Zgjedhjet e Dibrës — 5 gjëra që kuptuam

Nga Neritan Sejamini
Zgjedhjet e Dibrës — 5 gjëra që kuptuam

Zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Dibrës sollën fitore të thellë për PS-në dhe, për shumëkënd, të papritur në këto përmasa. Ndërsa një analizë e thellë mund të kërkojë më shumë informacion dhe të dhëna, disa gjëra duken qartë që tani. Ja pesë të tilla.

1. Makina informale media-biznes-krim e Kryeministrit Rama funksionon dhe ka nxjerrë tashmë jashtë loje procesin politik dhe vetë sistemin politik në vend.

Edi Rama qeverisi në krye të Bashkisë së Tiranës përmes ushtrimit personal dhe informal të pushtetit në bashkëpunim me një “konsorcium” biznesesh dhe mediash, një pjesë më aktivitete të dyshimta, për të cilat burimi kryesor i te ardhurave u bënë lejet e ndërtimit dhe favoret e tjera që mund të ofronte Bashkia e Tiranës.

Në këmbim të financimit dhe mbështetjes politike, Edi Rama i mundësoi këtij konsorciumi një biznes gjigant ndërtimesh në Tiranë, ku u qarkulluan miliarda euro, pa asnjë konsideratë morale apo ligjore—duke i lidhur kështu ngushtësisht interesat ekonomike të mediave, bizneseve dhe kriminelëve me fatet e karrierës së tij politike.

Në këtë mënyrë lindi modeli informal, ekstraligjor dhe ekstrapolitik i ushtrimit të pushtetit, i cili bazohet në qeverisjen autokratike të një individi në bashkëpunim me një rrjet të ngushtë individësh jashtë politikës.

Dhe vërtet, pushteti i Ramës në Bashkinë e Tiranës u ushtrua dhe u fuqizua krejtësisht jashtë kontrollit dhe jashtë kuadrit institucional të Partisë Socialiste. E vetmja lidhje e Edi Ramës me PS-në ishin aleancat apo marrëveshjet individuale të tij me drejtues të lartë të saj në shërbim të karrierës së vet, duke shfrytëzuar për këtë qëllim me mjeshtëri luftën e brendshme për pushtet në PS.

Me fuqinë e këtij koalicioni informal pushtet-biznes-media-krim, por edhe propagandës mjeshtërore, në vitin 2005 Edi Rama arriti në krye të Partisë Socialiste dhe në vitin 2013 në pushtet.

Pas ardhjes në qeveri, Edi Rama e përsosi dhe forcoi modelin e suksesshëm të cilit i detyrohet gjithë karrierën e tij. Duke pasur në kontroll një pushtet të plotfuqishëm politik, miliarda nga buxheti i shtetit dhe dhe gjithë pasuritë e vendit, ai e zgjeroi dhe fuqizoi “konsorciumin” informal biznes-media-krim duke bërë aleanca të reja me faktorët kryesorë të biznesit në vend, pothuajse të gjitha mediat dhe disa nga njerëzit më të fuqishëm të lidhur apo të dyshuar për lidhje me krimin.

Ky koalicion—interesat e të cilit janë të lidhura ngushtësisht me ruajtjen e pushtetit politik të Ramës—është tashmë ushtruesi dhe përcaktuesi kryesor i politikës në vend.

Prova e parë e fuqisë së tij ishte sigurimi i 71 votave në Kuvend për të sprapsur tentativën PD-LSI për mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike.

Prova e dytë ishin zgjedhjet e Dibrës, gjatë të cilave u pa jo vetëm fuqia e kësaj makinerie, por edhe funksionimi perfekt i saj, pa pasur nevojë për angazhimin e përditshëm të vetë Edi Ramës.

Edi Rama nuk harxhoi kohë në fushatën e Dibrës—ai shkoi aty pak orë në hapje të fushatës, pak orë në mbyllje të saj dhe bëri 2-3 statuse në rrjete sociale. Në vend të tij dhe në shërbim të tij në fushatë në Dibër u angazhuan individë të dënuar për krime, biznesmenë përfitues fondesh publike, funksionarë publike që duhet të ishin të depolitizuar—të koordinuar mes tyre, me detyra të qarta dhe me një mision të përbashkët.

Rezultati qe spektakolar.

Kjo makineri e kaloi provën dhe është, tashmë, e gatshme të përballojë dhe triumfojë në zgjedhjet e vitit 2017.

2. Procesi politik, veçanërisht procesi i votimit, po kthehet gradualisht në proces tregtar. Zhgënjimi i vazhdueshëm dhe humbja e besimit tek politika po i shtyn gjithnjë e më shumë qytetarët shqiptarë drejt shitjes së votës.

Për të gjithë ata që politika nuk ka ndryshuar asnjëherë ndonjë gjë në jetët e tyre, që nuk ju ka lehtësuar kurrë mjerimin dhe pafuqinë, është tashmë e qartë se i vetmi përfitim që mund të kenë prej saj është tregtimi i votës.

Është veprim thellësisht racional: është më mirë ta japësh votën për një thes me miell, pra për bukën e disa javëve se për një premtim që nuk do të mbahet kurrë.

Lejimi i kultivimit dhe trafikimit të kanabisit ka sjellë një “lehtësi” të madhe në kthimin e votës në mall të tregtueshëm: ka zëvendësuar pagesën në para me tolerimin e shkeljes së ligjit—në vend që të paguajë të holla, tani qeveria u ofron qytetarëve lirinë për të kultivuar kanabisin në këmbim të votës.

Me këtë strukturë të re “pagese” mund të blihet vota në mënyrë masive.

3. LSI dhe Ilir Meta janë humbësit e mëdhenj të zgjedhjeve të Dibrës. PS fitoi thellë në Dibër pa mbështetjen dhe bashkëpunimin e LSI-së, me gjasa pavarësisht sabotimit nga LSI.

Pasi dështoi në përpjekjen për të siguruar votat e nevojshme për të rrëzuar Ramën nga Kryeministër, Ilir Meta vendosi të qëndrojë në koalicion pasi mijëra anëtarë dhe mbështetës së tij janë të varur nga punësimi dhe përfitimet nga pushteti. Por ai ka zgjedhur të qëndrojë në qeveri si një shtojcë mekanike e cila punon për interesin e vet, pa dhënë kontribut politik për qeverisjen apo koalicionin.

Në këtë “frymë” të re, LSI nuk dha pothuajse asnjë kontribut në Dibër, me shpresën se PS do të humbiste dhe kështu do të kuptonte nevojën për LSI-në ose do të dëmtohej psikologjikisht. Por strategjia e saj e “luftës së ftohtë” dështoi, duke e bërë LSI-në të duket gati e parëndësishme për zgjedhjet e ardhshme.

Në këto kushte, tashmë LSI duhet të zgjedhë të mbështesë dhe kontribuojë realisht në koalicionin me PS-në ose duhet të dalë kundër për ta dobësuar realisht Edi Ramën, përndryshe ajo do të humbasë rëndësinë e saj politike për PS-në.

Strategji “tërhiq e mos e lësho” duket se është strategjia më e keqe për të.

4. Strategjia e deritanishme opozitare e PD-së është e dështuar. Vendi ka nevojë për alternativë politike dhe zgjidhje politike, ndërsa strategjia e PD-së është krejtësisht jopolitike.

Shtylla e parë e kësaj strategjie—propozimet teknike programative—jo vetëm injorojnë origjinën dhe natyrën thellësisht politike të problemeve dhe gjendjes së mjeruar të vendit, por ato duken edhe jorealiste dhe gënjeshtare. Kështu, për shembull, propozimet me subvencione dhe ulje taksash duken qesharake, kur problemi kryesor i fshatit është problemi i tokës dhe kur problem kryesor i biznesit është ai i mungesës së lirisë dhe konkurrencës për shkak të kapjes së shtetit nga një grusht biznesmenësh që shkatërrojnë çdo konkurrencë dhe përparim ekonomik.

Shtylla tjetër, ajo e denoncimit të krimit, korrupsionit dhe keqqeverisjes është gjithashtu joefikase. Në qasjen formale ajo është përsëritje e lodhur e shfaqjeve bajate me recitime nga podiumet e veshura me banderola, të përdorura nga të gjitha partitë opozitare prej shumë vitesh. Qytetarët tashmë e dinë që kjo është shfaqje pa ndikim.

Por mbi të gjitha strategjia e denoncimit nuk është efikase sepse PD nuk ka hedhur asnjë hap konkret vetë për t’u bërë e besueshme si luftëtare e sinqertë dhe e paanshme e krimit dhe korrupsionit.

Besueshmëria dhe ngjallja e shpresës kërkojnë që PD në radhë të parë të pastrohet vetë nga figurat e korruptuara, si dhe të presë lidhjet e veta me oligarkët e biznesit dhe të medias, të cilët po plaçkitin popullin dhe vendin duke përdorur politikën.

Nëse oligarkët paradite janë në zyrën e Ramës dhe mbasdite në të Bashës, opozita nuk do jetë kurrë e besueshme dhe deklaratat e saj kundër krimit e korrupsionit nuk do “të ngjisin” kurrë.

5. Zgjedhjet riforcuan mendimin se ndryshimi politik në Shqipëri nuk fillon nga zonat rurale dhe të varfra. Në të gjitha ndryshimet e deritanishme politike, të mëdha apo të vogla, ndryshimi ka filluar përherë nga qytetet e mëdha dhe pastaj është shtrirë në pjesën tjetër të vendit, përfshi zonat rurale, në ciklin pasardhës zgjedhor. Kjo gjë mund të shpjegohet me izolimin më të madh të këtyre zonave, mungesës së informimit, nivelit më të ulët arsimor, mungesës së shoqërisë civile, bizneseve, dhe strukturave të tjera joqeveritare në këto zona.

Prandaj, në strategjinë zgjedhore opozita duhet të përqendrohet në qytetet e mëdha dhe të përcjellë ide dhe mesazhe të drejtuara në radhë të parë tek popullsia urbane. Mundësia e fitores së opozitës gjendet në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë apo Vlorë—kërkimi tjetër kund nuk do sjellë as ndryshim dhe as sukses zgjedhor, të paktën jo në zgjedhjet e 2017-s.

Lajme te ngjashme