe i kishte treguar si të bënte dhurimin në komitetin e mbledhjes së fondeve për fushatën e Presidentit amerikan.

Ai pranoi gjithashtu se, në shkurt 2015, kishte gënjyer përpara trupit gjykues, kur kishte deklaruar se nuk kishte qënë pjesë e transferimit të 80 mijë dollarëve nga Bilal Shehu. Ky  i fundit i ka pranuar akuzat e prokurorisë për futjen në mënyrë të qëllimshme të 80 mijë dollarëve nga burime të huaja në fushatën e rizgjedhjes së Presidentit Obama.

Ligji federal amerikan i ndalon nënshtetasit e huaj të bëjnë dhurime për fushatat zgjedhore amerikane.

Drejtësia amerikane ka zbuluar se Zoti Bilal Shehu pagoi 80 mijë euro për të siguruar dy bileta, një në emër të tij dhe një në emër të bashkëshortes, për të marrë pjesë në një aktivitet, pjesë e fushatës së Presidentit Obama, në 8 tetor 2012.

Zoti Shehu e ka pranuar se në aktivitet nuk u paraqit bashkëshortja e tij, por një tjetër nënshtetas i huaj, i cili nuk u lejua të hynte por që arriti të bënte një foto me Presidentin Obama në korridorin e vendit ku po zhvillohej aktiviteti.

Edhe pse në asnjë deklaratë të drejtësisë amerikane ende nuk është përmendur emri i Kryeministrit Rama, mediat amerikane kanë konfirmuar se bëhet fjalë për foton e tij me Presidentin Obama, e cila u përdor gjatë fushatës së 2013-ës në Shqipëri nga Zoti Rama për të nënkuptuar se Presidenti i SHBA-ve mbështeste zgjedhjen e tij.

Vetë Kryeministri Rama ka zgjedhur të heshtë dhe nuk e ka përgënjeshtruar personalisht akuzën. Në emër të tij ka reaguar Departamenti i Komunikimit në Kryeministri duke i mohuar akuzat.

Përveç thyerjes së ligjeve amerikane, Kryeministri Rama është paditur nga Partia Demokratike në prokurorinë shqiptare e cilakërkon hetimin e ligjshmërisë së origjinës së parave të paguara nga Zoti Rama.

 

Artikuj të lidhur:

Edi Rama: 80 mijë dollarë për një foto dhe për të shkelur ligjet amerikane

Pse nuk e mohon vetë lidhjen me skandalin e financimit të paligjshëm, Zoti Rama? – Koment

 

Lajme te ngjashme