Historiku i ligjit për importin e plehrave – Exit shpjegon

Historiku i ligjit për importin e plehrave – Exit shpjegon

Ligji për lejimin e importit dhe përpunimit të mbetjeve, që po diskutohet sot në Kuvend nuk shqyrtohet për herë të parë nga Kuvendi. Një ligj i ngjashëm u miratua më 2011-ën propozuar nga qeveria Berisha, i cili u shfuqizua më 2013-ën në mënyrë simbolike si akti i parë i qeverisë së Kryeministrit Rama pas ardhjes së tij në pushtet.

Projektligji i tanishëm është propozuar formalisht nga deputetët socialist Eduart Shalsi, Ervin Bushati dhe ai i LSI-së Bujar Derveni. Ai ndryshon nga ligji i vitit 2011, tashmë i shfuqizuar, në dy pika kryesore:

  • Autorizimi i kompanive për import dhe riciklim është i vlefshëm për 2 vjet dhe jo më për 1 vit.
  • Kërkesat për autorizim do të shqyrtohen dhe lëshohen nga Ministria e Mjedisit dhe jo më nga Këshilli i Ministrave.

Më poshtë është një përmbledhje e shkurtër e historikut politik të çështjes së lejimit të importit të plehrave, nga viti 2004 deri më tani:

  • Në vitin 2004, Kryeministri Fatos Nano nënshkroi një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë për importin dhe riciklimin e plehrave. Kur drafti i marrëveshjes u bë publik, ai ngjalli kundërshtim të qytetarëve, shoqatave mjedisore dhe opozitës së kohës. Ata e akuzuan Kryeministrin Nano se marrëveshje ishte bërë për të favorizuar një biznesmen italian që donte të ndërtonte në Shqipëri një impiant për përpunimin e plehrave të Italisë. Si rezultat, marrëveshja nuk u ratifikua asnjëherë në Kuvend dhe për këtë arsye mbeti e pavlefshme.
  • Në vitin 2009, Qeveria Berisha nisi hartimin e një projektligji për importimin dhe riciklimin e mbetjeve. Partia Socialiste dhe shoqëria civile e kundërshtuan dhe protestuan kundër miratimit të tij në Kuvend. Edi Rama akuzoi Kryeministrin Berisha se pas ligjit të importit fshiheshin lidhje mafioze dhe klienteliste të Zotit Berisha e ministrave të tij.
  • Në shtator 2011, pavarësisht kundërshtimeve, ligji për menaxhimin e mbetjeve u votua në Kuvend me 76 vota pro.
  • Dy muaj pas votimit, Presidenti Bamir Topi riktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend, por mazhoranca e rrëzoi dekretin e presidentit me 71 vota.
  • Në vitin 2012, një bashkim qytetarësh dhe shoqatash të shoqërisë civile të njohur si Aleanca kundër Importit të Plehrave (AKIP) mblodhi rreth 64 mijë firma për mbajtjen e referendumit kundër importit të mbetjeve.
  • Firmat u dorëzuan në KQZ në mars 2012. Në mars të 2013-ës, Gjykata Kushtetuese u shpreh pro mbajtjes së referendumit pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2013.
  • Ndalimi i importit dhe riciklimit të plehrave u kthye në një nga premtimet kryesore të kreut të PS-së Edi Rama gjatë fushatës elektorale të vitit 2013.
  • Me ardhjen në pushtet, vendimi i parë që mori qeveria Rama ishte miratimi i projektligjit për shfuqizimin e ligjit të vitit 2011. Ky vendim së bashku me simbolikën e veçantë të tij u përshëndetën nga të gjitha shoqatat mjedisore dhe qytetarët që e kishin kundërshtuar me forcë ligjin.
  • Në mars 2016, ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi deklaroi se qeveria po përgatitet të japë me koncesion importimin dhe riciklimin e plehrave. Asnjë detaj tjetër nuk u bë publik.
  • Në korrik 2016, tre deputetë të maxhorancës, Eduart Shalsi, Ervin Bushati e Bujar Derveni propozuan në Kuvend një projektligj për importin e mbetjeve. Sipas tyre, projekligji i ri siguron që mbetjet që do të futen në Shqipëri nuk do të jenë të rrezikshme dhe se vendi ka bërë përparime të dukshme në infrastrukturë dhe trajnimin e burimeve njerëzore.
  • Pak ditë më parë, Lëvizja Socialiste për Integrim propozoi që shoqëria civile të monitoronte zhdoganimin e mbetjeve për të qenë të sigurt që mbetjet nuk do t’i përkasin kategorive të rrezikshme.
  • Sot është duke u diskutuar dhe pritet miratimi pa problem i ligjit nga shumica. Partia Demokratike ka deklaruar publikisht votën e saj kundra.
  • Diskutimi i ligjit po shoqërohet nga protesta dhe thirrje për mos votimin e tij nga qytetarë dhe aktivistë shoqërorë.

Lajme te ngjashme