Reforma dhe e drejta

Nga Ardian Vehbiu
Reforma dhe e drejta

Sërish u tha dhe u përsërit – deri në trushpëlarje – se reformën e kërkonte populli; duke sjellë deri edhe shifra karakteristike për regjime të tjera, që nuk kanë të bëjnë me demokracinë, të tilla si 90% e më tej; shifra që e bëjnë me turp demokracinë. Këtë të popullit e thanë politikanët, të cilët e kanë zakon të flasin mbarë e mbrapsht “në emër të popullit”, por e përsëritën edhe diplomatët e huaj, duke filluar nga ambasadori i ShBA-ve në Tiranë.

Por çfarë mendon vërtet “populli” në lidhje me reformën? Absolutisht asgjë, sepse hollësitë e reformës nuk i njeh askush, veç pak specialistëve që edhe ata mezi janë marrë vesh mes tyre. Nuk është madje e nevojshme që populli të ketë një opinion për çështje të tilla juridike procedurale të koklavitura, si teknikat e “vetting-ut”, sepse për këtë gjë ekzistojnë instrumente të tjera të titulluara për ta shprehur vullnetin e popullit; dhe nëse jo parlamenti, atëherë asambleja kushtetuese, sa për të sjellë një shembull.

Qarkulloi dje në mediat një video-reportazh ku një person me mikrofon pyeste manifestuesit e miratimit të reformës se pse kishin marrë rrugët; edhe pse kjo video nuk mund të zëvendësojë një anketë e opinionit, sërish të bën të mendosh; sepse tregon se “popullin” në këtë rast e kishin nxjerrë në rrugë partitë politike, në mbështetje të një drejtësie të cilën ky popull e kupton në mënyrën e vet, ose foklorike.

Dhe pikërisht: për faj edhe të prapambetjes në edukimin qytetar, por edhe të një tradite që është ajo që është, koncepti i “rrugës” për drejtësinë nuk ka shumë të përbashkët me konceptin modern, perëndimor, që mishërohet në Kushtetutë dhe në ligjet e tjera të shtetit. Njerëzit zakonisht e mendojnë drejtësinë si “shpërndarëse të ndëshkimeve” për fajtorët, të cilët “dihet se cilët janë”; me fjalë të tjera, njerëzit edhe kur thonë se duan reformë në drejtësi, e kanë fjalën, në të vërtetë, për reformë të ndëshkimeve dhe të ndëshkueshmërisë. Çfarë do të thotë se “populli” kërkon t’i shohë në burg fajtorët për të gjithapadrejtësitë që percepton se i bëhen dita-ditës. Nuk e ka gabim – por edhe le të mos e ngatërrojmë këtë me veprimtarinë e gjyqësorit.

Duhet ndarë, pra, folklori nga jurisprudenca; sepse sipas mendësisë foklorike, fajtorët i identifikon dhe “i kap” policia; ndërsa gjykatat shpërndajnë pastaj ndëshkimet përkatëse. Në asnjë instancë të këtij procesi identifikues nuk pritet të bëhet fjalë për të vendosur nëse një i akuzuar e ka kryer apo jo krimin për të cilin akuzohet; ose për të qëmtuar një të vërtetë juridikisht të mjaftueshme. Disa koncepte më moderne, si prezumimi i pafajësisë, as që kanë arritur të depërtojnë në mendësinë kolektive; dhe nuk kishin se si, sa kohë që askush nuk e vret mendjen si t’i popullarizojë.

I njëjti koncept foshnjor e ka gjetur rrugën deri në instanca më të larta, që duhej të kishin një koncept disi më të rafinuar për drejtësinë. Një eksponent i ekzekutivit shkruante dje publikisht, jo pa entuziazëm, se tani që u miratua reforma për drejtësi, nuk do të ndodhin më disa “skandale” si një gjyq i para pak kohëve, kur një gjykatë i paskësh dhënë të drejtë një privati, në konfrontim me shtetin.

Në fakt, pavarësisht nga skandale dhe vendime arbitrare të panumërta, çdo gjykatë që vendos kundër ekzekutivit ka bërë një akt që duhej përshëndetur – në parim; por me sa duket, për disa politikanë, drejtësia nuk është aq e varur sa duhet prej “shumicës parlamentare”; ose më keq akoma, kjo shumicë parlamentare është edhe “burim” i së drejtës. Konfuzion i plotë, sidomos po të kihet parasysh statusi dhe fibra morale e disa prej parlamentarëve të sotëm, të paktën ashtu siç i janë prezantuar publikut prej mediave.

U tha se reforma ishte diçka e mirë, që duhej të kalonte patjetër; dhe kjo u tha në të njëjtin kontekst me atë tjetrën, se reformën “e kërkon populli.” Nëse kjo nënkupton se gjithçka që “kërkon populli” është e mirë, atëherë kemi ngecur sërish në folklor – meqë kërkesat nga populli, edhe kur arrijnë të maten (sikurse nuk ndodhi këtë herë) varen nga shkalla e informacionit publik.

Mbetet për t’u shpresuar që reforma është vërtet e mirë (d.m.th. e nevojshme), për çfarë unë jam skeptik. Edhe sikur të krijohen rrethanat për ta pastruar vërtet gjyqësorin nga individët e korruptuar, këta do ta gjejnë menjëherë rrugën drejt parlamentit, çfarë do të thotë se në zgjedhjet e ardhshme duhen pritur një numër relativisht i madh ish-gjykatësish dhe ish-prokurorësh, që të “kandidojnë” dhe t’i kërkojnë votat “popullit”, për t’u zgjedhur në Parlament – me shpresë se do të siguronin ashtu një farë pandëshkueshmërie: e mira e këtyre është se do të jenë në gjendje të vetëfinancohen.

Sa për drejtësinë, kjo ka të bëjë edhe me ligjin; dhe ligji nuk duhet ngatërruar me atë që kërkon populli, sepse këtë as populistët më të pafytyrë nuk do të guxonin ta bënin; njëlloj sikurse ligji nuk duhet ngatërruar me procedurat formale, përfshi këtu edhe të shumëpërfolurin “vetting”, i cili nuk është veçse një emër i glorifikuar për atë çfarë kanë bërë, në jetë të jetëve, zyrat e kuadrit. Çudi si nuk u kujtua kush, me këtë rast, që të përmendte testin e poligrafit: me siguri ambasadori Lu do të kish dhënë ndihmesën e vet të menjëhershme edhe në këtë fushë të psiko-teknologjisë.

 

Ky artikull u botua fillimisht në revistën “Peisazhe të Fjalës”:

Reforma dhe e drejta

 

 

Lajme te ngjashme