Kryeministri tifoz në shërbim të kryeministrit hajdut

Nga Neritan Sejamini
Kryeministri tifoz në shërbim të kryeministrit hajdut

Në ditët para dhe pas kualifikimit për në kampionatin evropian, sikurse para, gjatë dhe pas kampionatit evropian, Kryeministri Rama shfaqi interes, përkushtim, dashuri, lidhje e krenari të veçantë për kombëtaren tonë të futbollit, për futbollistët, trajnerin dhe gjithë tifozët kuqezi.

Ai i përkrahu futbollistët, u dha zemër, u dha këshilla, i frymëzoi, u shkruajti letër, i priti, i nderoi, i dekoroi. U shkri e u bë një me ta dhe tifozët, përjetoi të njëjtin ngazëllim, dëshpërim e triumf si ta.

Shumë njerëz, patriotë futbolli apo besimtarë tek çdo njeri që ka pushtet, e përjetuan lumturisht dhe lëvduan sjelljen e tij si të një shqiptari të vërtetë, i cili dëshiron me shpirt suksesin e kuqezinjve, për të valëvitur lart flamurin kombëtar.  Media e përforcoi këtë imazh të Kryeministrit tifoz duke i bërë jehonë çdo çasti dhe detaji të tij.

Por disa komentatorë politikë e kritikuan sjelljen eZotit Rama, duke e shpjeguar si shfaqje të megallomanisë dhe delirit të dikujt që vuan për vëmendje të vazhdueshme dhe pushtet.

Në fakt, të gjithë ranë në kurthin e Kryeministrit: populli u përhumb në delirin e patriotizmit futbollistik dhe e simpatizoi e vlerësoi Kryeministrin kryepatriot; ndërsa komentatorët politikë, me dembelizmin e tyre intelektual, e topitën dhe drejtuan vëmendjen publike në “cilësi” të supozuara të Kryeministrit, të cilat në të vërtetë nuk e shqetësojnë fare atë—në fund të fundit, cili udhëheqës apo artist i madh nuk është akuzuar për i çmendur apo megalloman.

Të gjithë u verbuan dhe nuk panë atë që Kryeministri nuk donte që ata të shihnin: stadiumin Qemal Stafa duke u rrënuar nga themelet. Në mënyrë domethënëse, ndërsa stadiumi hidhej në tokë, vetëm 6-7 metra më tutje qytetarët pinin birrë dhe shihnin futboll në ekranet dhe rehatinë e ofruar plot përkujdesje nga Kryeministri.

Si dhe herë të tjera, Zoti Rama ia doli ta manipulojë opinionin publikun, duke krijuar një fasadë të pëlqyeshme për sytë e botës, ndërkohë që pas fasadës ai grabit e shkatërron për interesat e tij dhe klientëve të tij.

Të gjitha veprimet romantike dhe përkushtimi i “ndjerë” i Kryeministrit për kombëtaren ishin pjesë e një strategjie racionale—të qëllimshme dhe të mirë llogaritur—për të krijuar bindjen se Kryeministri Rama është i dhënë me shpirt pas kombëtares, është një tifoz i çmendur, një kuqezi i vërtetë.

E gjitha kjo për të krijuar besimin publik se projekti i stadiumit të ri nuk është asgjë tjetër veçse vazhdim i përkujdesjes së zakonshme të kryeministrit për kombëtaren, i cili po bën, më në fund, realitet ëndrrën e çdo kuqeziu për një stadium dinjitoz europian.

Ky besim është krijuar tashmë—një pjesë e publikut e do projektin e stadiumit, kurse pjesa tjetër është thjesht indiferente. Pak zëra kritikë ndaj projektit po injorohen ose trajtohen si jopatriotë, të shitur politikisht apo smirëzinj.

Tashmë, Kryeministri Rama mund ta çojë përpara biznesin e stadiumit të ri, pa asnjë pengesë serioze dhe pa asnjë reagim kundra.

Tani në vend të stadiumit historik do të ndërtohet, praktiksiht, një fushë futbolli me shkallë, si pjesë e një kompleksi të madh privat tregtar, i cili do të ketë pjesë edhe ndërtesën më të lartë dhe më të madhe  në vend. Eshtë një hapësirë biznesi dhe rezidenciale nga shitja e të cilës do të fitohen dhjetëra miliona euro (lexo këtu dhe këtu).

Projekti i stadiumit është vjedhja perfekte për të cilin shkruhen libra e bëhen filma: t’ja dalësh të bësh grabitjen më të vështirë që mund të imagjinohet, në mes të publikut, dhe të mos kapesh.

Është fruti i kombinimit të mediokritetit gjenial shpirtëror dhe intelektual të Kryeministrit Rama me grykësinë e tij për para dhe përvojën e tij 15 vjeçare të pazareve të paligjshme me hapësirat publike.

Është triumfi i një karriere të ngjizur dhe të mbajtur në këmbë me korrupsion, klientelizëm dhe abuzim të pushtetit.

Është, si shumica e projekteve të Zotit Rama, një projekt shkatërrues për Tiranën.

***

I gjithë projekti i stadiumit të ri është konceptuar, planifikuar e po zbatohet personalisht nga Kryeministri Rama, me bashkëpunim e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Financimi dhe ndërtimi do të bëhet me formulën e zakonshme të ndërtimit të pallateve në Shqipëri: pronari i tokës vë në dispozicion truallin, investitori financon dhe ndërton objektin dhe, pastaj, mjediset e ndërtuara ndahen mes tyre sipas një marrëveshje paraprake. Në këtë skemë, Kryeministri Rama ka marrë atributet dhe përfitimet e pronarit të truallit.

Pasi ndërmjetësoi dhe garantoi marrëveshjen mes palëve në këtë biznes, të dukshme dhe të padukshme, dhe pasi siguroi heshtjen apo pëlqimin e publikut, Zoti Rama ka filluar tani zbatimin me shpejtësi të projektit. Stadiumi u prish në mënyrë të paligjshme dhe po fillon ndërtimin duke anashkaluar çdo procedurë dhe standard ligjor (lexo këtu për më shumë).

Askush veç palëve në biznes nuk di detaje: marrëveshja me kompaninë ndërtuese mbahet e fshehtë; projekti teknik nuk është mbaruar ende—dhe ndryshon çdo ditë sipas tekave të Kryeministrit; infrastruktura ndihmëse dhe pajisjet teknologjike që do instalohen nuk janë përmendur asnjëherë; vlerësimi i kostove nuk është diskutuar asnjëherë, me përjashtim të një shifre apriori prej 50 milionë euro; ndarja e pronësisë mbi stadiumin dhe infrastrukturën nuk është bërë e njohur; po ashtu nuk dihet as mënyra e menaxhimit të stadiumit pas ndërtimit (lexo këtu disa pyetje rreth projektit). E vetmja gjë publike janë ca skica artistike dhe një video-render të prodhuara me programe kompjuterike.

Kryeministri Rama ka zgjedhur të “shpjegojë” dhe propagandojë vlerat, përfitimet dhe të mirat e supozuara të stadiumit të ri duke keqinformuar, manipuluar dhe fshehur të vërtetën.

Më poshtë po komentojmë disa nga pretendimet kryesore të tij në lidhje me projektin e stadiumit duke u munduar të sjellim informacione sqaruese.

1. Projekti i stadiumit po realizohet si partneritet publik privat

Projekti nuk ka asnjë element të partneritetit publik privat (PPP)—as sipas përcaktimeve të legjit shqiptar dhe as sipas përvojës apo shembujve të zhvillimit të stadiumeve në botë. Skema e financimit është zgjidhje krejtësisht tipike shqiptare: skema e zakonshme e ndërtimit të mijëra pallateve që janë ndërtuar në Tiranë me lejen e Zotit Rama, sikurse u shpjegua më sipër.

Skema e stadiumit nuk ka as teorikisht ndonjë lidhje me PPP, pasi në financimin dhe ndërtimin e tij nuk ka asnjë palë publike: marrëveshja është midis dy shoqërive tregtare private: shoqërisë Qendra Sportive Kuq e Zi sha (QSKZ), e cila është zyrtarisht pronarja e truallit të stadiumit, dhe shoqërisë Alb-Star shpk e cila është financuesja dhe ndërtuesja e stadiumit.

QSKZ është kompani e cila zotërohet 75 për qind nga FSHF dhe 25 për qind nga qeveria (lexo më shumë këtu). Vetë FSHF është ent juridik privat (edhe pse zhvillon aktivitet publik), e përcaktuar si e tillë në Ligjin për Sportet. Si ent privat, ajo nuk është subjekt i asnjë ligji për sektorin publik—FSHF nuk është subjekt i ligjit të prokurimit publik, i ligjit të PPP-ve, i ligjeve për financat dhe auditimin financiar publik, i ligjeve të transparencës dhe informimit publik, etj. Mbi FSHF-në nuk ushtrohet asnjë monitorim apo kontroll publik; ajo funksion tërësisht sipas rregullave që i vendos vetë dhe ligjeve tregtare e civile të vendit.

Duke qenë se FSHF ka 75 për qind të aksioneve në kompaninë QSKZ, si rezultat edhe kompania QSKZ konsiderohet kompani private dhe as ajo nuk i nënshtrohet asnjë ligji të sektorit publik, edhe pse qeveria ka 25 për qind të aksioneve të saj.

Për këtë arsye, e gjithë vendim-marrja për zhvillimin e stadiumit—formula e zgjedhur për financimin dhe ndërtimin e tij, përzgjedhja e investitorit, kontraktimi dhe të gjitha kushtet e kontratës së zhvillimit—janë bërë në mënyrë private, në bazë të ligjeve që zbaton çdo kompani private.

Edhe pse Kryeministri Rama është kthyer në protagonistin dhe propagandistin kryesor të stadiumit, ligjërisht ai nuk ka asnjë kompetencë apo rol në vendim-marrjen e projektit.

Por natyrisht, projekti i stadiumit nuk është sipërmarrje legjitime publike, por një biznes për të cilin Kryeministri ka qenë konceptuesi dhe vendim-marrësi kryesor. Prandaj, duke mos dahsur të rrezikojë dështimin e biznesit, ai ka marrë rolin kryesor për të mbrojtur dhe propaganduar projektin, duke përdorur për këtë qëllim pushtetin e tij mbi mediat për të tulatur çdo dyshim apo përpjekje për të nxjerrë të vërtetën.

2. Stadiumi do të ofrojë shërbime publike, çdo ditë të javës

Një nga justifikimet kryesore të Kryeministrit ka qenë se Shqipëria nuk ka luksin të ketë një stadium që do t’i shërbejë publikut vetëm një ditë në javë; prandaj stadiumi do të ketë një hapësirë tregtare, e cila do të ofrojë shërbime për publikun në çdo orë të çdo dite të javës.

Në fakt, stadiumi nuk do të ofrojë asnjë shërbim publik, por vetëm shërbime private. Pjesa tregtare e stadiumit do të jetë një hapësirë krejtësisht private, pa asnjë kushtëzim apo kufizim në përdorimin e saj: pronari i stadiumit do ta shesë apo do ta përdorë hapësirën në atë mënyrë që maksimizon përfitimet e tij dhe jo për interes të publikut.

Me shumë gjasa, mjediset e stadiumit dhe kullës-pallat do të jenë mjedise tipike të një qendre tregtare—dyqane veshjesh e mallrash, restorante, kafene, bare sportive, qëndra bastesh, etj,— si dhe mjedise zyrash, apartamentesh dhe hoteli.

Për këtë arsye, të thuash se stadiumi do të ofrojë shërbime publike, sikurse pretendon Kryeministri, është njësoj sikur të thuash që qendra tregtare Coin apo hotel Rogneri aty pranë janë objekte që ofrojnë shërbime publike.

Në botë ka vërtetë stadiume që ofrojnë shërbime publike, por të tilla konsiderohen aktivitetet kulturore, sportive dhe edukative, si për shembull turet nëpër stadiume, muzeumet sportive, etj.

Teknologjia e ndërtimit të stadiumeve ka përparuar aq shumë sa tani është e mundur që me kosto relativisht të ulët të ndërtohen stadiume me struktura të lëvizshme, fusha dhe mjediset e të cilëve përshtaten për t’u kthyer në salla basketbolli, pista patinazhi apo salla koncertesh e shfaqjesh të tjera kulturore.

Stadiumi i ri nuk do të ketë asgjë nga këto: ai do të jetë thjesht qendër gjigante dyqanesh, zyrash e apartamentesh private.

3. Vendi i stadiumit është fatlum

Duke ju referuar ekspertëve të paemër, Kryeministri u shpreh para pak ditësh se “arkitektët që janë marrë me stadiumin” i kanë thënë se është fat që mund të ndërtojmë stadium në qendër të qytetit.

Në fakt, e kundërta është e vërtetë: ndërtimi i stadiumit në të njëjtin vend si i vjetri është vendim i gabuar. (Nëse do duhej të ruhej i njëjti vend, rikonstruksioni i plotë i të vjetrit do kishte qenë zgjidhje më justifikuar).

Vendi i stadiumit të vjetër—i cili kur u projektua ishte në periferi të qytetit—është shumë i kufizuar për të ndërtuar një stadium modern dhe funksional.  Me gjasa, ai do të jetë stadiumi me më pak hapësirë në botë—i gjithi përfshi hapësirat e jashtme do të ndërtohet brenda një sipërfaqeje prej rreth 35 mijë metra katrorë. Hapësira funksionale jashtë stadiumit do të jetë minimale, duke qenë se distanca e stadiumit nga rruga përqark tij dhe godinat e tjera është vetëm pak metra dhe në disa pjesë jo më shumë se dy metra.

Stadiumet e sotme zënë, zakonisht, dhjetëra deri në qindra mijëra metra katrorë hapësirë të tyren jashtë strukturës së vetë stadiumit, e cila shërben jo vetëm si pjesë e tërësisë arkitekturore dhe estetike të veprës, por mbi të gjitha është e domosdoshme për të lehtësuar dhe menaxhuar lëvizjen e njerëzve, përfshi hyrje-daljet nga stadiumi.

Hapësira e kufizuar do të krijojë vështirësi për qytetarët që jetojnë apo punojnë pranë, të cilët do të përballen me prishjen e rrjedhës normale të jetës në ditët e ndeshjeve.

I vetmi funksion për të cilin vendi i zgjedhur është me fat është për qendër tregtare dhe rezidenciale, duke qenë se zona e stadiumit është zona më e shtrenjtë dhe më e kërkuar në Tiranë. Kjo vendndodhje është, në fakt, garancia e përfitimeve të mëdha për ndërtuesin e stadiumit, pasi ajo garanton kërkesë të lartë dhe çmime të larta për mjediset e stadium-kullës.

4. Në botë ka stadiume me kullë

Në fakt nuk ka, ende as, edhe një të vetëm që të ketë një kullë funksionale, pra me mjedise që funksionojnë si mjedise tregtare apo rezidenciale (ka një tentativë të tillë në Rusi,por për një stadum privat nga vetë pronari).

Kullat që janë përdorur në disa stadiume janë për qëllime estetike ose arkitektonike, por jo funksionale: shërbejnë si elementë estetikë ose si struktura inxhinierike të ngrehinës së stadiumit.

Në rastin e stadiumit tonë, kulla nuk ka qëllime as estetike as strukturore, por qartësisht dhe vetëm qëllime biznesi. Madje ajo do të jetë ndërtesa më e lartë dhe, me gjasa, më e madhe tregtare-rezidenciale në Shqipëri.

5. Qeveria apo shteti nuk do paguajë asgjë

Zoti Rama është shprehur disa herë, plot krenari, se për ndërtimin e stadiumit qeveria nuk do të “nxjerrë asnjë kokërr leku” apo nuk do të paguajë “asnjë cent”, duke e propaganduar këtë “fakt” si një “avantazh” të jashtëzakonshëm.

Në fakt, qeveria ka kontribuar pjesën më të madhe në projekt ose më saktë ka privatizuar padrejtësisht një pasuri publike me vlerë të paktën 50 milionë euro —sipas vlerësimit që i ka bërë terrenit të stadiumit kompania ndërkombëtare audituese KPMG.

Zoti Rama e injoron qëllimisht apo e nënvlerëson faktin se qeveria ka kontribuar terrenin publik për stadiumin e ri, shumica e të cilit do të jetë në pronësi private.

Sikurse jemi shprehur në një artikull të mëparshëm, është shumë domethënëse që Kryeministri Rama duket se njeh vetëm vlerën e parasë në dorë, por jo vlerën e pasurisë publike.

6. Nuk do të preket monumenti i Bosios

Zoti Rama kishte parashikuar, fillimisht, ta prishte fasadën e stadiumit, e cila është monument kulture dhe pjesë integrale e një ansambli monument kulture—i gjithë ansambli i sheshit Nënë Tereza, përfshi stadiumin në krah të tij.

Publiku reagoi menjëherë ndaj kësaj ideje, por Kryeministri u përgjigj me arrogancë duke thënë se u prish Wembley e jo të mos prishej Qemal Stafa. Por presioni i shtuar e detyroi atë të tërhiqet dhe të deklarojë se fasada do çmontohet e do futet brenda stadiumit si pjesë e një muzeu.

Javët e fundit duket se ai ka ndryshuar, sërish, mendje dhe tani po pohon se fasada ekzistuese do të ruhet dhe do shërbejë si fasadë e stadiumit të ri.

Por edhe kjo zgjidhje do ta shkatërrojë ansamblin monument. Stadiumi i projektuar nga De Bosio ishte i gjithi i harmonizuar me sheshin e sotëm Nënë Tereza në ngjyra, në lartësi, në shtrirje dhe natyrisht në fasadë.

Stadiumi i ri nuk do të ketë asnjë lidhje harmonike me ansamblin. Përkundrazi, ai do të ngrihet disa metra mbi lartësinë e godinave të ansamblit, do të shkatërrojë integritetin e kolonave dhe të sheshit para stadiumit, sikurse do të shkatërrojë harmoninë e ngjyrave. Fotoja e mëposhtme e tregon më mirë se fjalët, dëmin estetik dhe funksional që do i sjellë stadiumi kompleksit monumental të Bosios.

stadiumi kuq e zi

Në mbyllje

Për projektin nuk ka asnjë analizë, asnjë vlerësim, asnjë justifikim formal se pse u arrit në këtë zgjidhje dhe si e nga kush u mor ky vendim. Për të nuk ka ende as sot projekt të përfunduar teknik, ndërsa për projekt ekonomik e financiar as që bëhet fjalë (edhe pse ekzistojnë disa studime të mëparshme).

Pra, për gjithë këtë sipërmarrje me aq shumë ndikim, qeveria Rama nuk ka prodhuar as edhe dy gisht letër. Ndërkohë si kompania projektuese italiane ashtu edhe kompania ndërtuese dhe financuese nuk kanë asnjë përvojë të mëparshme jo vetëm me stadiume, por as më vepra të këtyre përmasave.

Është e qartë se projekti i stadiumit është një marrëveshje tavolinash e Kryeministrit Rama, për përfitime private dhe në dëm të interesit publik—ai është konceptuar dhe po zbatohet në mënyrë arbitrare dhe ekstraligjore, tipike për aferat korruptive dhe klienteliste të udhëheqësve autokratikë.

 

Lajme te ngjashme