Bregdet: Jeta njerëzore përballë propagandës

Bregdet: Jeta njerëzore përballë propagandës

Lajmi i tragjedisë së Himarës, në të cilin një motoskaf masakroi një turist rus, duhet të bëjë të mendojë ato që janë ngarkuar me zhvillimin e turizmit në vend.

Ka vite që vërehet rritja e numrit dhe aktivitetit të motorëve të ujit dhe motoskafëve në ujërat pranë plazheve të mbushura plot me pushues. Shpesh, drejtuesit e këtyre mjeteve duken tërësisht të pavetëdijshëm apo të pavëmendshëm për rrezikun se mund të përplasin njerëzit, përfshi fëmijë, që notojnë.

Aksidente kanë ndodhur edhe në të shkuarën, të pasuar me diskutime, debate dhe aksione të policisë, por deri më tani dëmet kanë qenë të kufizuara, të paktën në krahasim me atë që mund të kishte ndodhur.

Ndërkohë, qeveria e tanishme si ato të shkuarat ka miratuar ligje—të ngjashme me ligjet e vendeve evropiano-perëndimore—të cilat rregullojnë lundrimin e mjeteve motorike në ujë. Këto ligje përcaktojnë qartë, ndër të tjera, largësinë minimale që mjetet duhet të ruajnë nga bregu, sikurse edhe krijimin e një korridori të shënuar enkas, përmes të cilit mjetet mund të arrijnë bregun, në mënyrë që pushuesit dhe motorët të qëndrojnë të ndarë.

Këto rregulla as nuk njihen e jo më të zbatohen—në asnjë rast policia apo autoritetet përgjegjëse nuk kanë bërë as përpjekjen më të vogël për zbatimin e ligjit: askund nuk ruhet distanca, askund nuk ka korridorë të shënuar, sikurse vetë mjetet dhe drejtuesit e tyre janë më së shumti të pa pajisur me lejet dhe dëshmitë e nevojshme të aftësisë.

Në të vërtetë, rregulla perëndimore kemi edhe për trafikun rrugor, por edhe në rrugë vazhdojnë të ndodhin aksidente, vazhdojnë të humben jetë, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me trafikun rrugor më të rrezikshëm në Europë.

Në fakt problemi është se rregullat në letër nuk mjaftojnë. Së pari, ato duhet të njihen nga të gjithë përdoruesit dhe, mbi të gjitha, duhet të respektohen nga të gjithë përdoruesit. Për këtë duhet të ketë një autoritet, zakonisht policia, e cila duhet të kontrollojë respektimin dhe zbatimin e ligjit. Por që një polic të mund të kontrollojë dhe detyrojë të tjerët të zbatojnë ligjet duhet që ai t’i njohë dhe kuptojë vetë ligjet dhe të ketë të gjitha aftësitë dhe mjetet e nevojshme për detyrimin e zbatimit të tyre.

Fatkeqësisht kjo gjë në Shqipëri po funksionon gjithmonë e më keq, si në ujë ashtu edhe në tokë.

Qeveria vazhdon të njoftojë reforma të reja, ligje të reja, zgjidhje të reja problemesh, duke propaganduar, një vullnet të hekurt në zhvillimin e vendit, edhe nëpërmjet turizmit, në mënyrë të veçantë atij bregdetar. Që pas ardhjes në pushtet qeveria Rama ka miratuar një ligj të ri për turizmin; ka përmirësuar ligjet për lundrimin; ka ngritur një agjenci kombëtare për bregdetin; ka shpërndarë certifikata për udhëtreguesit turistikë; ka ngritur kulla vëzhgimi për vrojtimin dhe shpëtimin e plazhistëve që rrezikohen në det; ka hartuar një ligj mbi përcaktimet e sigurisë për varkat e vogla; e kështu mund të vazhdohet për orë të tëra me masat e marra në letër.

Por nëse ngremë kokën nga letra, realiteti është krejt ndryshe. Rojet e plazhit të pajisur me certifikata duhet të qëndrojnë në kullat e vëzhgimit për të kontrolluar pjesën e plazhit që u është caktuar nga autoritetet lokale, , por në të vërtetë roje plazhi nuk ka; ose nëse ka, nuk dinë ku të shohin; dhe nëse dinë se ku të shohin dhe shikojnë një motoskaf që hyn në zonën e rezervuar për plazhistët, çfarë mund të bëjnë?

Munden vetëm të lajmërojnë policinë, e vetmja që mund të përdori forcën, e cila në shumë zona bregdetare ndonjëherë nuk ka as edhe një varkë të vogël; pra vetëm mund të mbajë shënim, por nuk mund të ndërhyjë—e shumta mund të presë që motoskafi të mbërrijë në breg për t’i kontrolluar dokumentet. Në çdo rast, nëse nuk ka ndonjë mjet të përshtatshëm lundrues, policia nuk mund të bëjë asgjë për plazhet midis shkëmbinjve ose për ato larg qendrave të banuara.

Por edhe atje ku ka ndonjë mjet të tillë, çdo gjë tjetër është e mangët. Pavarësisht, lajmërimeve mbi përparësinë e zhvillimit të turizmit bregdetar, nuk është zhvilluar asnjë aktivitet informues dhe aftësues, as për rojet e plazhit, as për drejtuesit e mjeteve, as për autoritetet vendore dhe, fatkeqësisht, as për policët.

Si rrjedhojë, nuk ka pasur askund ndonjë përpjekje për zbatimin minimal të morisë së ligjeve dhe rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese në ujrat bregdetare.

Ajo që ne kemi, janë policë të shumtë në Policinë Kufitare, të cilët nuk kanë asnjë lloj shkollimi dhe formimi specifik për lundrimin, për dokumentst ndërkombëtare të jahteve dhe procedurat përkatëse—të cilët zakonisht me sjellje zhvatëse arrijnë të torturojnë me orë të tëra, të kota, pritjeje ata pak lundërtarë që lundrojnë në ujërat tona me barka shumë më pak të rrezikshme se motorët e ujit. Rezultati është fatkeq: te marina e Adriatikut ekziston opinioni se është mirë të shmangen brigjet shqiptare për shkak të arrogancës së policisë.

E gjitha kjo tregon një problem thelbësor të qeverisjes: mungesën e një strategjie të mirëfilltë, të harmonizuar për zhvillimin e turizmit.

Mbi të gjitha gjendja dëshmon një të vërtetë të hidhur: qeveria nuk ka asnjë përparësi dhe vullnet të vërtetë për të mbrojtur qytetarin kudo ku ai ndodhet.

Në tre vitet e fundit janë shpenzuar mbi 7 milionë euro për të ribërë fasadat e zyrave të policisë dhe të Ministrisë së Brendshme; për të vendosur kamera në trupin e policëve; për ndërtimin e bunkerëve fals, ironikisht për qëllime turistike; për panairin e policisë në mes të bulevardit, ku u ekspozuan edhe gomone e motorë uji; në reklama të panevojshme televizive; në dhjetëra seminare, konferenca dhe shfaqje të tjera propagandistike, etj.

Ajo që mungoi, dhe që vazhdon të mungojë, është një grupim drejtues i përgjegjshëm i policisë dhe forcave të rendit, i cili t’i përballojë problemet pa demagogji, por me përkushtim dhe qëndrueshmëri, dhe që të paktën një herë, të zgjedhë jetën e qytetarëve para propagandës vetëmburrëse.

 

Lajme te ngjashme