Importi i plehrave: PD dorëzon kërkesën për referendum në Kuvend

Importi i plehrave: PD dorëzon kërkesën për referendum në Kuvend

28 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike paraqitën sot në Kuvend kërkesën për mbajtjen e një referendumi për importin e mbetjeve. Deputetët kërkuan shqyrtimin dhe votimin e kërkesës për referendum në seancën e sotme plenare.

Kërkesa e PD u kundërshtua nga kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, i cili u shpreh se “këta nuk dinë ç’të bëjnë dhe ç’të thonë rreth një problemi. Për ne mund ta bëni opozitën si të dëshironi ju, por një gjë duhet ta thoni në publik: flisni për plehra kur nuk ka kaluar asnjë ligj për plehra. Po, ka kaluar një ligj për lëndë të para për riciklim.”

Pas debateve në seancë, Kryetari i Kuvendi Ilir Meta vendosi diskutimin e kërkesës së PD-së në Këshillin e Kryetarëve.

Që të miratohet kërkesa e paraqitur nga një e pesta e deputetëve për mbajtjen e referendumit duhet të miratohet me shumicë parlamentare, pra me 71 vota.

Nëse Kuvendi nuk e miraton mbajtjen e referendumit alternativa e mbetur është kërkesa direkt nga populli e firmosur nga të paktën 50 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Kërkesa e qytetarëve duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese nëse ajo është në përputhje me Kushtetutën.

Pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej, Presidenti vendos datën e referendumit.

Sipas Kushtetutës e drejta dhe rregullat e referendumit janë si më poshtë referendumi mund të kërkohet:

  • Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.
  • Referendumi mund të thirret me kërkesën e të paktën 50 mijë votuesve.
  • Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej.
  • Ligji i miratuar me referendum shpallet nga Presidenti i Republikës.
  • Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.
  • Referendumi për të njëjtën çështje nuk mund të përsëritet përpara se të kenë kaluar tre vjet nga zhvillimi i tij.

Lajme te ngjashme