Një karrike elektrike për Rilindjen

Një karrike elektrike për Rilindjen

Para pak ditësh, Revista Monitor bëri të ditur se OSHEE kishte rritur në mënyrë të ndjeshme pagat e punonjësve të tyre. Kjo e fundit u përgjigj duke thënë që pagat e drejtuesve të lartë ishin rritur me një vendim më të hershëm të kohës së qeverisë Berisha, ndërsa OSSHE kishte rritur vetëm pagat e punonjësve të thjeshtë. Sipas kompanisë, për vitin 2016, fondi total i pagave u rrit gati 30 për qind.

Sido që të jetë, vendimi duket jo shumë i merituar: gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2016, OSSHE realizoi 4,6 miliardë lekë fitime (rreth 33 milionë euro) të ardhura; ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2015, fitimet ishin 7,8 miliardë lekë (rreth 56 milionë euro), pra, rreth 33 për qind më të mëdha se këtë vit.

Nga ana tjetër, qeveria mburret çdo ditë për reformat e suksesshme rrënjësore të sektorit të energjisë. Por në gjithë këtë propagandë, janë harruar fakte thelbësore.

Fakti i parë i harruar është se në buxhetin të vitit 2016 të sapo rishikuar me akt normativ u hoqën nga të ardhurat e pritshme fitimet e  kompanive shtetërore gjatë vitit të shkuar, mes të cilave edhe ato të OSHEE-së, OST-së dhe KESH-it. Pra, të ardhurat e vitit 2015 të këtyre kompanive janë vetëm figurative dhe nuk kanë sjellë asgjë në arkën e shtetit.

Ndoshta edhe të ardhurat e trumbetuara të vitit 2016 do të kenë të njëjtin fat, do të shërbejnë për rritje rrogash dhe shumë shpenzime të tjera, pak të dokumentuara, mes të cilave nuk shihen investime të vërteta në prodhim dhe në rrjet—të cilat financohen me hua të marra nga jashtë.

Fakti i dytë i harruar është se fitimet e tre mujorit të parë të 2016 të KESH-it—735 milionë lekë, ndjeshëm më të ulëta se ato të vitit 2015—janë përfituar pasi KESH uli në mënyrë të njëanshme, me gati 30 për qind, çmimin që ju paguante HEC-eve të vogla për blerjen e energjisë prej tyre, që në këtë 3-mujor arriti në 8 miliardë lekë, pra dhjetë herë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shkurtim i njëanshëm i tarifave, edhe pse të përcaktuara me një ligj dhe të përfshira në kontratat koncesionare, u bë me një vendim të njëanshëm të ERE-s, Entit Rregullator të Energjisë. Me sa duket ERE është ende e pakënaqur, pasi këto ditë ka vendosur një tjetër mekanizëm banditesk i cili ul më tej çmimin e blerjes nga shteti të energjisë nga prodhuesit e vegjël, duke u përpjekur t’i detyrojë ata të kërkojnë një kontratë të re, duke ndryshuar blerësin e energjisë nga KESH në OSHEE. Për më tepër, në kontratën e re që ka propozuar, ka kosto të fshehta sikurse është detyrimi i prodhuesve që të garantojnë një sasi të caktuar vjetore prodhimi dhe në rast të mos arritjes së kësaj sasie të paguajnë dënime të caktuara.

Është e qartë se prodhimi i një hidrocentrali, duke qenë i lidhur me faktorët klimaterikë, nuk mund të parashikohet, ndaj kjo klauzolë, që nuk ishte parashikuar në kontratën e vjetër, do të kthehet praktikisht në ulje të tarifës.

Fakti i tretë i harruar, që për fakt është më i rëndë të paktën nga një pikëpamje e ligjshmërisë, që për të detyruar prodhuesit privatë për të pranuar të firmosin “vullnetarisht” kontratën e re, KESH-i nuk pranon më (sigurisht me metoda informale) faturat e prodhuara sipas kontratës së vjetër në fuqi, pra nuk paguan faturat duke detyruar kështu prodhuesit të derdhin sido që të jetë TVSH-në mbi atë që është faturuar (dhe jo të arkëtuar) për të kërkuar të drejtën e vet përballë një gjykate.

Kjo do të shkaktojë shpejt një krizë financiare tek prodhuesit privatë, duke përkeqësuar edhe shëndetin e sistemit bankar, që duhet të përballet me të tjera kredi të këqija. Nga ana tjetër këto veprime do çojnë në çështje gjyqësore apo arbitrazhi, madje edhe ndërkombëtare, që herët a vonë do të sjellin në mënyrë të pashmangshme kompensime shumë të kushtueshme, që shteti apo kompanitë e tij energjetike do duhet të paguajnë.

Praktika e pranuar kontabile ndërkombëtare dhe vetë ligji shqiptar kërkon që KESH të përfshinte në bilancin e tij vlerat të mjaftueshme për të mbuluar këtë rrezik, por kjo do të anulonte fitimin dhe nuk do të linte vend për propagandë vetëmburrëse.

Duke e përmbledhur dhe thjeshtëzuar, sektori publik i energjisë shqiptar administrohet me të njëjtat metoda të parafinuara të oligarkëve të mëdhenj dhe të falimentuar shqiptarë: gjithçka e marr unë, koncesione dhe kontrata; ndërtoj pallate dhe qendra rezidenciale që do të mbeten gjysmë bosh; paguaj vetëm aq sa dua dhe kujt dua; për borxhet e bankave dhe të furnitorëve nuk e vras mendjen sepse në vend që t’i paguaj borxhliut i paguaj funksionarit;, dhe likuiditetin që marr nga sistemi e shpenzoj për të jetuar në luks. Në rastin e OSHEE-së një pjesë e luksit i shpërndahet edhe nëpunësve (dhe furnizuesve) të rilindjes, shumë prej të cilëve paguhen më shumë se ministrat.

Por ka edhe një fakt tjetër të harruar nga propagandistët e regjimit të Rilindjes, dhe është që nën zë thuhet se është vënë në veprim një skenar për të detyruar prodhuesit privatë të energjisë elektrike të heqin dorë nga koncesionet e tyre, pra t’i shesin ato nën kosto nën trysninë e situatës së keqe financiare, për të mundësuar që këto koncesione të mbërrijnë në duart e duhura, të maskuara nga fonde të mëdha investimi ndërkombëtare, por faktikisht të ushqyera nga para me origjinë të padeklaruar.

Një gjë, ndonëse e habitshme, është e vërtetë: kohët e fundit janë vendosur në Tiranë “misionarë ndërkombëtarë” që deklarohen të interesuar për blerjen e koncesioneve hidroenergjetike në Shqipëri, por me kushtet e tyre, që sigurisht marrin mirë parasysh zhvlerësimin e aseteve të krijuara nga situata e rëndë (dhe e provokuar) aktuale.

Ky sistem i zhvatjes masive, falë përdorimit të pushtetit politik dhe legjislativ , për më tepër shpesh i drejtuar kundër subjekteve ndërkombëtare kryesisht evropiane, mund të krijojë një humnerë të vërtetë ekonomike, duke ushqyer mungesën e besimit në sistemin shqiptar dhe duke e tërhequr të gjithë vendin në një vorbull hakmarrjesh, sherresh, falimentimesh, investimesh të munguara, emigrim dhe rënie ekonomike të egër, që asnjë sistem politik apo gjyqësor, qoftë edhe i “reformuar”, nuk do të mund ta zgjidhë.

Lajme te ngjashme