Shtyhet liberalizimi i vizave për Kosovën

Shtyhet liberalizimi i vizave për Kosovën

Komisioni i të Drejtave Civile në Parlamentin Europian votoi të hënën për miratimin e raportit të deputetes sllovene Tanja Fajon, i cili propozonte liberalizimin e vizave për Kosovën—25 europarlamentarë votuan pro dhe 24 votuan kundër.

Por, Komisoni votoi kundër propozimit për autorizimin e eurodeputetes Tanja Fajon për fillimin e negociatave me Këshillin Europian—këshillin e ministrave të jashtëm të BE-së—dhe Komisionin Europian, të cilët janë vendimarrësit vendimtare për liberalizimin e vizave—25 eurodeputetë votuan kundër fillimit të negociatave dhe 24 votuan pro.

Tani i takon sesionit plenar të Parlamentit Europian për të vendosur nëse do të autorizojë eurodeputeten Fajon për të negociuar me institucionet e tjera të BE-së për çeështjen e vizave me Kosovën.

Por, Fajon u shpreh se ajo nuk do ta sjellë çështjen për votim në sesion plenar nëse Kosova nuk përmbush më parë dy kushte: zgjidhjen e mosmarrëveshjes për kufirin me Malin e Zi; dhe përparimin e dukshëm në luftën kundër krimit të organizuar.

Situata kur Komisioni i të Drejtave Civile të PE-së voton pro liberalizimit në parim, por kundër fillimit teë bisedimeve me institucionet e tjera të BE-së është e pazakontë dhe reflekton faktin që pesë vende të BE-së nuk e njohin Kosovën.

Lajme te ngjashme