Superjahti në Sarandë dhe rilindasit në Tiranë

Superjahti në Sarandë dhe rilindasit në Tiranë The Rising Sun, largest privately owned yacht in the world, in St. Thomas, U.S.V.I.

Përpara pak ditësh, një lajm, i cili në vendet e tjera do të ishte i parëndësishëm, ndezi nacionalizmin dhe krenarinë shqiptare: një superjaht i gjatë 136 metra u ankorua në Sarandë.

Në fakt, superjahti Rising Sun qëndroi vetëm pak orë në brigjet e Sarandës, aq sa iu desh vizitorëve të tij të vizitonin rrënojat arkeologjike të Butrintit.

Disa funksionarë dhe media pro qeveritarë e përshkruan “ngjarjen” si një ndodhi e cila i ka bërë xhelozë grekët në Korfuz, dhe si shenjë e qartë se Shqipëria rilindase po bëhet destinacion për këtë lloj turizmi.

Sipas stilit rilindas, edhe ngjarje të shkëputura, pa asnjë domethënie, janë mundësi e artë për të propaganduar përpjekjet dhe “sukseset” e mëdha të qeverisë edhe pse realiteti në vend është i mjeruar.

Vetëm pak orë pasi superjahti Rising Sun u shfaq në horizontin e Sarandës, ndërsa në Shqipëri po përhapej si rrufe në rrjete dhe media online jehona e këtij suksesi rilindas, ai u nis për atje nga kishte ardhur, në Korfuzi, ku po qëndron prej dy netësh dhe, me gjasa, do të qëndrojë edhe më gjatë.

Sa për xhelozinë e grekëve, duhet të kujtojmë se superjahti nuk ndaloi as për një natë në Sarandë, ndërsa në Korfuz sot, e shtunë, ka të paktën 10 superjahte më të gjatë se 40 metra, dhe një anije gjermane epoke me vela të gjatë rreth 50 metra, e ankoruar pikërisht në krah të Rising Sun.

Edhe nëse drejtimi është ai i duhuri, që mesa duket nuk është, rruga që duhet të përshkruajmë deri sa të xhelozojmë grekët është akoma shumë e gjatë.

Lajme te ngjashme